Fushata serbe kundër Kosovës, vjen thirrja për Albin Kurtin: Urgjentisht duhet ta bëjë këtë

Politika

Fushata serbe kundër Kosovës, vjen thirrja për Albin Kurtin: Urgjentisht duhet ta bëjë këtë

Nga: P. Rudi Më: 27 gusht 2023 Në ora: 11:58
Foto ilustrim

Ani pse Kosova dhe Serbia kishin nënshkruar një marrëveshje në Ohër, sipas të cilës, Serbia nuk do të lobonte për çnjohjen e Kosovës dhe nuk do ta pengonte në anëtarësimin në organizata të ndryshme ndërkombëtare, ajo nuk po e respekton në tërësi.

Pas darkës joformale të thirrur nga kryeministri grek në Athinë ditë më parë, ku prezent ishte edhe kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Ivica Daçiq, tha se Greqia dhe Ukraina nuk duhet ta njohin Kosovën.

Krejt kjo sipas analistit politik, Nexhat Haziri është një intensifikim i fushatës serbe kundër Kosovës, pasi kjo e fundit gjendet nën masa të vendosura nga Bashkimi Evropian.

“Serbia asnjëherë nuk e ka ndërprerë fushatën kundër Kosovës në arenën ndërkombëtare për t’i penguar njohjet nga shtetet e ndryshme për Kosovën, anëtarësimin e saj në organizata ndërkombëtare. Natyrisht se kjo fushatë është intensifikuar tani kur Kosova është nën masa apo sanksione nga BE-ja për çështjen e veriut të vendit dhe deeskalimin e situatës atje, për çka BE i ka vënë disa kushte për tu plotësuar nga Kosova”, thotë Haziri për “Bota sot”.

Si dëshmi për pozicionin jo të mirë të Kosovës në arenën ndërkombëtare, Haziri e jep edhe takimin që u zhvillua ditë më parë në Greqi.

“Pastaj Serbia është duke e shfrytëzuar në maksimum edhe raportet e ngrira të Kosovës me aleatet e saj dhe këto raporte u panë qartë edhe në takimin e Athinës, ku pjesëmarrës ishin me dhjetëra delegacione nga shtete fqinje të Kosovës, por edhe përfaqësues të tjerë të shteteve të BE-së, dhe kryeministri ynë arriti t’i ketë vetëm tri takime bilaterale në Athinë, dhe kjo flet shumë për pozicionin e Kosovës”, shprehet Haziri.

“Në këtë aspekt, Serbinë po e favorizon edhe diplomacia e dobët e Kosovës dhe asnjëherë në historinë e Kosovës nuk kemi pasur përfaqësim diplomatik më të dobët se tani”, shton Haziri.

Por çfarë duhet të bëjë Kosova që t’i kundërvihet fushatës serbe?

“Dhe për t’i bërë ballë kësaj fushate diplomatike agresive të Serbisë në arenën ndërkombëtare kundër Kosovës, duhet urgjentisht që z. Kurti të filloj një dialog me aleatët tanë, t’i përmbushë kërkesat e BE-së sa i përket çështjes së zgjedhjeve në veri të vendit, dhe është imediate që të ketë ndryshim në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Donika Gërvalla nuk mund dhe nuk duhet më të vazhdojë të jetë në krye të diplomacisë së Kosovës”, përfundon për “Bota sot”, analisti politik Nexhat Haziri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat