Eksperti tregon si hyri i gjithë armatimi serb në Kosovë, zbulon skenarin se çka synonte grupi terrorist

Politika

Eksperti tregon si hyri i gjithë armatimi serb në Kosovë, zbulon skenarin se çka synonte grupi terrorist

Nga: P. Rudi Më: 27 shtator 2023 Në ora: 23:02
Foto ilustrim, armë të terroristëve serbë, të konfiskuara nga Policia e Kosovës

Natën mes së shtunës dhe së dielës, në fshatin Banjskë në veri të Kosovës mbeti i vrarë rreshteri i policisë, Afrim Bunjaku, dhe disa të tjerë u plagosën pas një sulmi nga një grup terrorist serb, grup nga i cili mbetën tre serbë të vrarë, dy u arrestuan dhe disa të tjerë u arratisën drejt Serbisë.

Pas aksionit të Njësisë Speciale, Polica e Kosovës konfiskoi një arsenal armësh, duke përfshirë raketahedhës, granatahedhës, pushkë të shumta automatike, pushkë snajper, automjete ushtarake, eksplozivë, detonatorë e çka tjetër.

E për gjithë këtë, eksperti i sigurisë Drizan Shala, thotë se në grupin terrorist ishin të kamufluar BIA dhe ushtria serbe.

Image
Drizan Shala

“Situata e sigurisë në pjesën e territorit të Kosovës në veri të vendit është cenuar nga formacioni paraushtarak, në të cilin ishin të kamufluar strukturat e sigurisë së Beogradit (BIA dhe Ushtria serbe) përmes ofrimit logjistik për grupin në fjalë, që ka operuar gjatë këtyre viteve në territorin e Kosovës”, shprehet Shala për “Bota sot”.

Sipas tij, institucionet e sigurisë në Kosovë kanë pasur informata për veprimin e këtij grupi brenda Kosovës, për çka edhe u ndërmor menjëherë aksioni.

“Në lidhje me veprimet operative të institucioneve të sigurisë në Kosovë për gjatë këtyre viteve 2021/2022/2023, kanë dëshmuar që situatën në veri të vendit e kanë nën kontroll duke konfiskuar armatim/municione të ndryshme në operacione të ndryshme në ato 4 komuna veriore. Pjesa e cila tanimë nga veprimi i këtij formacioni paraushtarak, na ka dëshmuar që institucionet e sigurisë në vend kanë pasur informacione për veprime të mundshme në atë pjesë, pas ditës ku është kryer takimi i 14 shtatorit në Bruksel”, shprehet Shala.

Shala lavdëron lartë punën e Policisë së Kosovës dhe Agjencisë Kosovare të Inteligjencës.

“Nëse i referohemi tani gjithë situatës dhe audio/viziualizimi i ngjarjes në veri do të duhej të lavdërohen institucionet e ndjekjes penale, Policia e cila dëshmoi edhe njëherë që ka karakter përtej misionit të saj civil që është kryesisht me karakter ushtarak si xhandarmëri, duke garantuar sovranitetin e vendit në mënyrën më profesionale si dhe institucioni neurologjik që është AKI-ja, e cila mundësoi që zhvillimet në terren të marrin përgjigjen e veprimit adekuat të shpejt në rrethanat që është zhvilluar e gjithë ngjarja”, deklaron Shala.

Por si ka hyrë brenda territorit të Kosovës gjithë ai arsenal armatimi serb?

“Kryesisht armatimi ka hyrë përmes rrugëve të kontrabandës, duke shfrytëzuar grupet kriminale të specializuara në atë pjesë në periudha të caktuara kohore për gjatë viteve të pas luftës, por edhe në vitet e fundit duke marrë armatimin kryesisht të prodhuar/blerë nga Republika serbe e Bosnjës”, shpjegon Shala, i cili zbulon edhe qëllimin kryesor që synonte grupi terrorist.

“Pra mund të konkludohet tani që ky armatim ka pasur për qëllim të shfrytëzohet për kryengritjen serbe në veri të Kosovës, dhe kështu të arrihet qëllimi i tyre politik për shkëputjen e asaj pjese nga territori i Kosovës përmes shpalljes së Republikës së re apo autonomisë”, përfundon për “Bota sot”, eksperti i sigurisë Drizan Shala.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat