“Një studente e shkëlqyer e Ibrahim Rugovës”/ Bytyçi tregon mesazhin e vizitës së Osmanit në SHBA

Politika

“Një studente e shkëlqyer e Ibrahim Rugovës”/ Bytyçi tregon mesazhin e vizitës së Osmanit në SHBA

Nga: Petrit Rudi Më: 27 tetor 2023 Në ora: 12:06
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani

Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, doktor Enver Bytyçi, në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka komentuar vizitën në SHBA të presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani.

“Amerika e do Kosovën, por varet që ata që drejtojnë Amerikën me cilat syze e shohin atë. Për këtë arsye vizitat, ose më mirë të them, vizitat e presidentes së Kosovës në SHBA janë jo vetëm produktive, por edhe një mënyrë për të mbajtur pas interesave të Kosovës shumicën e politikës dhe diplomatëve të saj. Përmes marrëdhënieve të ngushta, çfarë zonja Osmani kujdeset t’i mbajë e t’i çojë përpara, lidershipi shqiptar ka mundësi që të njohë më mirë pikëpamjet dhe interesat amerikane në Kosovë. Por ka gjithashtu mundësi që të bëjë diferencën në qëndrimet e ndryshme që mund të shfaqen. Për pasojë edhe të ndërtojë strategjinë dhe taktikat e saj në përputhje me çdo specifikë, me qëllim që Amerika si tërësi të mos largohet as një hap prej Kosovës, përkundrazi, të afrohet dhe të jetë një me të”, thotë Bytyçi teksa flet për takimet e Osmanit në SHBA.

Siç thotë ai, Kosova nuk mundet dhe nuk duhet ta zhgënjejë Amerikën.

“Njerëzimi duhet të jetë një me Zotin. Kosova duhet të jetë një me Amerikën. Kosova nuk mundet dhe nuk duhet ta zhgënjejë Amerikën. Në kuptimin e respektimit të vlerave të saj. Pra Kosova e ka për detyrë edhe patriotike më shumë se çdo vend tjetër, të jetë vend i lirive dhe i demokracisë në veprim. Ky është kushti kryesor për të qenë mika dhe aleat i Amerikës. Po nuk qe kjo klauzolë, atëherë mund të jesh vetëm aleat i përkohshëm i amerikanëve. Zonja Osmani me lidhjet që mban me autoritetet amerikane ka shansin që t’ua dëshmojë miqve në Uashington e kudo në SHBA se Kosova mbart dhe ushtron të njëjtat vlera në qeverisje”, shprehet Bytyçi.

Image
Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, doktor Enver Bytyçi

Më tej, profesor Bytyçi deklaron se Kosova duhet të përshtat qëndrimet e saja në përputhje me ato që kërkon SHBA-ja.

“Por Kosova ka edhe një specifikë. Është ende jo anëtare e OKB-së. Për pasojë i duhet që me amerikanët të dëshmojë jo vetëm vlera. Kërkohet që edhe të përshtaten qëndrimet në sfidat që ajo po kalon, sidomos në marrëdhëniet me shtetin fqinj, Serbinë. Dihet se ishte Rugova, ai që themeloi dhe konstruktoi marrëdhëniet e shkëlqyeshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Por atëherë ishte pak më e lehtë. Pavarësisht se Rugova ndërtoi një diplomaci, të cilën nuk do të mund ta ndërtojë edhe 100 vjet asnjë shqiptar tjetër. Ishte pak më e lehtë se Serbia po bënte luftëra jo vetëm kundër shqiptarëve, edhe kundër boshnjakëve, kroatëve e kështu me radhë. Ishte më e lehtë, sepse diaspora shqiptare në Amerikë ishte më e homogjenizuar, më aktive, e gatshme të sakrifikonte pasuri e gjithçka për të shkuar te pavarësia e Kosovës. Tani shqiptarët janë ende në gjumë, gjumë që filloi më 17 shkurt 2008”, nënvizon Bytyçi.

Sipas tij, vizita e Osmanit pikërisht në kohën kur Kosova gjendet përballë presionit ndërkombëtar, është konfirmim i miqësisë dhe aleancës midis Prishtinës dhe Uashingtonit.

“Sot jemi në një situatë tjetër, kur Serbia ka krijuar lobe për krijimin e marrëdhënieve të mira me SHBA-të. Dje Vuçiq dekoroi ambasadorin Riçard Grennell. Është shenjë se tani nuk ka miq në Amerikë vetëm Kosova. Të tillë ka edhe Serbia. Atëherë vizita e zonjës Osmani merr një rëndësi të dyfishtë. Është vizitë e konfirmimit të miqësisë dhe aleancës midis Prishtinës dhe Uashingtonit, por edhe vizitë e sfidës me ata njerëz të politikës e diplomacisë, të cilës mbështesin Beogradin në qëndrimet e tij ndaj Kosovës. Para 20-30 vitesh kishte vetëm një arsyetim: Milosheviçi është e keqja, shqiptarët janë viktimë e tij. Sot ka ndryshuar aksioma. Në SHBA e BE nuk mendojnë të gjithë kështu për Aleksandër Vuçiç, sepse ky, si ish-ministër i propagandës së Milosheviçit, di të mashtrojë më shumë se sa ish-shefi i tij”, shprehet Bytyçi.

“Në këto kushte sot është më e vështirë të çirret maska e Serbisë. Banjska e 24 shtatorit ia ka dhënë zonjës Osmani dhe gjithkujt një provë të pakontestueshme për t’ia çjerrë maskën presidentit serb. Por ende jemi larg kësaj. Prandaj duhen kontaktet e shpeshta, duhen vizita të vazhdueshme. Dhe presidentja e Kosovës po angazhohet gjithnjë e më shumë me evropianët dhe me amerikanët. Madje kam vënë re se ajo po ruan një lloj ekulibri të admirueshëm në këtë akt euro-atlantik, gjë që në kohën e Rugovës ishte ndryshe. Ndërkaq presidentja Osmani duket se është një studente e shkëlqyer e presidentit historik, Rugova. Së paku deri tani kam përshtypjen se është po aq e vendosur sa Ibrahim Rugova, shumë argumentuese dhe e qartë në artikulim”, shton Bytyçi.

Kjo duhet në marrëdhëniet me aleatët. Sinqeritet. Vetëm kështu mund t’i thuash jo Amerikës në konfidencialitet. Dhe arrin mirëkuptimin e saj. Miqësia dhe aleanca e sinqertë nuk pranojnë rolin e sejmenit. Kosova dhe Amerika, thotë Escobar, janë miqtë më të mirë. Atëherë miqtë bëjnë debate, kundërshtojnë njëri-tjetrin dhe e kuptojnë njëri-tjetrin. Thjesht duhet pak durim. Dhe Vjosa Osmani e ka këtë cilësi”, përfundon për “Bota sot”, profesor, doktor Enver Bytyçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat