Qëndrimet pro serbe të Grenellit kundër Kurtit/ Analistët: Tendencë për ta shfajësuar Vuçiqin për sulmin terrorist në Banjskë

Politika

Qëndrimet pro serbe të Grenellit kundër Kurtit/ Analistët: Tendencë për ta shfajësuar Vuçiqin për sulmin terrorist në Banjskë

Petrit Rudi Nga Petrit Rudi Më 20 dhjetor 2023 Në ora: 15:06
Richard Grenell dhe Aleksander Vuçiq

Ish i dërguari i Donald Trump për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell po vazhdon luftën me kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurtin.

Së fundi, Grenell  në një postim në platformën X, teksa i ka dalë hapur në krah presidentit serb, Vuçiq, derisa e ka quajtur “lider ekstremist i Kosovës” kryeministrin Albin Kurti.

“Unë po dëgjoj shumë prova që pretendojnë se të pavarurit dhe pensionistët në Serbi në fund votuan për SNS-në sepse Vuçiq e trajtoi shumë mirë liderin ekstremist të Kosovës, Albin Kurti. Kur komuniteti ndërkombëtar e dënoi Kurtin në mënyrë universale, atyre iu pëlqeu mënyra sesi Vuçiq e menaxhoi krizën dhe qëndroi mbi të. Më kujtohet se duhet të bëja presion ndaj Serbisë dhe Kosovës në mënyrë të barabartë kur Thaçi ishte President. Por me ardhjen e Kurtit në pushtet, situata ka dalë jashtë ekuilibrit. Kurti krijoi probleme dhe radikalizmi i tij ishte një çështje kryesore për këta votues”, shkroi Grenell, teksa komentoi zgjedhjet që u mbajtën në Serbi dhe fitoren e Vuçiqit.

Qasja pro serbe e Grenellit

E sipas analistëve politikë, tash e sa kohë Richard Grenell po dëshmon hapur se është pro Serbisë.

Madje analisti Gani Qarri po paralajmëron edhe krijimin e një mini perandorie serbe, gjë për të cilën, sipas Qarrit po punon edhe Grenelli.

Image
Gani Qarri

“Shtetasit dhe diplomatët pro serb-amerikan të cilët u pajtuan apo edhe mbështetën në heshtje serbizimin komplet të udhëheqjes shtetërore dhe legjislative të Malit të Zi, me president serb, kryeministër serb dhe krye parlamentar ekstremist serb, duket se misioni i tyre, nuk ka marrë fund me kaq, dhe ai po vazhdon me qëllim që edhe Bosnjën e Kosovën e pak më vonë edhe FYROM-in, ti fusin nën administrimin e Serbisë, që pas perandorisë ruse, të krijojnë edhe një mini perandori serbe në Ballkan dhe të gjitha shtetet e vogla përreth ti fusin nën sundimin e saj. Në fakt në postimin e tij në “X” Richard Grenell, si serbofil i sëmurë që është dëshmuar qysh me kohë, deklaron se sa ishte Hashim Thaçi president, edhe ai ishte korrekt dhe po mundohej të sillej ashtu me palët, por me ardhjen e Kurtit në pushtet edhe Grenell paska “ndryshuar”, i Cili çuditërisht për këtë ai pa asnjë argument, përpiqet ta fajësojë, në mënyrë paushallë, kryeministrin aktual të Kosovës, Albin Kurtin të cilin, e quan edhe “ekstremist””, shprehet Qarri për “Bota sot”.

Sipas tij, Grenell po synon ta shfajësojë Vuçiqin para bashkësisë ndërkombëtare për sulmin terrorist serb në Kosovë.

“Për aq më tepër, deklaratat aspak të matura dhe tepër jo-diplomatike, të Richard Grenellit, duhet ta shqetësojnë mbarë spektrin politik të Kosovës, të cilat janë edhe një tendencë e sëmurë karrieriste për ta shfajësuar Vuçiqin për sulmin terrorist ne Banjë të Zveçanit, ndërkohë që ende s`ka asnjë vendim për ndëshkimin e këtij akti makaber, as nga SHBA dhe BE”, thekson Qarri.

“Dhe deklarata të tilla fëmijërore, nuk mund as nuk kanë se si komentohen ndryshe, përveçse dëshmi të frikshme që vërtetojnë edhe njëherë për qëndrimet ekstreme pro-ruse e tërësisht pro serbe te vet Richard Grenellit, i cili edhe derisa ishte ambasador i përkohshëm në Gjermani, mbante lidhje të forta me politikanë ekstremistë evropian dhe forcat pro-ruse në Kontinentin e vjetër e më gjerë, për çka Gjermania disa herë kishte kërkuar nga SHBA, zëvendësimin dhe largimin e tij”, përfundon për “Bota sot” Gani Qarri.

Njeri i lobit serb

Kurse, analisti Faton Mehmeti thekson se Richard Grenell është i “dashuruar” pas popullit serb.

Image
Faton Mehmeti

“Grenelli duket i entuziazmuar nga fitorja e Vuçiqit, mikut të tij për të cilin ka bërë shumë përpjekje për ta mbështetur. Nuk mund të pritet tjetër nga njeriu që merr mirënjohje nga Vuçiqi dhe që është i "dashuruar" pas popullit serb. Kritikat ndaj Kurtit janë të natyrshme kur shihet se ishte Albini që hodhi në kosh të mbeturinave idetë e tij me Thaçin dhe Vuçiqin për ndarje të Kosovës”, deklaron Mehmeti.

Memeti thotë se Richard Grenell është njeri i lobit serb dhe  s’mund të pritet asgjë tjetër për shqiptarët.

“Një ditë edhe do të kërkojë falje për sulmet ndaj Serbisë në vitin 1999. Asgjë e mirë për shqiptarët s’mund të pritet nga Grenelli, nuk më habisin deklaratat e tija, fatkeqësisht ka ende shqiptar që besojnë tek njeriu i Serbisë. Nisur nga qëndrimet e tija në vazhdimësi në favor të Rusisë dhe Serbisë, kam dyshime  se Grenelli është agjent i Rusisë dhe Serbisë”, përfundon analisti Faton Mehmeti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat