Woelk “zbulon” si mund të funksionojë asociacioni i komunave me shumicë serbe

Politika

Woelk “zbulon” si mund të funksionojë asociacioni i komunave me shumicë serbe

Nga: Naile Ejupi Më: 23 tetor 2023 Në ora: 22:13
Frederica Woelk

Asociacioni është çështja e cila ka mbetur “peng” tash e sa vite, kurse të shtunën u bënë përpjekjet për pranimin e formimit të asociacionit përsëri.

Pesë emisarët e shteteve më të fuqishme perëndimore, janë takuar me kryeministrin e Kosovës, që pos tjerash kanë theksuar nevojën që Kosova ta themelojë pa vonesa Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

I dërguari i BE-së për dialogun Kosovë- Serbi, Miroslav Lajçak. Ka deklaruar se 24 shtatori nuk ndryshon faktin që Kosova dhe Serbia kanë hyrë në marrëveshje.

"Çdo kusht apo vonesë është i papranueshëm dhe ne gjithashtu presim që Kosova dhe Serbia të përmbushin plotësisht detyrimet e tyre nga dialogu. Ngjarjet e 24 shtatorit nuk e ndryshojnë faktin që Kosova dhe Serbia kanë hyrë në marrëveshje në rrugën e normalizimit më herët këtë vit. Kryeministri Albin Kurti ka përgjegjësi të bëjë përparim në normalizimin e marrëdhënieve, nëse Kosova dëshiron të përparojë drejt Bashkimit Evropian”, tha pas takimit Mirosllav Lajçak. Sa i përket Asociacionit të komunave me shumicë serbe, Lajçak tha se "e theksuam nevojën për të themeluar Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë pa vonesë.

Pa këtë nuk do të ketë përparim në rrugën e Kosovës drejt integrimit evropian. Vlerësojmë gatishmërinë e kryeministrit Kurti për të vazhduar së shpejti diskutimet tona”, tha Lajçak.

Sipas tij, ata e kanë një plan, për të cilin nuk dha detaje, dhe të cilin pas Prishtinës do ta prezantojnë edhe në Beograd në takim me presidentin e Serbisë, Alaksandar Vuçiq. "Ne gjithmonë e kemi një plan, pra ne e kemi një plan dhe ne e diskutuam planin me kryeministrin Kurti dhe do ta diskutojmë edhe me presidentin Aleksandar Vuçiq sot më vonë. Tani nuk do të jap më shumë hollësi”, tha Lajçak.

"Dialogu është më i rëndësishëm së kurrë, sepse nëse nuk ka dialog mund të përsëritet përshkallëzimi dhe kjo nuk është çka duam ne, as çka doni ju. Prandaj jemi këtu. E dyta, nuk ka alternativë tjetër përpos dialogut, sepse dialogu sjell normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë dhe e hap rrugën evropiane për Kosovën dhe Serbinë”, tha i dërguari evropian Miroslav Lajçak.

Për asociacionin e komunave me shumicë serbe, ka folur për “Bota sot” edhe asistentja e akredituar në Parlamentin Evropian, Frederica Woelk, e cila thotë se nëse Serbia do ta zhvendoste qëndrimin e saj për këtë pak drejt Kosovës, do të ishte shumë më e lehtë të pranonte gjëra tjera.

Sipas saj, asociacioni i komunave me shumicë serbe mund të funksionojë, por vetëm nëse nuk është një mënyrë e Republika Srpska.

“Përsëri, Kosova kërkon njohje nga Serbia. Mendoj se nëse Serbia do ta zhvendoste qëndrimin e saj për këtë pak drejt Kosovës, do të ishte shumë më e lehtë të pranonte gjëra të tjera. Dialog do të thotë kompromis mes pozicioneve të ndryshme, jo thjesht imponim i një pozicioni.

Asociacioni i komunave me shumicë serbe mund të funksionojë, por vetëm nëse nuk është një mënyrë e Republika Srpska për zgjidhjen e çështjeve dhe vetëm nëse ka garanci të caktuara nga qeveria e Kosovës. Ne e shohim atë në BeH, kjo vetëm sa i dha Serbisë më shumë ndikim dhe më shumë mënyra për të paralizuar një vend”, ka deklaruar Woelk.

Në anën tjetër, kryeministri i Kosovës nuk është ndaluar në çështjen e asociacionin.

Në një komunikatë për medie lëshuar nga ana e tij, thuhet se procesi i dialogut duhet të rimendohet pas sulmit të 24 shtatorit.

Në njoftim konfirmohet se "se emisarët kanë ofruar planin e tyre për ecjen përpara në dialog, për të cilin Kurti i ka falënderuar”.

"Në takim u bisedua për normalizimin e marrëdhënieve mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë, përkatësisht zbatimin e Marrëveshjes Bazike (Bruksel, 27 shkurt) dhe Aneksit të Implementimit të tij (Ohër, 18 mars). Kryeministri theksoi që është i nevojshëm reflektimi cilësor dhe një qasje e re. Të pesë emisarët ofruan planin e tyre të ri për ecjen përpara, për çfarë Kryeministri shprehu falënderimet dhe vlerësimet e tij. Diskutimet duhet të vazhdojnë intensivisht”, thuhet në njoftimin e zyrës së kryeministrit Kurti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat