Pse iu hoq urdhërarresti Radoiçiqit? Kërkohen sqarime dhe komentohet mundësia e ekstradimit!

Politika

Pse iu hoq urdhërarresti Radoiçiqit? Kërkohen sqarime dhe komentohet mundësia e ekstradimit!

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 1 janar 2024 Në ora: 22:31
Milan Radiqiqi

Milan Radoiçiq është prijës i grupit kriminal terrorist në sulmin që ndodhi në Banjskë të Zveçanit. 

Ajo çfarë doli në pah ditëve të fundit është heqja e urdhër-arrestit ndaj tij. 

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Blerim Isufaj ka konfirmuar se kishte dhënë pëlqimin për heqjen e urdhër-arrestit ndaj Milan Radojiçiqit, duke shtuar se nuk mund t’i bëjë publike arsyet për shkak të hetimeve. Ai ka thënë se urdhër arresti pastaj është rikthyer dhe po vazhdojnë hetimet. 

“Unë e kam dhënë pëlqimin. Arsyet nuk mund t’i bëj publike. Këto janë çështje të ndjeshme, janë çështje të hetimit”. 

E për këtë ka pasur reagime të shumta.  

Vet kryeministri i Kosovës, Albin Kurti para gazetarëve kishte shprehur habinw se si është e mundur që Milan Radojiçiq e pranon që e ka kryer krimin e nuk ka aktakuzë 

“Nuk e di a e ndani edhe ju me mua habinë se si është e mundur që Milan Radojiçiq e pranon që e ka kryer krimin e nuk ka aktakuazw. Unë besoj se as nuk nuk ka nevojë të kryhet fakulteti juridik e as nuk ka nevojë me bë Bachelor, Master apo PhD dhe as nuk ka nevojë me qenë as gjyqtar e prokuror por vetëm arsyeja e shëndoshë normale e qytetarit të Kosovës e identifikon një absurditet të tillë. Informacionin që e ka sjellë AKI, Policia e Kosovës dhe ju si gazetarë në Banjskë është enorm. Ndërkaq shumica e qytetarëve të Kosovës nuk ja dinë emrin prokurorit që mirret me rastin e Banjskës në Zveçan”. 

Burjani: Kosova duhet të kërkojë nga BE që të ushtrojë edhe më tutje presion 

Image
Blerim Burjani

Juristi Blerim Burjani, në një përgjigje për “Bota sot”, ka thënë se nëse ka pasur ndërhyrje politike, e keqja e kësaj është se as Serbia nuk do ta ekstradojë Radojiçiqin fare. 

“Dikur ka pas ndërhyrje politike, dhe kjo ishte shumë e dëmshme, urdhër-arresti duhej të ishte në mënyrë kontinuale, deri në arrestim, e keqja është se Serbia as tash nuk do ta ekstradojë fare, kjo trimëron njerëz dhe grupe terroriste serbe. 

Kosova duhet të kërkojë nga BE që të ushtrojë edhe më tutje presion”, përfundon ai. 

Bajraktari: Veprimet e organeve ligj-zbatuese duhet me qenë në pajtim dhe të mbështetura në ligj 

Image
Ardian Bajraktari

Avokati Ardian Bajraktari, për “Bota sot”, thotë se heqja e një urdhër-arresti janë veprime të cilat kanë procedura ligjore se si dhe kur mund të bëhen, duke shtuar se edhe opinioni publik meriton sqarime rreth kësaj çështje. 

“E para duhet krijuar klimën dhe mendësinë që organeve të drejtësisë duhet besuar. Por, besimi duhet edhe të ndërtohet kur ato janë më transparente dhe llogaridhënëse në raport me publikun.  

Në secilin rast, e aq më tepër kur behët fjalë për raste të ndjeshme, veprimet e organeve ligj-zbatuese duhet me qenë në pajtim dhe të mbështetura në ligj.  

Heqja e një urdhër-arresti, si njëra nga masat për sigurimin e prezencës së të pandehurit në procedurë, ashtu sikurse vendosja e tij, janë veprime të cilat kanë procedura ligjore se si dhe kur mund të bëhen, publiku meriton më shumë sqarime për rrethanat se pse është hequr urdhër-arresti ndaj Radojiçiqit”, përfundon ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat