Hap me peshë të madhe politike, Mitrovica e veriut me këtë vendim ia ‘zbehu’ Vuçiqit planet për Asociacionin!

Politika

Hap me peshë të madhe politike, Mitrovica e veriut me këtë vendim ia ‘zbehu’ Vuçiqit planet për Asociacionin!

Arife Morina Nga Arife Morina Më 26 gusht 2023 Në ora: 12:16
Pamje nga Mitrovica

Ditë më parë, Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) njoftoi se Mitrovica e Veriut është anëtarësuar në këtë asociacion gjatë një mbledhjeje së jashtëzakonshme të Kuvendit të këtij entiteti më 22 gusht.

“Votimi për anëtarësimin e Mitrovicës së Veriut në AKK ka kaluar me votat e të gjithë delegatëve të Kuvendit dhe ka ardhur pas kërkesës së Komunës së Veriut e cila marrë vendim në Kuvendin e Komunës për t'u anëtarësuar në Asociacion”, thuhet në njoftimin e AKK-së.

Pas anëtarësimit, sipas njoftimit të AKK-së, kryetari i Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, u shpreh i lumtur me votimin unanim dhe tha se do të japë kontribut për adresimin e sfidave të qeverisjes lokale.

Ky vendim u mirëprit shumë mirë, derisa pritet që Mitrovica e Veriut të ketë përfitime të mëdha.

Mehazi: Pranimit, lidhja dhe bashkëpunimi i Komunës së Mitrovicës së Veriut në Asociacionin brenda Komunave të Kosovës ka peshë të madhe

Profesori Sulejman Mehazi në një bashkëbisedim me “Bota sot” tha se anëtarësimi i Mitrovicës së Veriut në AKK ka rëndësi të madhe.

Image
Sulejman Mehazi

Sipas tij, ky bashkim me komunat tjera ndërpret asociacionet të qyteteve me shumicë serbe në Kosovë.

“Pranimit, lidhja dhe bashkëpunimi i Komunës së Mitrovicës së Veriut në Asociacionin brenda Komunave të Kosovës ka peshë të madhe për shkak se bashkimi i Mitrovicës së veriut me komunat simotra të Kosovës ndërpret dhe stopon asociacionet të qyteteve me shumicë serbe në Kosovë, e mira është se ky bashkim i Mitrovicës së veriut pikërisht bëhet para zgjedhjeve të jashtëzakonshme lokale që do mbahen në katër komunat e veriut me shumicë serbe”, deklaroi profesori.

Mehazi vlerësoi se pranimi i Mitrovicës së veriut brenda Asociacioneve të komunave të Kosovës kundërshton e zbeh dëshirat politike të Vuçiqit për asociacione serbe.

“Për këto veprime politike duhet respektuar guximin e ansamblistëve të Kuvendit Komunal të Mitrovicës së veriut të cilët më 30 qershor vendosën të votojnë për anëtarësimin dhe bashkimin e kësaj komune problematike në Asociacionin e Komunave të Kosovës që politikisht e ka kuptimin e mbrojtjes së sovranitetit të Kosovës.

Poashtu, pranimi i Mitrovicës së veriut më 22 gusht brenda Asociacioneve të komunave të Kosovës kundërshton e zbeh dëshirat politike të Vuçiqit për krijimin e asociacioneve të veçanta e operative serbe në Kosovë”, nënvizoi ai.

Ndër të tjera, profesori u shpreh se do të ishte mirë që Mitrovica e veriut të kishte një statut financiar më të veçantë bashkëpunimi përballë komunave tjera.

“Avantazhet e anëtarësimit të Mitrovicës së veriut me qytetet tjera të Kosoves do jenë shumë përfituese për vetë komunën për shkak se veriu i Mitrovicës nuk do ushqehej me krimenelë vendas e serbë, por këto ushqime sociale, ekonomike e politike do vinin të bashkëkordinuara nga komunat tjera të Kosovës, bile do ishte mirë që Mitrovica e veriut të kishte një statut financiar më të veçantë bashkëpunimi përballë komunave tjera të Kosovës”, përfundoi Sulejman Mehazi për “Bota sot”.

Çka është Asociacioni i komunave të Kosovës?

Asociacioni i komunave të Kosovës funksionon në Kosovë si organizatë joprofitabile e themeluar për t’i përfaqësuar dhe për t’u shërbyer interesave të anëtarëve të saj, gjegjësisht komunave të Kosovës. Pjesë e këtij Asociacioni janë 34 komuna të Kosovës. Kuvendi ka 126 anëtarë dhe përbëhet nga të gjithë kryetarët e komunave dhe nga një këshilltar i zgjedhur për secilin nga dhjetë këshilltarët komunalë dhe përfaqësues nga komunitetet jo-shumicë në kuvendet e komunave. Misioni i këtij Asociacionit është të krijojë qeverisje lokale efikase, të qëndrueshme dhe demokratike përmes përpjekjeve të përbashkëta me komunat dhe përmes tyre të arrihet një performancë e kualitetit të lartë në shërbimin e nevojave për anëtarët e saj.

Zogaj: Pranimi i Komunës së Mitrovicës së Veriut në Asociacionit të Komunave të Kosovës është një veprim kushtimisht shumë i mirë

Image
Skënder Zogaj

Ndërsa, opinionisti Skënder Zogaj në prononcimin e tij për “Bota sot” u shpreh se se ky vendim i Mitrovcës së Veriut është veprim shumë i mirë.

Mirëpo, ai potencoi se do të kishte efekt më të madh nëse do kishte vullnet më të madh.

“Pranimi i Komunës së Mitrovicës së Veriut në Asociacionit të Komunave të Kosovës është një veprim kushtimisht shumë i mirë, sikur të ndodhte me një gamë më të gjerë vullnetesh të qytetarëve përkatës, interesi i të cilëve do të delegohej mirëfillit dhe përfillshëm nga strukturat komunale të atjeshme. Nëse do të ndodhte kështu, kjo do të ishte arritje historik me avantazhe të jashtëzakonshme pëe Komunën dhe Kosovën por edhe për komunitetin serb që, jam i bindur do të gëzonte një avancim të rëndësishëm të jetës dhe zhvillimit të gjithmbarshëm”, deklaroi ai.

Megjithatë, opinionisti është skeptik se mund të ketë shumë sukses, pa anëtarësimin e të gjitha komunave veriore në AKK.

“Mirëpo, në rrethanat aktuale shumë të brishta dhe presioneve të pandalshme nga Beogradi, dyshoj se mund të ketë kthesë suksesi të vërtetë pa anëtarësimin e të gjitha komunave të veriut dhe vetëm pas një marrëveshjeje konkrete të pranueshme nga të gjitha palët, e të "lejuar" nga Beogradi e Prishtina dhe të garantuar nga BE-ja”, përfundoi Skënder Zogaj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat