Fushata e Serbisë kundër Kosovës/ Analisti: Është në kundërshtim me marrëveshjen e Ohrit, befason toleranca e BE-së

Politika

Fushata e Serbisë kundër Kosovës/ Analisti: Është në kundërshtim me marrëveshjen e Ohrit, befason toleranca e BE-së

Nga: Q.R Më: 27 gusht 2023 Në ora: 13:48
Kosova

Fushata propaganduese kundër Kosovës nga ana e Serbisë vazhdon në çdo vend ku Serbisë i jepet mundësia. Nga njohës të zhvillimeve politike në vend vlerësohet se kjo fushatë është bërë edhe më agresive, në kohën kur Kosova gjendet nën masat e BE-së pas tensioneve në veri të Kosovës.

Njohësi i zhvillimeve politike, Melazim Koci, vlerëson se fushata e Serbisë për çnjohje kërcënon Maqedoninë dhe Malin e Zi për njohjen e Kosovës dhe e gjithë kjo është në kundërshtim me Marrëveshjen e Ohrit.

Sipas tij, është befasuese toleranca e Bashkimit Evropian në raport me Beogradin.

Image
Melazim Koci

“Fushata e Serbisë për çnjohje është vetëm një segment i luftës diplomatike të Beogradit kundër Kosovës. Ajo kërcënon Maqedoninë dhe Malin e Zi për njohjen e Kosovës para më shumë se një dekade, lobon dhe voton në çdo forum dhe institucion ndërkombëtar kundër dhe e gjithë kjo është në kundërshtim me Marrëveshjen e Ohrit. Por, kjo nuk befason, sepse Vuçiq në Ohër duke refuzuar nënshkrimin e kishte bërë të qartë se do të bëjë çmos për ta minuar planin franko - gjerman. Rrjedhimisht veprimet agresive të Serbisë nuk habisin, por befason toleranca e Bashkimit Evropian në raport me Beogradin. Mjerisht ajo është në harmoni me të ashtuquajturën politike e "stabilokracise" që BE e ka lansuar në kohen e kancelarës gjermane Angela Merkel dhe që konsiston në "perkdheljen" e Serbisë për të ruajtur stabilitetin në Ballkan. Por, rezultatet e kësaj politike e kanë shndërruar Serbinë në qendër të destabilzimit të Ballkanit. Ngjashëm kishte ndodhur edhe ne vitin 1995, kur pas Dejtonit, qendrat perëndimore e kishin shpallur Millosheviqin faktor stabiliteti dhe e gjitha përfundoj me dështim dhe intervenim të NATO-s për të ndalur çmendurinë e Beogradit”, thotë ai për “Bota sot”

Tutje Koci, shprehet i bindur se Bashkimi Evropin është i njëanshëm dhe se dialogu nuk mund të ketë sukses nëse njëra palë "përkëdhelët", ndërsa tjetra sanksionohet.

“Përpjekja e disa qendrave evropiane për ta shpallur Serbinë qendër të Ballkanit është falsitet, sepse ajo nuk është. E rrethuar nga vendet e NATO-s, e rreshtuar pas Rusisë dhe pa dalje në deti, Serbia nuk është qendër gjeopolitike e Ballkanit. Në fakt ajo është qendër e destabilitetit në Ballkan. Ne këto rrethana gjasat që dialogu dhe Marrëveshja franko - gjermane të kenë sukses janë minimale. Dialogu nuk mund të ketë sukses nëse njëra palë "përkëdhelët", ndërsa tjetra sanksionohet. Ky qëndrim i njëanshëm i Bashkimit Evropian duhet te ndryshoj sa më parë. Ndryshe ai dëshmon shterpësinë e BE-së në politikat e jashtme dhe të sigurisë dhe bën që raportet Kosovë - Serbi të shkojnë drejtë përshkallëzimit”, vlerëson Koci.

Më 18 mars, në Ohër, Kosova dhe Serbia u pajtuan për Aneksin e zbatimit të Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve mes tyre. Marrëveshja, që njihet edhe si propozimi evropian, kërkon nga Beogradi që të mos e pengojë Kosovën të anëtarësohet në organizata ndërkombëtare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat