Për të ndalur “konfliktet luftarake” mes shqiptarëve dhe serbëve, kjo është zgjidhja!

Politika

Për të ndalur “konfliktet luftarake” mes shqiptarëve dhe serbëve, kjo është zgjidhja!

Nga: A.SH Më: 28 dhjetor 2023 Në ora: 14:10
Foto ilustrim

I pari i Kuvnedit të Kosovës, Galuk Konjufca ka folur në një emision për bashkimin kombëtar.

Ai ka thënë se integrimi i shqiptarëve nuk mund të ndodhë duke i zhdukur dy shtetet tona.

“Nuk e di si mund të ndodhë. Është shumë vështirë dhe pak edhe paradoksale ne shekullin 21 me i zhduk dy shtete e me u bë një. Me gjithë këtë rregullim institucional e me gjithë këto çështje”, deklaroi Konjufca.

Ai përmendi edhe një tezë të veprimtarit Ukshin Hotit.

“Mendoj që teza e Ukshin Hotit ka qenë plotësisht reale dhe shumë aktuale është sot, kur thotë që ‘hapi më i madh i bashkimit të Shqipërisë me Kosovën do të jetë kur Kosova të bëhet republikë’, kur ta ketë të drejtën e vetëvendosjes, dhe e drejta e vetëvendosjes për Kosovën e çliron kombin shqiptar, e çliron popullin e shtypur të shqiptarëve, dhe kjo pastaj futet në marrëdhënie të lira e të drejtpërdrejta me Republikën e Shqipërisë”, shtoi ai.

Juristi dhe njohësi i çështje politike, Muhamet Kelmendi në një prononcim për “Bota sot” ka thënë se e vetmja zgjidhje mes Kosovës dhe Serbisë, është përcaktimi i kufijëve.

Sipas tij, Kosova duhet ta marrë Luginën e Preshevës duke dhënë disa pjesë të Leposaviqit dhe të Zubin Potokut, kështu shqiptarët të vendosin vet për të ardhmen e tyre.

“Çështja e përcaktimit të kufijëve përfundimtar midis shqiptarëve dhe serbëve është zgjidhja më e mirë dhe e domosdoshme për paqen. Kufijtë e kombit shqiptar shkojnë shumë thelle në Serbi. Mirëpo, mbështetur në popullin që e jeton vendin, mbetet që për bazë të merret populli dhe e kaluara historike e kufirit shqiptaro - serb. Marrëveshjet midis Kosovës dhe Serbisë, në aktualitetin e zgjidhjeve aktuale, nuk është i pranueshëm. Mendohet se kështu vetëm konflikte luftarake do të ketë midis shqiptarëve dhe serbëve. Kosova e do Luginën e Preshevës, pa lëshuar Trepçën, Mitrovicën si tërësi dhe liqenin e Ujmanit. Serbia synon pushtimin e tërësishëm të Kosovës apo ndarjen.

Këto dy koncepte janë në luftë të vazhdueshme. Nuk po largohen kurrsesi nga raportet shqiptaro - serbe. Është koha, sidomos tash, kur Marrëveshja e Brukselit dhe aneks marrëveshja e Ohrit, të sponzoruar nga UE e SHBA, nuk po gjejnë zbatim. Palët kanë qëndrime të kundërta. Këtej, lypset të dilet me qëndrim tjetër, me atë të tërheqjes së kufijeve të ri midis shqiptarëve dhe serbëve. Në kuadër të kësaj, i takon Kosovës të paraqet planin për marrëveshje te re shqiptaro-serbe. Kjo, pavarësisht vullnetit dhe pikëpamjeve të të tjerëve.

Shqiptarët kërkohet të vendosin vetë për të ardhmen e vet.

Këtu mendoj në bashkimin e tërë Luginës së Preshevës me Kosovën, duke dhënë pjesë të Leposaviqit dhe të Zubin Potokut, në shkëmbim me Preshevën, me Bujanovcin dhe me Medvegjën.

Në fakt këtu ka qenë kufiri deri në vitin 1945 kur u pushtua dhe u nda Lugina dhe në vitin 1956 kur u bë shkëmbimi midis Luginës dhe pjesëve të Zubin Potokut e të Leposaviqit”, potencon ai.

Kurse, në anën tjetër ai thotë se duhet duhet të punohet për bashkimin me Shqipërinë.

Ai shton, se për sa kohë çështja shqiptare është e ndarë dhe e copëtuar, konfliktet janë të paevitueshme në Ballkan, andaj edhe duhet të veprohet që shqiptarët të bashkohen në një shtet me Shqipërinë.

Këtej, të ecet pastaj në bashkimin me Shqipërinë, si pjesë të barabarta dhe me sistem federal të organizimit të shtetit të Shqipërisë.

Nuk ka kohë më për të pritur dhe për të kënaqur intetesat e të tjerëve. Nuk duhet të pritet klika e Beogradit dhe as qëndrimet e kundërta, si bazë për t’u frikësuar. Qëndrimi duhet të mbështetet në interesin e kombit shqiptar dhe të paqes në Ballkan. Natyrisht se ky ripërcaktim i kufirit me Serbinë është edhe në favor të shtetit serb, sepse merr fund konflikti shekullor me shqiptarët për territore dhe i kthehen qytetarët serb jetës normale, e jo të konfliktit luftarak.

Në kuadër të bashkimit me Shqipërinë, nuk duhet të shkohet në federatë me emër Kosovë. Bashkimi kërkohet të bëhet me emrin Dardani që tërheq edhe flamurin e njësisë federative të Dardanisë si pjesë e Shqipërisë. Flamuri kombëtar mbetet i njejtë. Zgjidhja e tillë hap mundësi që kjo pjesë e Evropës të stabilizohet dhe të marrë rrugën e intergrimeve euro-atlantike.

Sa kohë që çështja shqiptare është e ndarë dhe e copëtuar, konfliktet janë të paevitueshme në Ballkan. Ballkani kërkon një politikë të re të mbështetur në histori dhe në aktualitet të vendit e të popujve. Shqiptarët kërkohen të bashkohen në një shtet me Shqipërinë. Vetëm kështu sigurohet paqeja”, përfundon ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat