Kuçi tregon detajet e planit serb që t’i shpëtojë ndëshkimit për sulmin terrorist në Kosovë

Politika

Kuçi tregon detajet e planit serb që t’i shpëtojë ndëshkimit për sulmin terrorist në Kosovë

Nga: P.Rudi Më: 19 tetor 2023 Në ora: 19:05
Pamje nga veriu - Manastiri i Banjskës

Doktori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Gurakuç Kuçi, në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka paralajmëruar planin e Serbisë që të dalë e pastër pas sulmit terrorist, që kjo e fundit ndërmori në veri të Kosovës, gjegjësisht në fshatin Banjskë të Zveçanit.

“Ka një tendencë të qartë që i gjithë sulmi terrorist në veri të Kosovës, të mbyllët si çështje me një “dënim publik” që do ia bënte Serbia dhe i gjithë faji t’i hidhet vetëm Radojiçiqit. Kështu do mbyllej ky akt terrorist dhe Serbia do dilte e pastër. E gjithë kjo vërehet në deklaratat e shumë përfaqësuesve ndërkombëtare sepse interesi është që Serbia të futet me çdo kusht nën ombrellën perëndimore, pa marrë parasysh çmimin që duhet të paguajnë tjerët”, thotë Kuçi.

Sipas tij, Serbia është shtet që u ka shitur armë grupeve terroriste.

Image
Doktori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Gurakuç Kuçi

“Serbia është një vend që iu ka shitur armë shumë grupeve terroriste nëpër botë ku janë dokumentuar këto çështje, është vend i cili së fundi i dha më shumë rëndësi Kinës dhe Rusisë duke shkuar në Forumin e BRI-së në Kinë se sa BE-së me pjesëmarrje në Procesin e Berlinit në Tiranë”, shprehet Kuçi.

Por, a ka bërë Kosova ndonjë veprim për materializimin në avantazh diplomatik të ngjarjeve që kanë ndodhur me 24 shtator dhe sa është bërë që dialogu të përfshijë edhe sulmet e 24 shatorit?

“Realiteti është se nuk është bërë asgjë përtej deklaratave, sepse diplomacia e Kosovës është e uzurpuar nga dy apo tre njerëz që mendojnë se janë të gjithëdijshëm dhe kështu diplomacia ka uzurpator në krye dhe nuk ka udhëheqës. Ndërsa, për funksionalizimin e diplomacisë si institucion i rregullt dhe më i rëndësishmi i një shteti nuk është bërë asgjë tjetër, përpos punësim i militantëve të Vetëvendosjes dhe Guxo dhe lëvizjeve se ku mund t’i vënë njerëzit e vetë sa më shumë në pika kyçe dhe punësime tjera”, shpjegon Kuçi.

“Pra, problemi i dështimit diplomatik të Kosovës fatkeqësisht është në pika banale për të mos arritur kurrë të krijoj strategji, sepse duke dështuar në pika funksionale, Kosova nuk ka arritur që të konsolidojë një rrjet diplomatik dhe të krijoj strategji funksionale për avantazhe diplomatike”, shton për “Bota sot” doktor Kuçi.

Për fund, Kuçi thekson se qasja aktuale e diplomacisë së Kosovës nuk po i sjellë avantazhe, por vetëm humbje Kosovës.

“Andaj, qasja e tanishme nuk është duke i sjellë Kosovës avantazhe por vetëm humbje të cilat janë krejt për fajin e mendësisë uzurpokrate militantiste si në të kaluarën. Dështimi diplomatik i Kosovës është banal dhe qesharak në diplomaci. Presidentja Osmani në deklaratën e saj se duhet të rimendohet dialogu në suaza të asaj që ka ndodhur me 24 shtator, vjen pas deklaratës së Kryeministrit Kurti, i cili të njëjtën gjë e tha në fjalimin e tij në Samitin e Procesit të Berlinit në Tiranë”, përfundon Gurakuç Kuçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat