“Nuk do të marrin pjesë vetëm serbët”/ Bisevac tregon si mund të arrihet paqja përmes asociacionit

Politika

“Nuk do të marrin pjesë vetëm serbët”/ Bisevac tregon si mund të arrihet paqja përmes asociacionit

Nga: Naile Ejupi Më: 2 shtator 2023 Në ora: 13:36
Miko Bisevac

Asociacioni i komunave serbe vazhdon të kërkohet nga ndërkombëtarët. Të shtunën, ambasadori i SHBA-së në Beograd, Christopher Hill, theksoi se kur bëhet fjalë për situatën në Kosovë, është një përpjekje e vazhdueshme dhe shtoi se ka elementë që janë në tryezë dhe duhet të jenë në të, dhe ritheksoi se Uashingtoni e mbështet themelimin e Asociacionit.

Hill tha se komuniteti serb në Kosovë duhet të dijë se si do të jetë jeta e tyre.

“Ata duhet të shohin se si do të duket e ardhmja e tyre. Prandaj SHBA-të e mbështesin fuqimisht Asociacionin. Nga pikëpamja e Kosovës, kur shikojnë dekadat e fundit, ata shohin se u duhet një bazë më e madhe ndërkombëtare dhe kërkojnë që negociatat përfundojnë në një situatë ku ata mund t’i bashkohen strukturave evropiane. Të dyja palët duan diçka që mund të bëhet. Të dyja palët mund të mësojnë shumë nga përvoja e Lajcak dhe Escobar. Ne jemi shumë krenarë që i ndihmojmë ata për këtë. Ne nuk jemi në në fund të procesit, jemi diku në mes. Ndoshta jemi ngecur pak në baltë, por po ecim përpara. Unë nuk do ta refuzoja optimizmin si një mënyrë për t’i parë gjërat. Nuk shoh arsye për pesimizëm”, tha Hill, duke shtuar se nuk pajtohet me deklaratën se shqiptarët në Kosovë janë të gatshëm të përmbushin gjithçka nëse SHBA-ja vërtet dëshiron diçka dhe se për këtë mjafton një telefonatë.

Hil tha se kjo është një periudhë vendimtare për Serbinë.

“Ne nuk mbështesim asnjë media. Ajo që ne bëjmë është të mbështesim atë që njerëzit thonë në situata të caktuara. Ky është një vit shumë traumatik për Serbinë me ato vrasje dhe të shtëna të tmerrshme në fillim të majit. Fatkeqësisht, ne kemi shumë gjëra në SHBA dhe e di që nuk ishte një tronditje e vogël dhe e kuptoj që kjo është një periudhë e ngarkuar. Gjithashtu, kjo është një periudhë vendimtare për Serbinë. Mendoj se ka mundësi të mëdha që Serbia të sjellë disa ndryshime thelbësore”, tha Hill në Dnevnik Nova S.

Në anën tjetër, asociacioni po kërkohet edhe në Zubin Potok, nga aktivisti Miko Bisevac.

Bisevac në një bashkëbisedim me “Bota sot”, u shpreh se paqja ndërmjet dy palëve mund të arrihet vetëm kur respektohen të gjitha dispozitat e dakorduara dhe kur çdo banor i Kosovës ka të njëjtat të drejta pa dallim feje apo kombësie.

“Me vetë nënshkrimin e Marrëveshjes së Brukselit, e cila çoi në integrimin e institucioneve të veriut në sistemin e Kosovës, Qeveria në Prishtinë mori përsipër të formojë ZSO-në, e cila do t'u siguronte njëfarë mbrojtjeje institucionale serbëve dhe do t'u jepte atyre mundësinë që të vendosin për disa çështje të rëndësishme që prekin drejtpërdrejt popullatën, si për shembull kujdesi shëndetësor, urbanistika, arsimi etj.

Paqja ndërmjet dy palëve mund të arrihet vetëm kur respektohen të gjitha dispozitat e dakorduara dhe kur çdo banor i Kosovës ka të njëjtat të drejta pa dallim feje apo kombësie. Të drejtat e serbëve dhe komuniteteve tjera jo shumicë po ashtu kërcënohen dhe kjo shihet në terren çdo ditë”, thekson Bisevac.

Ai thotë se të gjithat komuna që do të marrin pjesë në asociacion do të jenë edhe të grupeve tjera etnike, jo vetëm serbët.

“Me vendimin për formimin e ZSO-së, Qeveria do të zgjaste dorën e pajtimit dhe do të tregonte vullnetin e mirë se dëshiron t'u përgjigjet kërkesave të të gjithë qytetarëve në Kosovë në mënyrë që të ndërgjegjësohet për një mjedis multietnik dhe bashkëjetesë të përbashkët. Gjithashtu duhet theksuar se të gjitha komunat që do të ishin pjesë e ZSO-së janë multietnike dhe do të përfshihen jo vetëm serbët por edhe grupet tjera etnike”, shton Bisevac.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat