PDK dhe LDK bëjnë thirrje për zgjedhje/ Saim Tahiraj ka një thirrje të fuqishme për këto dy parti

Politika

PDK dhe LDK bëjnë thirrje për zgjedhje/ Saim Tahiraj ka një thirrje të fuqishme për këto dy parti

Nga: H.O. Më: 24 dhjetor 2023 Në ora: 15:06
Memli Krasniqi/ Lumir Abdixhiku

Partitë politike opozitare po bëjnë thirrje te qytetarët për vëmendje ndaj partive të tyre. Deklarimet e tyre ngjajnë me ato të fushatës zgjedhore, kur bëhet thirrje për vota.

Kështu Memli Krasniqi, kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, së fundmi është deklaruar se partia e tij po rritet dhe po rikthehet fuqishëm.

“PDK po rritet. PDK fuqizohet. PDK po rikthehet!  Mbi 120 anëtarë të rinj, në krye me afaristin Selver Xhelili, kanë aderuar mbrëmë në Degën tonë në Gjilan. I falënderoj të gjithë për besimin dhe angazhimin që kanë vendosur të japin në PDK, e përmes nesh, për shtetin dhe shoqërinë. Kjo është dëshmi se PDK mbetet alternativa më e mirë politike dhe qeverisëse për vendin, e cila, kudo që është duke qeverisur në nivelin lokal, po kryen punë dhe po e mban fjalën, për dallim nga dështimi i madh i Qeverisë në nivelin nacional – në të gjithë sektorët. Sikur në Gjilan,  Partia Demokratike e Kosovës po mobilizohet në secilën komunë të Kosovës, me njerëz të rinj, energji të reja e dashuri të madhe për vendin. Vizioni ynë për të ardhmen është i qartë: bashkë me qytetarët dhe për ta, të rikthejmë Kosovën në kursin e duhur të zhvillimit dhe integrimit”, shkruan Krasniqi në facebook.

Nga ana tjetër edhe Lumir Abdixhiku, kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka thënë se fitorja e LDK-së i duhet Kosovës sa më parë.

“LDK ka njerëz të ndershëm, patriotë, të dijshëm, të urtë por kokëfortë e insistues për fatin e popullit dhe të vendit tonë. Njerëz që gjejnë gjuhën e bashkë-komunikimit e unitetit shoqëror në Kosovë, e që marrin vendime të matura, të guximshme, historike sikurse të tri dekadave të shkuara”, ka thënë Abdixhiku.

Mirëpo, lidhur më këto deklarime ka folur për ‘Bota sot’, ish bashkëluftëtari i heroi të kombit, Sali Çekaj, Saim Tahiraj, njëherësh edhe njohës i rrethanave të fundit politike.

Image
Saim Tahiraj

Ai thotë se deklarimet e kryetarit të PDK-së Memli Krasniqi se PDK po rikthehet, të kryetarit të LDK-së Lumir Abdixhiku se fitorja e LDK-së i duhet Kosovës sa më parë, janë vetëm fontanë deshirash.

“Këtë mendim e them duke u bazuar në faktin se opozitarizmi i tyre është në nivelin më të ulët të veprimit. Siҫ duket sheshazi këto parti politike opozitare nuk janë të interesuara fare të shkojnë në zgjedhje të parakohshme, sepse nuk janë të përgatitura dhe po presin të përfitojnë në gabimet e Kryeministrit Kurti . Gjithashtu po presin në përfundimin e marrëveshjes me Serbinë dhe zbatimin e Asociacionit, e cila do jetë një çështje që kushdo që ta realizojë, do të humbë përkrahjen e popullit”, thekson Tahiraj.

Ai thotë poashtu se, në anën tjetër kemi një qeveri të dobët dhe mossukseset e saj në të gjitha fushat, po përpiqet t’i mbulojë me veprime të ndihmës sociale.

“Gjithashtu dështimet e saj në politikën ndërkombëtare po mundohet t’i mbulojë me akuza ndaj bashkësisë ndërkombëtare, pastaj duke e frikësuar popullin e Kosovës me kërcënimet e Serbisë për luftë në Kosovë. Mendoj se të gjitha këto veprime demagogjike, ende i beson votuesi i Albin Kurtit, me ndonjë ndryshim të vogël. Derisa votuesi "Analfabet Funksional", vazhdon t’i besojë mashtrimeve të mashtruesit të dekadës së fundit, nuk do ketë zgjedhje të parakohshme. Partia opizitare LDK, nëse dëshiron ta marrë pushtetin, duhet të ndërrojë strategjinë e veprimit të saj opozitar dhe të zgjohet nga kjo agoni në të cilën është katandisur”, vlerëson ai.

Tutje Tahiraj thotë se ‘të kthehet në shtratin e saj të origjinës; si parti e qendrës së djathtë, anëtare e Partive Popullore Evropiane, të cilat bazohen në kulturën, traditën dhe identitetin Evropian, të respektojë Kushtetutën e Republikës së Kosovës si një Shtet Laik dhe jo të jetë strehë e një Islami Politik’.

“Kujtojeni mirë rrugëtimin e LDK-së me në krye Presidentin Rugova dhe urgjentisht të ktheheni dhe të vazhdoni në atë rrugëtim. Vetëm ai rrugëtim e dërgon LDK-në në fitore të sigurt ”, vlerëson ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat