“Deklarata ‘bombë’ e Grenellit”, publicisti nga Gjermania ‘shpërthen’ ashpër ndaj tij – rikujton planet e Thaçit e Vuçiqit për ndarje të Kosovës!

Politika

“Deklarata ‘bombë’ e Grenellit”, publicisti nga Gjermania ‘shpërthen’ ashpër ndaj tij – rikujton planet e Thaçit e Vuçiqit për ndarje të Kosovës!

Nga: A.M. Më: 25 dhjetor 2023 Në ora: 14:10
Richard Grenell dhe Albin Kurti

Ish i dërguari i Donald Trump për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell po vazhdon luftën me kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurtin.

Së fundi, Grenell në një postim në platformën X, teksa i ka dalë hapur në krah presidentit serb, Vuçiq, derisa e ka quajtur “lider ekstremist i Kosovës” kryeministrin Albin Kurti.

“Unë po dëgjoj shumë prova që pretendojnë se të pavarurit dhe pensionistët në Serbi në fund votuan për SNS-në sepse Vuçiq e trajtoi shumë mirë liderin ekstremist të Kosovës, Albin Kurti. Kur komuniteti ndërkombëtar e dënoi Kurtin në mënyrë universale, atyre iu pëlqeu mënyra sesi Vuçiq e menaxhoi krizën dhe qëndroi mbi të. Më kujtohet se duhet të bëja presion ndaj Serbisë dhe Kosovës në mënyrë të barabartë kur Thaçi ishte President. Por me ardhjen e Kurtit në pushtet, situata ka dalë jashtë ekuilibrit. Kurti krijoi probleme dhe radikalizmi i tij ishte një çështje kryesore për këta votues”, shkroi Grenell, teksa komentoi zgjedhjet që u mbajtën në Serbi dhe fitoren e Vuçiqit.

Përveç kësaj, dihet publikisht edhe mbështetje e Grenellit për Thaçin, derisa edhe ka deklaruar se do bëj çmos për ta nxjerrë atë nga burgu.

Këto qëndrime të Grenellit pro Thaçit e Vuçiqi dhe kundër Kurtit, për gazetën “Bota sot” i komentoi publicisti nga Gjermania. Idriz Zeqiraj.

Së pari, ai deklaratën e fundit të Grenellit e cilësoi si “bombë”, derisa tha se qëllimi kryesor është fajësimi i Kurtit dhe mbrojtja e Vuciqit.

"Kosova ka nevojë përsëri për Thaçin në krye. Dhe, unë do të bëj çmos për ta nxjerrë nga burgu. Jemi në pritje të Trump-it president dhe kjo do të ndodhë", - deklaron, shpreson dhe beson Grenell. Po këtë pritje dhe besim e ka edhe Vuçiqi me Serbinë e tij fashizoide. Andaj po e prolongon, në pafundësi, dialogun e shpikur dhe të shpifur nga Hashim Thaçi, të proklamuar nga megallomanja Edita Tahiri, e cila, me vite mashtronte, me urdhër të padronit të saj, se "po bëjmë vetëm dialog teknik", por që rezultoi tërësisht politik.

Deklarata bombë e fundit e Richard Grenellit, se "fitorja bindëse e SNS, ka kontribuar se Vuçiq, ka menaxhuar krizën e krijuar nga lideri ekstremist, Albin Kurti", është vazhdë e deklaratave serike të tij, të cilat kanë qenë dhe mbetën ogurëzeza për Kosovën tonë. Kjo deklaratë, e cila shpërndanë mjergullë në opinion, gjithnjë me qëllime, paraprakisht, mirë të menduara, për ta justifikuar Serbinë dhe presidentin e saj, duke e bartur fajësinë tek Kosova dhe kryeministri i saj, Albin Kurti. Padyshim kjo deklaratë është dëshmi e qëndrimeve pro serbe dhe të aleatëve të Serbisë. Tashmë, ka fakte bazike se Grenell është më shumë se këshilltar i presidentit serb, është agjent me peshë i Beogradit”, deklaroi publicisti.

Krahas kësaj, Zeqiraj komentoi mos sanksionimin e shtetit serb për sulmin terrorist të 24 shtatorit, derisa kritikoi presionin që po i bëhet Kosovës për Asocaicacionin dhe 27 hektarët e Manastirit të Deçanit.

Image
Publicisti nga Gjermania. Idriz Zeqiraj.

“Kanë kaluar katër muaj nga sulmi terrorist, me shkelje të vrazhdë të sovranitetit, në veriun e Kosovës, respektivisht, në Banjskë të komunës së Zveçanit. Dhe, megjithatë, ende nuk është ndeshkuar Serbia zyrtare, bartëse e drejtëpërdrejtë e terrozizmit në territorin e Kosovës. Përkundrazi, ndodhi e papritura, Kosova u penalizua me sanksione ndërkombëtare, me akuzat e fabrikuara të grenellëve serbë dhe opozitës PAN-iste të Kosovës, e cila, sabah e aksham, shpif e denigron pozitën aktuale, krejt njëjtë si edhe Serbia!

Shqiptarët e Kosovës janë pykuar, padrejtësisht, para një dileme provokuese e sakatosëse. Ndërkombëtarët, si papagaj, përsërisin dy kërkesat, sa provokative, aq edhe hiç logjike, siç janë Asociacioni dhe faljen e 27 hektarëve tokë Manastirit të Deçanit, të cilat kurrë nuk i ka zotëruar. Për habi, kishat e këtyre ndërkombëtarëve as oborr nuk kanë, nga porta e kishës dalin në rrugën pronë publike. Ndërkohë, janë zemërgjerë me faljen e tokave shtetërore kishës. Shembulloj me kishën sipër qytetit të Istogut, e rrethuar, panevojshëm dhe padrejtësisht, me disa dhjetra hektarë tokë të pashfrytëzuar”, u shpreh ai.

Në vazhdim ai përmendi edhe tentativat prë ndarjen e Kosovës, ku këtë gjë e kishte konfirmuar edhe Grenelle më parë, duke thënë se po bashkë me Thaçin e Vuçiqin, po realizonin ndarjen e vendit.

Për këtë, Zeqiraj tha se duhet kërkuar llogari nga Franca.

“Shqiptarët janë fisnikë. Ata kurrë nuk do të jenë të padrejtë dhe mizorë, siç kanë qenë pushtuesit serbë me ne, shqiptarët. Përndryshe, do të bëhemi si ata. Jemi gati të pranojmë edhe një Asociacion të dytë, të minoriteteve së bashku me komunat, ku janë shumicë edhe minoritete tjera jo serbe, madje me një monitorim të përhershëm nga ndërkombëtarët. Por, kurrë një të tillë, siç është ky i hartuar në Beograd dhe Paris.

Kosova duhet t`i kërkojë llogari Francës, pse e rekrutoi agjentin e shantazhuar, me dosje të krimeve, për llogari të saj dhe të Serbisë. Duke qenë i shantazhuar, tradhtoi adheun-Kosovë, nën trysninë të KFOR-it francez, pranoi boshatisjen e veriut të Kosovës nga shqiptarët. Qëllimi ishte sa i qartë, aq edhe kriminal, spastrimin e shqiptarëve etnik nga trojet e tyre stërgjyshore. Grenelli pranon qëllimet e hershme serbe: "Me presidentin Thaçi dhe Vuçiq, po realizonim ndarjen e Kosovës"!” – shpjegoi publicisti.

Ndër të tjera, Zeqiraj tha se Thaçi e komandoi gjyqtaren për dhënien e tokës së Manastirit, ku këtë e cilësoi si tradhti dhe vendim kriminal.

“Hashim Thaçi, në vitin 2016, komandoi Gjykatën Kushtetuese, respektivisht, zonjat gjyqtare, për dhënien e 27 hektarëve tokë Manastirit të Deçanit. Presidenti serb Vuçiq, denoncoi Thaçin, duke treguar në ekranin televiziv, një fletë A4, vijëzimin e Hashimit, për një rrugë alternative, me devijimin e rrugës klasike ekzistuese prapa 27 hektarëve tokë rreth Manastirit!

Shoqata e Historianëve, "Ali Hadri", dega në Deçan, me kryetar Shkodran Imeri, i ka bërë thirrje drejtësisë, t`i arrestojë zonjat drejtuese të Gjykatës Kushtetuese dhe t`i hetojë, pse iu bashkuan tradhtisë së Thaçit, me vendimin kriminal, për bartjen e 27 hektarëve, nga tokë shtetërore, në pronë kishtare, përkatësisht, faljen Manastirit të Deçanit?! Megjithatë, kjo nuk po ndodh, sepse pushtetarët kanë frikë të ballafaqohen me të vërtetën, qoftë ajo edhe e hidhur. Problemet nuk zgjidhen me heshtje e retushime. Ashtu si sëmundja, që për t`u shëruar, nganjëherë kërkon ndërhyrje me bisturi dhe jo kurime anësore”, përfundoi Idriz Zeqiraj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat