Rasti që “tronditi” Kosovën, vjen thirrja për institucionet/ Ja si duhet të veprohet për autorët

Politika

Rasti që “tronditi” Kosovën, vjen thirrja për institucionet/ Ja si duhet të veprohet për autorët

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 2 dhjetor 2023 Në ora: 22:08
Ilustrim

Më 29 nëntor, Kosova është tronditur nga vrasja e Liridona Murselit, gruas së ish- këshilltarit të Behgjet Pacolli, Naim Murseli.

Liridona Ademaj-Murseli është vrarë në makinë, në rrugën “Dalip Alshiqi”, gjersa  po shkonte në shtëpi bashkë me bashkëshortin dhe fëmijët.

Si ndodhi rasti?

Bashkëshorti i saj Naim Murseli mbrëmjen e vrasjes deklaroi para hetuesve policorë se hajnat ua kishin prerë rrugën dhe fillimisht iu kanë kërkuar gjërat me vlerë, duke marrë paratë dhe telefonat.

Kjo situatë dyshohet se e detyroi Murselin që t’i largojë fëmijët nga vetura, por aty mbeti bashkëshortja e tij, e cila fatkeqësisht u vra me armë zjarri.

Mirëpo, dy ditë pas vrasjes dhe pak orë pas varrimit të Liridonës 30 vjeçare më 1 dhjetor, në varrezat e fshatit Cërmjan të Gjakovës, rasti i saj filloi të marrë imazh tjetër, fillimisht me arrestimin e një personi, pastaj edhe me arrestimin e bashkëshortit të saj.

Naim Murseli dyshohet se ka paguar “grabitësit” që ta privojnë nga jeta bashkëshorten e tij dhe  njëri nga autorët, Granit Plava, ka deklaruar se i janë ofruar 30 mijë euro nga Murseli për këtë.

Për ngjarjen u arrestua edhe një person i tretë, Kushtrim Kokalla, që sipas raportimeve në media është nipi i Naim Murselit.

Arsyet që e kanë shtyrë bashkëshortin, Naim Murseli, ta marrë këtë vendim nuk dihen ende, ndërsa analistët dhe ekspertët e sigurisë kërkojnë zbardhjen e rastit, gjersa shtojnë se duhen ndërmarrë dhe veprime konkrete për persona që mbajnë armë pa leje.

Burjani: Të pritet për raportet policore dhe deklaratat e autorëve

Analisti politik, Blerim Burjani, thotë se Kosova po hyn në një fazë të rëndë të sigurisë.

Image
Blerim Burjani

Sipas tij, rastet e fundit janë të rënda dhe për këtë duhen pritur hetime të hollësishme.

“Kosova po hyn në një fazë të rëndë të sigurisë, rritja e varfërisë sociale, shtrenjtimi i kostos së jetës lindin apetitet kriminale dhe keqpërdorime të shumta. Rastet e fundit, sikur ai i vrasjes së vjehrrit nga ana e dhëndrit, ashtu edhe rasti i gruas që fillimisht u inskenua sikur vrasje nga grabitësit dhe tani del që është vrasje, janë raste të rënda që kërkojnë hetime të hollësishme”, shprehet Burjani.

Ai kërkon të pritet për raportet policore dhe deklaratat e autorëve, gjersa shton se duhen ndëshkuar autorët që mbajnë armë pa leje.

“Duhen pritur raportet policore dhe deklaratat e autorëve, mirëpo raste të atilla nuk duhet të tolerohen, duhet të ndërmerren masa që personat që mbajnë armë pa leje të ndëshkohen, normalisht duhen kontrolle të vazhdueshme”, shton Burjani.

 Seanca gjyqësore ndaj Naim Murseli, i cili dyshohet se e ka organizuar vrasjen e bashkëshortes së tij Liridona Ademaj, personit me inicialet G.P, që sipas prokurorisë është dorasi, si dhe të dyshuarin tjetër me iniciale K.K., i cili është pjesëtar i FSK-së, do të mbahet nesër në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Sipas një burimi të KP, në seancën e paradites, ndaj të akuzuarve, dy nga ta që tanimë kanë pranuar fajësinë, pritet të vendoset për një muaj paraburgim.

Ndërkohë, lidhur me rastin ka reaguar edhe KMDLNj-ja, e cila ka theksuar se pret që hetimet të zhvillohen në përputhje me procedurat e parapara ligjore dhe se pas këtyre hetimeve, Gjykata kompetente do të merr vendim në përputhje me provat dhe ligjin.

“Para tri ditësh në mënyrë mizore u shua jeta e një njeriu, një gruaje, një nëne, një bije dhe një motre, u shua jeta e Liridona Ademajt që shkaktoi, me të drejtë, hidhërim të madh të qytetarëve të Kosovës dhe jo vetëm të Kosovës. Me këtë rast KMDLNJ- ë shpreh shqetësim të thellë për vrasjen mizore të Liridona Ademaj dhe ngushëllon sinqerisht familjen Ademaj për këtë humbje të rëndë. KMDLNj, në të njëjtën kohë vlerëson lartë përkushtimin, profesionalizmin dhe efikasitetin e institucioneve përgjegjëse për mbrojtje të ligjit për zbardhjen e shpejtë të rastit dhe arrestimin e të dyshuarve për këtë krim, Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë së Shtetit që brenda një qarku të ngushtë kohor zbardhën dy raste të rënda kundër jetës, sigurisë dhe pronës. KMDLNj e njeh dhe e pranon parimin e përgjegjësisë penale individuale andaj fton të gjithë që të përmbahen nga deklaratat në të cilat përfshihen palët e treta, pa qenë fare të implikuara në këtë rast”, thuhet në reagim.

Shala: Procesi më i ndjeshëm do të jetë pjesa gjyqësore

Ndërsa, Drizan Shala, ekspert i sigurisë thotë se pjesa gjyqësore do të jetë më e ndjeshme.

Image
Drizan Shala

Sipas tij, pala mbrojtëse mund të deklarojë se klienti i tyre ka probleme mendore, sikurse në shumë raste të tjera.

 “Institucionet e sigurisë në vend kanë ndërmarrë veprime të duhura hetimore operacionale duke zbardhur deri në këtë fazë gjithë procesin dhe sjellë para gjykatës personat e dyshuar për organizimin e vrasjes së saj. Në aspektin psiko/sociologjik do të duhej që institucionet tjera të ndërmarrin veprime tjera preventive për të kuptuar dhe analizuar shkaqet që çojnë në veprime të tilla kriminale. Ndërsa procesi më i ndjeshëm do të jetë pjesa gjyqësore e cila do të mund karakterizohet me veprime nga pala mbrojtëse se klienti i tyre ka probleme mendore, sikur në shumë raste të tjera që ka ndodhur në këto procese ku pastaj kemi pasur jo vendime meritore ndaj kryesve të krimeve të tilla”, pohon Shala.

Tutje, ai ka kërkuar angazhime konkrete në rrugët e qyteteve.

“Organet e sigurisë tani nga cenimi i sigurisë publike do të duhej të angazhohen me veprime konkrete në rrugët e qyteteve tona për të marrë masa e veprime policore në identifikimin e kryeseve potencialë kriminalë, që lëvizin me armë dhe gjëra të pa ligjshme”, përfundon eksperti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat