Arsyet pse dhe pasojat nëse Kosova do ta kushtëzonte dialogun me largimin e Borrellit dhe Lajçakut

Politika

Arsyet pse dhe pasojat nëse Kosova do ta kushtëzonte dialogun me largimin e Borrellit dhe Lajçakut

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 19 shtator 2023 Në ora: 19:46
Albin Kurti- Aleksander Vuciq- Josep Borrell

Të hënën në një konferencë për media, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është deklaruar rreth takimin të së enjtes me presidentin serb Aleksandër Vuçiq.

Duke dhënë detaje nga takimi në Bruksel, Kurti u shpreh se në takimin trilateral është përballur me një skenar, të cilin i dërguari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, sipas tij, e kishte dizajnuar kohë më parë.

“Unë shkova me një propozim konkret, në të cilin parashikuam një zbatim të plotë të marrëveshjes bazike”, u shpreh Kurti.

“Propozimi ynë bazohej ku çdo nen e përcaktim i marrëveshjes bazike dhe aneksit të saj zbatues duhej të përfshihej në zbatimin e planit të sekuencuar”.

Kurti potencoi se propozimin që e propozoi, ishte dokumenti i parë i Kosovës në një takim të nivelit të lartë.

“Në takimin e parë bilateral që pata me përfaqësuesin Borrellin dhe ndërmjetësin Lajçak, m’u kërkua që të kalojmë në një proces negocimi të statutit të përcaktuar të nenit shtatë të marrëveshjes, në lidhje me nenin 10. Ua bërë të qartë se një hap të tillë nuk mund ta ndërmerrnin”.

Sipas kreut të Qeverisë, diplomati evropian dhe Vuçiqi ishin koordinuar në mes veti.

“Në takimin trilateral, u ekspozova përballë një skenari, që zotëri Lajçak e kishte dizajnuar kohë më parë, pasi e propozova një plan të sekuencimit të punuar nga Kosova, që është dokumenti i parë që e propozoj në një takim të nivelit të lartë”.

“Presidenti i Serbisë dhe Lajçaku reaguan me të njëjtin mendim dhe me njëjtën shpërfillje të koordinuar”.

“Në takimin e parë nuk arritëm një mirëkuptim,. Qëndrimi i zotrinjve Borrell e Lajçak, që sekuencimi duhej të bëhej në një mënyrë të tillë që të ishte e pranueshme edhe për Serbinë, që e donte Asociacionin dhe heqjen e njohjes de facto”.

“Lajçaku dhe Vuçiqi, ishin koordinuar me një qëllim, të bëjnë të pamundurën, një skenar në të cilin marrëveshja zbatohet në plotësi, dhe t’i japin jetë një skenari, ku e vetmja e marrëveshja zbatohet, ajo pjesa marrëveshje së mirë evropiane, mospërfaqësimi i njërës tjetrës në marrëdhënie ndërkombëtare mos të pranohet asnjëherë”.

Njohësit e çështjeve ndërkombëtare thonë se ndërmjetësuesit që mbajnë anën në dialog duhet të largohen menjëherë, ndërsa analistët politikë thonë se nëse Kosova e kushtëzon dialogun me zëvendësimin e Lajçakut dhe Borrellit, atëherë mund të ketë pasoja të rënda për vendin.

Bytyçi: Ndërmjetësi nuk mund të mbajë anë

Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Enver Bytyçiq, thotë se dy negociatorët evropianë, Lajçak dhe Vuçiq, u bënë palë me presidentin e Serbisë kundër Kosovës.

Sipas Bytyçit, Lajçak me vetëdije e solli dialogun në dështim të plotë.

“Takimi dhe bisedimet e Brukselit të datës 14 shtator të këtij viti dështuan. Borrell tha se ato dështuan, pasi që kryeministri Kurti nuk pranoi propozimet Lajçak-Vuçiç. Por bisedimet e para disa ditëve dështuan për shkak se dy negociatorët evropianë, Lajçak e Borrell u bënë pale me presidentin e Serbisë kundër Kosovës. Më thoni një rast në historinë e botës, kur ndërmjetësuesi të ketë mbajtur anë e dialogu të mos ketë dështuar!! Vetëm një. Edhe në përfundim të Luftës së Dytë Botërore fituesit respektuan humbësit. Prandaj paqja zgjati kaq shumë. Në Luftën e Parë Botërore ndërmjetësit (fituesit), sidomos Franca e trajtoi Gjermaninë padrejtësisht dhe me këtë lloj ndërmjetësimi në fakt përgatiti Luftën e Dytë Botërore. Ndërmjetësi nuk mund të mbajë anë. Ai duhet të jetë i drejtë, parimor, human, pra njerëzor e madje duhet të jap opsione që ndihmon viktimën, të vobektin.

Në këtë rast, nëse Borrell dhe Lajçak do mbronin opsionet e zotit Kurti, do të qëndronin Brenda kornizave të së drejtës. Por Lajçak krijoi kurthin. Solli në bisedime atë opsion, të cilin zëvendësi i zotit Kurti nuk e kishte pranuar. Pra e solli dialogun me vetëdije në dështim të plotë. Si mundet që të vihet në tavolinë për diskutim, diçka që njëra palë e ka mohuar dhe pala tjetër e ka inspiruar! Ky veprim është qëllimshëm destruktiv. Për këto e të tjera arsye, të cilat janë thënë vazhdimisht, Lajçak duhet të largohet nga ndërmjetësimi i dialogut”, deklaron Bytyçi.

Për takimin e 14 shtatorit, kryeministri Kurti ka treguar se i ka dërguar letër Gjermanisë e Francës, teksa ka shpjeguar nëse do të kërkojë ndihmë nga Amerika.

“Më 15 shtator, i kam dërguar letër sqaruese Parisit, Berlinit, Romës dhe Bashkimit Evropian. Nga Parisi dhe Berlini e kanë konfirmuar që i kanë pranuar. Këtu kemi të bëjmë me një emisar që e ka deformuar procesin, duke mos u përqendruar në zbatimin e plotë të marrëveshjes bazike, por që Asociacioni e pastaj shohim. Ky deformim është i shoqëruar edhe me një padrejtësi fondamentale. Sa herë që ka shkelje, do të duhej që referi t’i bie… Nuk ka të bëjë jo Amerika dhe Evropian. SHBA dhe BE janë bashkë në këtë proces. Nuk është synimi të synojmë një superfuqi me tjetrën. Na duhen të dyja. Por nuk na duhet një ndërmjetësim i tillë”, tha ai.

“Lajçak duhet në fakt të jap vetë dorëheqjen”

Sipas profesorit Bytyçit, letra e Kurtit ka për synim largimin e Lajçakut dhe të Borrellit.

Ai letrën e konsideron si stabilizim për ndërmjetësitë evropianë Lajçak e Borrell, duke shtuar se nëse edhe pas kësaj nuk shihen ndryshime në ekipin e ndërmjetësuesve për dialog, atëherë ai do të duhej të udhëhiqet nga ShBA-ja.

“Ai është misionar i palës serbe në këtë dialog. Ka shumë gjasa ta luajë këtë rol edhe për shkak se Rusia nuk ka asnjë interes për stabilitet në Ballkan. Është e njohur se luftënxitësit historikisht përdorin “kamikazët” e tyre brenda vendeve që synojnë, për t’i destabilzuar ato dhe për t’i gëlltitur, pra pushtuar! Lajçak tashmë e provoi veten se nuk është gjë tjetër, veçse kamikaz i Vladimir Putin për ta destabilizuar Ballkanin e më pas edhe Evropën. I përket edhe partisë pro-ruse në vendin e tij, Sllovaki, parti e cila ka bllokuar njohjen e shtetit të Kosovës. Unë besoj se edhe letra e zotit Kurti drejtuar SHBA-ve. Gjermanisë, Francës dhe Italisë, këtë synim ka. Largimin e Lajçak e madje edhe të Borrell nga ndërmjetësimi i dialogut. Argumenti është i pakontestueshëm. Ndërmjetësues që mbajnë anë në një dialog, këta të tillët, largohen e duhet të largohen menjëherë. Madje me turp! Nuk shoh zgjidhje tjetër”.

“Njëanshmërinë e Miroslav Lajçak e kam kritikuar dhe here të tjera. Kam kritikuar ashpër faktin që ai pasi takonte zotin Kurti, zonjën Osmani e të tjerë në Prishtinë, rrugës për në Beograd, ndalej e takonte Listën Srpska. Për çfarë? Për t’i inkurajuar që të vazhdojnë me përpjekjet e tyre për destabilizimin e veriut të Kosovës. Nuk kishte asnjë arsye tjetër, sepse serbët e veriut të Kosovës nuk janë palë në dialog. Është Serbia. E njëkohësisht është Serbia dhe Beogradi që instrumentalizon serbët e Kosovës. Megjithatë Lajçak këtë kurrë nuk e kritikoi dhe nuk e denoncoi. Por këmbënguli bashkë me Borrell-in për t’i vendosur Kosovës sanksione. Në vend që këto sanksione t’i vendoseshin Serbisë! Me këtë rol anti-njerëzor dhe në kundërshtim me çdo rregull ndërkombëtar e kanun zakonor, Lajçak duhet në fakt të jap vetë dorëheqjen. Në vend të kësaj, ai ka lajmëruar se do të udhëtojë për konsultime në Uashington. Nuk e di pse shkon po kryeqytetin amerikan. Për të thënë se “është i paanshëm”?! Nëse shkon për këtë apo për çfarëdo arsyeje tjetër në funksion të dialogut Kosovë-Serbi, Lajçak dëshmon se është krejt i pafytyrë. Njerëzit e pafytyrë nuk mund të bëjnë e jo më të udhëheqin ndonjë dialog për zgjidhje konfliktesh. Besoj se letra e kryeministrit Kurti drejtuar disa kancelarive perëndimore do t’i sensibilizojë ato. Dhe pas kësaj do të shohim ndryshime në ekipin e ndërmjetësuesve për dialogun. Ndryshe duhet kërkuar që ky dialog të udhëhiqet nga ana e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Por edhe nëse ndodh kjo, nuk do të thotë se qeveria, kryeministri Kurti, presidentja Osmani, duhet të pranojnë verbërisht çdo lloj zgjidhje”, pohon Bytyçi.

Ai është i bindur se pozicioni amerikan është më i drejtë dhe më objektiv, mirëpo sipas tij, edhe aty mund të kërkohen kompromise të papranueshme.

“Jam i bindur se pozicioni amerikan është më i drejtë, më objektiv sesa ai pozicion që kanë Lajçak dhe Borrell. Por edhe aty mund të kërkohen kompromise të papranueshme. Duhet shumë vëmendje dhe këmbëngulje për ta mbrojtur Kosovën. Para Kosovës nuk është, e nuk qëndron askush. As SHBA-të, pavarësisht besimit që ne shqiptarët kemi për to. Para Kosovës nuk duhet të vihet asnjë lloj interesi. As interesi i marrëdhënieve të mira me miqtë, as madje as interesi i marrëdhënieve të mira me Shqipërinë, nëse Shqipëria zyrtare vazhdon ta dëmtojë interesin e Kosovës. Kosova është e duhet të jetë e para jo vetëm për lidershipin e saj. Jo vetëm për mazhorancën e saj. Por edhe për opozitën dhe qytetarët në tërësi”, shton profesori.

Image
Enver Bytyçi

Bisedimet teknike në mes Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, kanë filluar në vitin 2011. Ideja ka qenë që të diskutohen çështjet teknike që do ta bënin më të lehtë jetën e përditshme për qytetarët e të dyja shteteve.

Deri te fillimi i bisedimeve ka ardhur pasi që Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara më 2010 miratoi rezolutën e sponsorizuar nga 27 vendet e atëhershme të Bashkimit Evropian dhe Serbia, e cila hapi rrugë për fillimin e dialogut Kosovë –Serbi, të lehtësuar nga BE-ja, me qëllim të paqes, sigurisë dhe stabilitetit. Në një gjë të tillë kontribuoi mendimi i Gjykatës Ndërkombëtare e Drejtësisë më 2010, sipas të cilit, “shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk paraqet shkelje të së drejtës ndërkombëtare”.

Sidoqoftë, edhe pse në fillim u paralajmërua që Kosova do të bisedojë me Serbinë vetëm për çështje teknike –të cilat janë udhëhequr nga ekipet teknike të të dyja shteteve – në fund të vitit 2012, krahas bisedimeve teknike, filluar edhe bisedimet në nivelin politik për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Elezaj: Kryeministri Kurti ka të drejtë kur i akuzon dy ndërmjetësuesit për njëanshmëri, por këtë fakt është dashur ta potencojë shumë më herët

Duke analizuar çështjen e dialogut, analisti politik Rexhep Elezaj, thotë se dialogu është histori në vete, që kërkon studim dhe analizë të veçantë, kjo për faktin se ky dialog ka kaluar nëpër disa faza, por për shkaqe dhe arsye ende nuk kanë sjellë asnjë rezultat pozitiv për Kosovën.

Ai “fajtor” e konsideron presidentin serb, Aleksandër Vuçiq, duke thënë se ai në vend se të bëj dialog civilizues me palën e Kosovës dhe të kërkojë falje fillimisht, ai vazhdimisht ka bërë veprime shantazhuese.

“Mendoj se çështje e dialogut me Serbinë, nuk është aq e thjeshtë siç po mendojnë disa politikanë dhe analistë në Prishtinë dhe jo vetëm, sepse ishte i pari presidenti ynë historik Dr. Ibrahim Rugova, ai i cili për 6 muaj e kishte refuzuar dialogun me Serbinë në vitin 2005, të njohura si bisedimet e Vjenës me presidentin M. Ahtisari në krye (prill 2006), meqë konsideronte se çështja e pavarësisë së Kosovës ishte punë e kryer, dhe se Kosova nuk ka pse të bëjë dialog me xhelatin, alias Serbinë. Mirëpo, pas disa muajve rezistencë ndaj presioneve ndërkombëtare, Kosova u detyrua t’i fillojë bisedimet me Serbinë, së pari për çështje teknike, por të cilat në vazhdim u shndërruan në dialog politik, i cili po vazhdon sot e kësaj dite pa asnjë rezultat për Kosovën. Pra, ishin faktorët ndërkombëtarë ata të cilët kanë insistuar që të ketë dialog mes xhelatit (Serbisë) dhe viktimës (Kosovës), duke u mbështetur në disa rrjedha të kaluara të historisë së popujve të Evropës, siç ishte rasti i Francës dhe Gjermanisë pas Luftës së Dytë Botërore, si dy shtete armike por që u detyruan të dialogojnë, derisa i normalizuan marrëdhëniet midis tyre, dhe ky nuk ishte rasti i vetëm në Evropë dhe botë, kur dy popuj apo shtete armike pas bisedimeve janë pajtuar dhe kanë zhvilluar marrëdhënie të mira me njëri tjetrin. Ndërsa, sa i përket vetë rrjedhës së dialogut Kosovë-Serbi që kur ai ka filluar në vitin 2011, është kjo një histori në vete, e cila kërkon studim dhe analizë të veçantë, për faktin se ky dialog ka kaluar nëpër disa faza, por i cili për shumë shkaqe dhe arsye ende nuk ka sjellë asnjë rezultat pozitiv për Kosovën, siç dihet, për faktin e vetëm, se regjimi fashist i Serbisë në krye me racistin A. Vuçiq, në vend se të bën dialog civilizues me palën kosovare, pra duke kërkuar falje paraprakisht për krimet e Serbisë të bëra ndaj shqiptarëve (1998/99), ai vazhdimisht ka bërë veprime shantazhuese ndaj Kosovës, vetëm që të mos arrihet kurrfarë pajtimi me shqiptarët, ngase se sot e asaj dite regjimi antishqiptar në Serbi, për asnjë moment nuk ka hequr dorë nga politika hegjemoniste ndaj Kosovës, duke e trajtuar atë si pjesë integrale të Serbisë, gjë që dialogun e ka sjellë në pozitën më degraduese të tij”, deklaron Elezaj.

Image
Rexhep Elezaj

Shkak kryesor të qëndrimeve pro serbe të ndërmjetësuesve Lajçak dhe Borrell, Elezaj, konsideron nxitimin e tyre që sa më parë të arrihet një marrëveshje kompromisi në mes Kosovës dhe Serbisë.

Ai shprehet se kryeministri ka të drejtë kur akuzon ndërmjetësuesit, por këtë është dashur ta potencojë shumë më herët.

Prandaj, sipas tij kushtëzimi i dialogut me largimin e Borrellit dhe Lajçakut do të kishte pasoja të rënda për Kosovën.

“Kurse, kur është fjala për njëanshmërinë e ndërmjetësuesit dhe lehtësuesit të BE-së në bisedimet Kosovë-Serbi, J. Borrell dhe M. Lajçak, si dhe akuzat e sotme të cilat kryeministri Kurti i ka drejtuar ndaj tyre, mendoj se shkak kryesor i qëndrimit të tyre pro-serb, është ngutia e tyre që sa më para të arrihet një marrëveshje kompromisi mes Kosovës dhe Serbisë, ngase e dinë mirë, se pas zgjedhjeve vitin e ardhëm që do mbahen në BE, këta dy ndërmjetësues nuk do jenë më në ato poste, prandaj dëshirojnë dosido që mandatin e tyre ta përmbyllim me sukses, nëse ia dalin që deri në fund të këtij viti të nënshkruhet marrëveshja midis Kosovës dhe Serbisë për normalizim të marrëdhënieve midis tyre. Mendoj po ashtu, se kryeministri Kurti ka të drejtë kur i akuzon dy ndërmjetësuesit e BE-së për njëanshmëri ndaj Serbisë, por këtë fakt është dashur ta potencojë shumë më herët pranë zyrtarëve më të lartë në Këshillin e Evropës, në Parlamentin Evropian si dhe tek zyrtarët e SHBA-ve, ngase vonesat në politikë dhe diplomaci shpeshherë të hakmerren dhe kthehen si bumerang, sidomos kur çështjet siç është dialogu Kosovë-Serbi e marrin drejtim të pakthyer dhe destruktiv. Pyetja e juaj, se a do të duhej Kosova ta kushtëzonte dialogun me zëvendësimin e Lajçakut dhe Borrellit, unë mendoj se një kusht i tillë nuk guxon të ndodhë në asnjë mënyrë nga ana e qeverisë së Kosovës, sepse një hap i tillë do të ishte me pasoja tepër të rënda për Kosovën, interes vital i të cilës është përfundimi sa më para i dialogut me Serbinë, e cila pa njohjen e pavarësisë së Kosovës nuk mund të bëhet anëtare e BE-së, por as Kosova pa normalizim të marrëdhënieve me fqinjin e saj verior, nuk mund të ecën drejt BE-së pa plotësimin e standardeve dhe vlerave të kërkuara nga bashkësia ndërkombëtare”, shton Elezaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat