Moslargimi i sanksioneve nga BE, anëtarja e kryesisë së LDK-së ka një porosi për Kurtin

Politika

Moslargimi i sanksioneve nga BE, anëtarja e kryesisë së LDK-së ka një porosi për Kurtin

Nga: Q.R Më: 26 gusht 2023 Në ora: 18:58
Besa Gaxherri

Anëtarja e kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besa Gaxherri, vlerëson se Kosova po ballafaqohet me masa ndëshkuese nga Bashkimi Evropian si pasojë e mos koordinimit me faktorin ndërkombëtar.

Sipas saj, nga tërë kjo situatë e rëndë për Kosovën, Kryeministri Kurti duhet të kuptojë se nuk mund të veprojë kokë në vete për çështjet strategjike, jo vetëm të Kosovës por edhe BE-së dhe ShBA-ve.

“Ne e dimë të gjithë se për çfarë arsye janë vendosur masat dhe e dimë të gjithë kur hiqen ato, domethënë koordinimi me faktorin ndërkombëtar në përgjithësi me BE dhe ShBA është i domosdoshëm dhe prandaj janë vendosur masat, për t’i dhënë me kuptu Kurtit se nuk mund të veproj kokë në vete për çështjet strategjike, jo vetëm të Kosovës, por edhe BE edhe ShBA-ve. Unë dua të besoj dhe uroj që të hiqen masat ndaj Kosovës, duhet të jemi shumë ma kooperativë dhe korrekt me faktorin ndërkombëtarë”, thekson ajo.

Image
Besa Gaxherri

Duke folur për masat ndëshkuese, ajo potencon se duke e ditur sa destruktive është Serbia, Kosova nuk është dashur të sanksionohet.

“Nuk ish dashtë me i vu masa Kosovës, por Serbisë sepse të gjithë e dimë sa destruktive është Serbia. Prandaj është e papranueshme mënyra e veprimit të Kurtit sepse Kosova çdo hap që e ka ndërmarrë ka qenë e koordinuar me miqtë ndërkombëtar. Nuk e dimë askush ku po dëshiron me shku dhe nuk e dimë vërtetë si të bëjmë tutje. Këto veprime janë në dëm te Kosovës, duhet të reflektoj sa më shpejt”, deklaron ajo për “Bota sot”.

Janë bërë gati dy muaj që kur Kosova është nën masat ndëshkuese nga Bashkimi Evropian, për shkak të vendimit që kryetarët e zgjedhur në veri të ushtrojnë mandatin në objektet komunale.

Sanksionet e BE-së ndaj Kosovës përfshijnë suspendimin e përkohshëm të punës së komisioneve të përbashkëta në mes të BE-së dhe Kosovës, të krijuara në bazë të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, mosdërgimi i ftesave zyrtarëve të Kosovës për takime të nivelit të lartë, suspendimi i vizitave bilaterale, me përjashtim të atyre që kanë për qëllim fokusimin në adresimin e krizës në veri të Kosovës në kuadër të kornizës së dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Pjesë e sanksioneve janë edhe pezullimi i programit të IPA 2024 për Kosovën dhe mosshqyrtimi i projekteve në kuadër të Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor.

Bashkimi Evropian u ka paraqitur tri kërkesa Kosovës dhe Serbisë për të shtensionuar situatën, të cilat ende nuk janë plotësuar.

Kosovës i është kërkuar që menjëherë të pezullojë operacionet policore në afërsi të ndërtesave komunale në veri dhe që katër kryetarët komunalë përkohësisht të ushtrojnë detyrat e tyre në objekte alternative; Serbisë i është kërkuar të sigurojë që protestuesit të tërhiqen nga ndërtesat komunale paralelisht me tërheqjen e Policisë së Kosovës; dhe të dyja shteteve u është kërkuar shpallja e zgjedhjeve të parakohshme lokale, sa më shpejt që të jetë e mundur, në katër komunat në veri të Kosovës, me pjesëmarrjen e pakushtëzuar të serbëve të Kosovës në to.

Për shkak të mospërmbushjes së kërkesave, BE-ja që nga fundi i qershorit po zbaton disa masa ndëshkuese ndaj Kosovës, por jo edhe ndaj Serbisë.

Kryeministri Kurti i ka quajtur këto masa “të padrejta” dhe është shprehur i gatshëm të organizohen zgjedhje të reja në veri, por ato, siç ka thënë ai, duhet të përgatiten që të mos ketë sërish bojkot.

Kryetarët e rinj në komunat veriore u zgjodhën më 23 prill në votimet që u bojkotuan nga popullata dhe partitë serbe.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat