Përballja e sërishme ndërmjet Kamberit dhe Vuçiqit/ Zëri i fuqishëm i shqiptarëve, pjesë e Parlamentit serb

Politika

Përballja e sërishme ndërmjet Kamberit dhe Vuçiqit/ Zëri i fuqishëm i shqiptarëve, pjesë e Parlamentit serb

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 19 dhjetor 2023 Në ora: 19:48
Shaip Kamberi

Siç edhe u paralajmërua më 17 dhjetor (e dielë) u mbajtën zgjedhjet në Serbi. 

Edhe shqiptarët e Luginës se Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit, patën rastin t’i zgjedhin përfaqësuesit e tyre në Parlamentin e Serbisë.  

Gara e liderëve politikë shqiptarë ishte e ndarë. Ata garuan me dy lista. 

“Beteja politike e shqiptarëve vazhdon – Shaip Kamberi” që udhëhiqet nga Shaip Kamberi, ndërsa “Alternativa Demokratike Shqiptare-Lugina e Bashkuar”, nga Shqipërim Arifi. 

E menjëherë pas mbylljes së vendvotimeve dhe numërimit të votave, fitues i zgjedhjeve doli të jetë Shaip Kamberi, duke fituar kështu edhe një mandat në Parlament. 

Kamberi mori 11.500 vota, që cilat janë të mjaftueshme për mandatin e ri në Kuvendin e Serbisë. 

Ndërkaq, Alternativa Demokratike Shqiptare e udhëhequr nga Shqiprim Arifi mori vetëm 1,250 vota. 

Në këto zgjedhje, shqiptarët e Luginës së Preshevës nuk kanë arritur të krijojnë një koalicion të përbashkët. 

Megjithatë, rizgjedhja e Kamberit pritet të krijojë “parehati” tek Vuçiqi. Kjo pasi zëri i fuqishëm i Kamberit do të vazhdojë të jetë pjesë e parlamentit. 

A ishte kjo fitore një “shuplakë” e radhës për Vuçiqin, duke pasur parasysh që i njëjti ka “luftuar” që Kamberi të mos jetë pjesë e parlamentit? 

Haziri: Kamberi të avancojë dhe të ngris zërin e shqiptarëve të Luginës së Preshevës  edhe në arenën ndërkombëtare 

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur analisti politik Nexhat Haziri. 

Ai tha se është pozitive që Kamberi ka vazhduar mandatin e tij në parlamentin e Serbisë pasi kështu do i përfaqësojë interesat e shqiptarëve. 

“Është mirë që z. Kamberi do të jetë sërish deputet që do të përfaqësojë interesat e shqiptarëve në parlamentin e Serbisë, së paku t'i denoncojë edhe në këtë institucion diskriminimet në të gjitha fushat e jetës që i bëhen popullatës shqiptare në Luginën e Preshevës nga regjimi i Vuçiqit. Se ashtu goditje e rëndë për Vuçiqin fitorja e një deputeti shqiptar për në Kuvendin e Serbisë, nuk besoj të jetë aq e rënd për mos ta relativizuar rëndësinë e kësaj fitoreje të z. Kamberi”, tha ai. 

Image
Nexhat Haziri

Ndër të tjera, analisti thotë që është e rëndësishme për Kamberi të fillojë mbështetjen dhe lobimin e tij në vendimmarrjet ndërkombëtare në mënyrë që të avancojë pozitën e shqiptarëve të Luginës së Preshevës. 

“Por ajo që do të ishte e rëndësisë së madhe për shqiptarët dhe për vet zotin Kamberi si deputet shqiptar në Kuvendin e Serbisë, është mbështetja nga Tirana dhe Prishtina për kërkesat e tij, lobimi në qendrat e rëndësishme të vendimmarrjes ndërkombëtare si në Bruksel, Uashington dhe kryeqytet të tjera të shteteve perëndimore, për ta avancuar pozitën e shqiptarëve në Luginë të Preshevës ndalja e diskriminimit ndaj tyre. Vetëm në këtë mënyrë z, Kamberi mund të jetë i fuqishëm dhe rezultativ si deputet shqiptar në kuvendin e Serbisë, ndryshe siç ka qenë e vepruar më parë nuk mund të paraqes asnjë farë goditje për Vuçiqin”, shprehet Haziri për “Bota sot”. 

Mehmeti: Kamberi është përfaqësuesi më i mirë i shqiptarëve të Luginës 

Ndërsa, analisti tjetër politik Faton Mehmeti në një bashkëbisedim me “Bota sot”, tha që fitorja e Kamberit nuk është lajm i mirë për Vuçiqin, pasi zëri i shqiptarëve do të jetë përsëri aktivë në parlamentin serb. 

“Sigurisht se po, Kamberi është përfaqësuesi më i mirë i shqiptarëve të Luginës, njeriu që si askush tjetër ia tha të vërtetën Vuçiqit. Kështu që, besoj se ky nuk është lajm i mirë për Vuçiqin. Duhet falenderuar të gjith shqiptarët e Luginës që jetojnë në Kosovë e që votuan për z.Kamberi duke ia vazhduar punën njeriut që bën krenar gjith shqiptarët”, thotë ai. 

Image
Faton Mehmeti

Në fund, analisti nënvizon që Vuçiq mund edhe të kërkoj përsëritje të votimeve mirëpo përsëri nuk mun ta tjetërsoj vullnetin e shqiptarëve të Luginës. 

“Gjithashtu besoj se Vuçiqi mund të kërkojë përsëritjen e votimeve në ndonjë qendër në Preshevë apo Bujanoc me qëllim që të pengojë zgjedhjen e z.Kamberi për deputet. Gjithsesi askush s’mund ta tjetërsojë vullnetin e shqiptarëve të Luginës”, përfundoi Mehmeti për “Bota sot”. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat