Rikthimi në dialog/ Vjen thirrja urgjente për Perëndimin, ja me çfarë duhet të kushtëzohet Serbia!

Politika

Rikthimi në dialog/ Vjen thirrja urgjente për Perëndimin, ja me çfarë duhet të kushtëzohet Serbia!

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 27 gusht 2023 Në ora: 10:07
Një nga takimet mes Kosovës dhe Serbisë

Shtatori po pritet të jetë një muaj që do të përcillet me dinamikë më të shtuar diplomatike me synim të arritjes së progresit në dialogun Kosovë – Serbi.

Që po bëhen përgatitje për fazën e re të dialogut, ka njoftuar edhe emisari i BE-së Miroslav Lajçak, i cili ka bërë të ditur se në takimin e fundit me të dërguarin e SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, kanë pasur diskutime të thelluara mbi dialogun, gjendjen e tij dhe rrugën përpara që e pret këtë proces.

Mirëpo është Serbia ajo që në vazhdimsi po shkel marrëveshje të nënshkruara gjithashtu po bënë thirrje për të mos njohur Kosovën.

Të gjendur në këtë situatë pak shpresa ka që një dialog me një marrëveshje finale mund të ndodhë në muajin shtator.

Por a duhet kushtëzuar Serbia me zbatim të marrëveshjes së Ohrit për kthimin e dialogut në binarë?

Mehazi: Shenjat e arritjes së një marrëveshje të shtatorit në mes Kosovës e Serbisë janë pesimiste e të largëta

Image
Sulejman Mehazi

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur profesori Sulejman Mehazi.

Ai shprehet gjithashtu skeptik për një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë, kjo sepse nuk mund të ketë paqë në mes dy shteteve nëse politika amerikane e evropiane miklon terroristët kriminelë serbë të Vuçiqit në veri të Kosovës.

“Shenjat devijuese të Marrëveshjes së Ohrit kurrsesi nuk japin shpresa se muaji shtator do jetë muaji i progresit dhe marrëveshjes pëfundimtare paqëruese në mes Serbisë e Kosovës, jo vetëm Serbia e Kosova, por edhe diplomacitë evropiane e amerikane nuk japin sinjale gatishmërie për një marrëveshje përfundimtare në mes Vuçiqit e Kurtit. Nuk mund të ketë paqe në mes dy shteteve nëse politika amerikane e evropiane miklon terroristët kriminelë serbë të Vuçiqit në veri të Kosovës. Politikën kontraverse në mes dy vendeve fqinje mund ta qetësojnë vetëm BE-ja dhe SHBA-të, po ja që BE-ja e SHBA-ja sikur bëjnë seir jo për të qetësuar, por për të nxitur dhe më shumë armiqësinë në mes Vuçiqit dhe Kurtit”, u shpreh ai.

Më tej, profesori thotë që shenjat e arritjes së një marreveshje të shtatorit në mes Kosovës e Serbisë janë pesimiste e të largëta që më shumë japin sinjale dramatike sesa marrëveshje paqësore.

“Pajtohemi me thenien filozofike, se, e mira para se të vijë i ka shenjat e së mirës, po dhe e keqja para se të vijë i ka shenjat e së keqes, pra në këtë rast shenjat e arritjes së një marrëveshje të shtatorit në mes Kosovës e Serbisë janë pesimiste e të largëta që më shumë japin sinjale dramatike sesa marrëveshje paqësore”, thotë Mehazi për “Bota sot”.

Burjani: Marrëveshja e Ohrit është marrëveshje që i konvenon në të gjitha situatat Serbisë, asgjë konkrete nuk i sjellë Kosovës

Image
Blerim Burjani

Ndërsa juristi Blerim Burjani në një bashkëbisedim për “Bota sot”, tha që Perëndimi do të duhej ta kushtëzonte Serbinë për njohje reciproke, në mënyrë që të neglizhohen gabimet e njëpasnjëshme.

“Vet marrëveshja e Ohrit kushtëzon për disa gjëra, por jo për çështjen kryesore njohjen reciproke, perëndimi ka bërë gabimin kapital kur nuk është kushtëzuar Serbia me njohje reciproke. Kjo e bën Serbinë më të fuqishëm përballë Kosovës, nuk ka njohje të Kosovës nga Serbia ishte dështimi më i madhë dhe me kapital i shtetëve perëndimore, gabim pas gabimi ka bërë perëndimi që ka lënë përgjithmonë një bombë të kurdisur në Ballkan, ska rehati dhe s’do të ketë kurrë qetësi në rajon”, shpjegon ai.

Juristi në fund shtoi që Marrëveshja e Ohrit është marrëveshje që i konvenon në të gjitha situatat Serbisë, asgjë konkrete nuk i sjellë Kosovës.

“Marrëveshja e Ohrit është marrëveshje që i konvenon në të gjitha situatat Serbisë, asgjë konkrete nuk i sjellë Kosovës. Gabimet politike të perëndimit në Marrëveshje do të paguaj Ballkani dhe paqja pasi që Serbia të ledhatohet nuk kurrfarë sensi, por për këtë herët a vonë do ta kuptojë perëndimi”, përfundoi Burjani për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat