Ish bashkëluftëtari i Sali Çekajt ‘godet’ bashkëpunëtorët shqiptar të Radoiçiçit – ja kërkesa e tij

Politika

Ish bashkëluftëtari i Sali Çekajt ‘godet’ bashkëpunëtorët shqiptar të Radoiçiçit – ja kërkesa e tij

Nga: P.Rudi Më: 12 tetor 2023 Në ora: 20:03
Milan Radoiçiq

Krimineli serb i cili gjendet në listën e zezë edhe të SHBA-së, Milan Radoiçiç i cili organizoi dhe udhëhoqi sulmin terrorist serb në veri të Kosovës, kishte ndërtuar një pasuri të jashtëzakonshme në Kosovë, si dhe kishte ndërtuar një vilë luksoze e cila u bastis dhe u konfiskua nga Policia e Kosovës.

Ish bashkëluftëtari i heroi të kombit, Sali Çekaj, Saim Tahiraj thotë se pas konfiskimit të pasurisë së Radoiçiçit në Kosovë, urgjentisht duhet të nisin hetimet edhe ndaj personave që bashkëpunuan dhe lejuan që Radoiçiç të bëjë një gjë të tillë në Kosovë.

“Pavarësisht se a do të ekstradohet krimineli Radoiçiç në Kosovë apo jo, e që mendoj se nuk do të ekstradohet, Prokuroria i shtetit të Kosovës duhet të nisë hetimet ndaj tij. Krahas hetimeve të kriminelit Radoiçiçit, duhet filluar hetimet e të gjithë atyre që bashkëpunuan me te politikisht dhe që paten biznese me të”, shprehet Tahiraj.

Image
Ish bashkëluftëtari i heroi të kombit, Sali Çekaj, Saim Tahiraj

Ai e quan skandaloze se si në të kaluarën, Radoiçiç konsiderohej njeri i rëndësishëm, madje ishte pritur edhe në takime nga kryeministra e president të Kosovës.

“Dëshmia e Afrim Cakaj se Krimineli Radoiçiç mori pjesë në masakrën e Gjakovës dhe në djegien e shtëpive në Gjakovë, nuk ishin të mjaftueshme për disa politikan në Kosovë të cilët barten poste të larta shtetërore, si President, Kryeministër dhe Ministër”.

“Veprimet kriminale të Radoiçiçit nuk u ndalen me masakrën e Gjakovës, por vazhduan edhe më tutje duke u bërë bosi i krimit në veriun e Kosovës. Krahas krimeve; me vrasje, rrahje, djegie të lokaleve, veturave, sulmeve ndaj Policisë së Kosovës, Policisë së EULEX-it, KFOR-i, bëri edhe krime ekonomike duke krijuar një pasuri marramendëse”, shton Tahiraj.

Sipas Tahiraj, Radoiçiç ishte shpërblyer edhe me tenderë nga institucione të ndryshme në Kosovë.

“Si ka mundësi ta krijoj tërë atë pasuri të paligjshme dhe institucionet përgjegjëse të Kosovës të heshtin. Jo vetëm që heshtën, por ky kriminel kishte fituar edhe tender të shpallura nga këto institucione. Si nuk patën një fije morali kombëtar dhe njerëzorë të gjithë ata kryeministra, ministra, president që mbyllën sytë ndaj krimeve të këtij krimineli dhe bashkëpunuan ngushtë me të, madje duke e vizituar edhe në shtëpinë e tij private?”, thotë Tahiraj për “Bota sot”.

Për fund, Tahiraj shprehet se është koha e fundit që urgjentisht të shkatërrohet rrjeti kriminal që është i shtrirë në veri të Kosovës.

“Mendoj se Prokuroria e Shtetit të Kosovës duhet urgjentisht të nisë hetimet ndaj secilit ish bartës dhe bartës të tanishëm të institucioneve të Kosovës që bashkëpunuan me këtë kriminel. Është koha e fundit që urgjentisht të shkatërrohet ky rrjet kriminal i shtrirë në Kosovë dhe Serbi dhe që më vite shkatërroi ekonominë dhe rendin në Kosovë. Kushdo qoftë ai apo ajo të dali para drejtësisë dhe të marrë dënimin e merituar”, përfundon Saim Tahiraj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat