21 vjet nga sulmi me granatë ruse në adresë të gazetës “Bota sot”, autori në burg falë drejtësisë zvicerane

Politika

21 vjet nga sulmi me granatë ruse në adresë të gazetës “Bota sot”, autori në burg falë drejtësisë zvicerane

Mimozë Lakna Nga Mimozë Lakna Më 27 shtator 2023 Në ora: 14:07
I dënuari me 10 vite burg për sulmin me granatë ruse ndaj gazetës "Bota sot", Jeton Lleshi dhe Gjykata Federale e Zvicrës

Sot (e mërkurë 27 shtator) janë mbushur 21 vjet nga sulmi me granatë ruse në adresë të gazetës kombëtare “Bota sot” në Cyrih të Zvicrës.

I dënuari tashmë nga Gjykata Federale e Zvicrës, Jeton LL, më 27 shtator të vitit 2002 kishte dërguar në adresë të gazetës “Bota sot” në Zvicër, një granatë ruse, shpërthimi i së cilës do të kishte marrë jetën e të paktën 12 personave.

Më 29 shtator të vitit 2017, shtetasi zviceran, shqiptar me prejardhje nga Maqedonia e Veriut do të dënohej me 10 vite burg në lidhje me rastin.

Ai akuzohej nga Prokuroria për “vrasje të shumëfishtë të mbetur në tentativë” dhe “armëmbajtje pa leje”.

Sipas prokurorisë, nëse granata do shpërthente, atëkohë, botuesi i gazetës “Bota sot”, Xhevdet Mazrekaj do të humbte gjithë familjen e tij, se bashku me gjithë stafin e gazetës “Bota sot” në Zurich.

Sipas aktakuzës së prokurorisë, agresori kishte përdorur një granatë ruse Tip F1.

Pakoja që kishte ardhur në adresë të “Bota sot” përmbante një shishe verë, por edhe diçka tepër të rrezikshme: Një granatë të prodhimit rus me fuqi të madhe shpërthyese dhe të përgatitur për eksplodim.

Fatmirësisht, pakoja ishte hapur nga ana e kundërt dhe kështu ishte evituar prekja e mekanizmit që do të kishte shkaktuar shpërthimin e granatës dhe eventualisht lëndimin apo vrasjen e një apo më shumë njerëzve.

Sipas hetimeve të shkencëtarëve, nga hapja e paketës do duhej tre deri në katër sekonda për të ardhur deri te eksplodimi, që në një vend të izoluar do kishte dëme vdekjeprurëse deri në një largësi prej 300 metrash katrorë.

Pakoja e dërguar më 27 shtator 2002, përmbi kishte të shkruar se dërgesa ishte «zyrtare dhe për biznes».

Lajmi, fillimisht për arrestimin e pastaj për dënimin e Jeton Lleshit, ishte një lloj satifaksioni për pronarin e gazetës “Bota sot” Xhevdet Mazrekaj, që prej vitesh së bashku me familjen e tij dhe stafin kërkonin drejtësi për rastin.

Në procesin gjyqësor, Gjykata nuk e besonte deklaratën e të akuzuarit se “bomba ishte testuar dhe se nuk funksiononte”. Hetimet e bombës treguan se ishte e gatshme për shpërthim, në rast se paketa do hapej në mënyrë të rregullt.

Dënimi i Jeton Lleshit ndodhi 14 vite pasi kishte ndodhur rasti dhe ky është një shembull që Kosova do të duhej ta ndiqte për funksionimin e drejtësisë.

Sulmet dhe kërcënimet ndaj gazetës kombëtare “Bota sot” nuk arritën ta shuajnë kurrë zërin e saj kritik për elementet negative me të cilat u përball Kosova para, gjatë dhe pas luftës.

Kosova e çliruar nga lufta dhe okupatori serb, ishte pushtuar nga “hienat” që donin të përvetësonin çdo gjë që iu dilte përpara. Gazeta “Bota sot” nuk heshti kurrë përball padrejtësive të kohës dhe koha e dëshmoi se lufta jonë për një Kosovë më të mirë, ishte e drejtë dhe e sinqertë.

Gazetës “Bota sot” për fat të keq ia vranë edhe gazetarët e saj më të guximshëm.

Drejtësia vendore e ndikuar nga politika dështoi t’i zbardhte këto vrasje. Tani shpresat janë te Gjykata Speciale!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat