Juristi tregon nga çka varet anëtarësimi i Kosovës në KE: Këto janë procedurat

Politika

Juristi tregon nga çka varet anëtarësimi i Kosovës në KE: Këto janë procedurat

Nga: Naile Ejupi Më: 29 nëntor 2023 Në ora: 16:56
Foto ilustrim

Të mërkurën është publikuar raporti i ekspertëve të Këshillit të Evropës për Kosovën, institucion ky ku vendi synon të anëtarësohet.

Ky raport është përshëndetur nga ambasadori gjerman, Jorn Rohde.

Rohde ka thënë se lajm i mirë në këtë raport është se rregullat ligjore në përgjithësi janë në përputhje me standardet ndërkombëtare, ndërkaq lajm i keq është që moszbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese në Deçan shënon shkelje të qartë të sundimit të ligjit.

“Ekspertët e cilësojnë Kosovën si një demokraci funksionale dhe vlerësojnë kushtetutën e saj moderne me garanci të forta për pavarësinë e gjyqësorit. Por ata gjithashtu vënë në dukje kritika të ashpra ndaj përfaqësuesve dhe institucioneve gjyqësore nga politikanët në poste të larta”, ka shkruar ambasadori gjerman në platformën “X”.

Rohde ka shtuar se dy rekomandimet e para të raportit për Kosovën në sundimin e ligjit janë: 1. Zbatimi pa vonesë i vendimeve të Deçanit dhe 2. Respektimi i plotë i pavarësisë së gjyqësorit, duke u përmbajtur nga kritikat e panevojshme që minojnë besimin në gjyqësor.

“Në përgjithësi, raporti nxjerr një pamje të përzier, duke treguar standarde të larta ligjore që nuk zbatohen gjithmonë plotësisht. Është shumë e qartë për mua se zbatimi urgjent – siç kërkohet në mënyrë të përsëritur nga komuniteti ndërkombëtar – është i nevojshëm për të avancuar me sukses ofertën e anëtarësimit të Kosovës”, ka shkruar Rohde.

Ndërsa, juristi Muhamet Kelmendi, thotë se anëtarësimi në Këshillin e Evropës varet nga ndërtimi i asociacionit.

Sipas tij, anëtarësimi varet edhe nga zgjedhjet në Serbi, gjersa ka treguar edhe procedurat që duhen të ndiqen.

“Anëtarësimi në Këshillin e Evropës varet sipas Brukselit dhe Uashingtonit nga ndërtimi i asociacionit. Anëtarësimi në Këshillin e Evropës është i ndërlidhur me asociacion dhe me zgjedhje në veri të Kosovës..

Këtej, ende nuk ka fakte që të mund të themi me besim se kjo është ndërlidhja e bërë nga Uashingtoni dhe Brukseli.

Varet shumë edhe nga zgjedhjet në Serbi dhe nga qëndrimet që do t’i ketë Beogradi.

Ndërsa, për të filluar procedura, kërkohet që paraprakisht që Brukseli të bëjë publike statutin. Pas kësaj është një procedurë në Kuvendin e Kosovës dhe pritet edhe vendimi i Gjykata Kushtetuese.

Kur të përfundojnë këto çështja do të ndërlidhet nga Brukseli dhe Uashingtoni me anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës me status të asociacionit”, deklaron Kelmendi.

Sipas tij, anëtarësimi në KE ndërlidhet me asociacionin dhe kjo e ka dëmtuar pozitën e Kosovës.

“UE dhe SHBA e kanë thënë këtë. Kjo, del edhe nga masat që i ka Kosova. Anëtarësimi në Këshillin e Evropës pa status të organizuar të asociacionit nuk mendohet se bëhet. Duket se anëtarësimin në KE, Brukseli dhe Uashingtoni, e kane ndërlidhur drejtpërdrejtë me asociacion. Kjo ka dëmtuar shumë pozitën e Kosovës dhe ka forcuar forcat nacional-terroriste në Serbi. Këtu është edhe shkaku pse kriminelët e kalibrit Vuçiq-Daçiq dhe Sheshel bëjnë veprime nacionaliste ndaj shqiptarëve dhe Kosovës. Ata pa masa ndaluese nga Uashingtoni, Brukseli e Londra nuk e ndalin agresivitetin në realizimin e botës serbe me një Serbi të madhe. Ky qëllim sundon në Beograd. Kjo ndalet vetëm me forcë”, përfundon Kelmendi

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat