Alarmi nga Serwer/ “Në Bosnje do të shpërthejë...”, ky është skenari që Vuçiq mund ta përdorë në Kosovë

Politika

Alarmi nga Serwer/ “Në Bosnje do të shpërthejë...”, ky është skenari që Vuçiq mund ta përdorë në Kosovë

Nga: P.Rudi Më: 5 janar 2024 Në ora: 15:12
Aleksandar Vuçiq dhe Albin Kurti

“Presidenti Vuçiq e di, pasi ai i ka shkaktuar konfliktet e fundit. Nëse ai thotë se do të ketë më shumë konflikte, do të ketë më shumë”. Ky është paralajmërimi që ka dhënë eksperti i njohur amerikan për Ballkanin në Universitetin Johns Hopkins, Daniel Serwer për presidentin serb, Aleksandër Vuçiq.

E lidhur me këtë paralajmërim nga Serwer ka folur për “Bota sot” profesor, doktor Enver Bytyçi.

“Daniel Serwer gjithnjë ka qenë dhe mbetet një zë i spikatur për analizën dhe parashikimin e zhvillimit të ngjarjeve në rajonin e Ballkanit Perendimor, sidomos në raportet Kosovë-Serbi. Ai është një njohës i shkëlqyer i këtyre zhvillimeve dhe për këtë arsye duhet marrë gjithnjë seriozisht jo vetëm nga autoritetet e Kosovës, por edhe nga palët e interesuara në bashkësinë ndërkombëtare. Konstatimi i tij se “Ky vit (2024) do të sjellë më shumë konflikte” në rajonin tonë është objektiv dhe i bazuar në gjendjen dhe aktivizimin e aktorëve rajonalë”, shprehet Bytyçi.

Image
Prof. Dr. Enver Bytyç

Sipas tij, Aleksandër Vuçiq po etiketohet më në fund si problemi dhe nxitësi i konflikteve në rajonin e Ballkanit.

“Serbia duket se nuk heq dorë nga partneriteti strategjik me Rusinë dhe aleanca me të, në funksion të realizimit edhe të qëllimeve të saj për destabilizimin e rajonit. Janë disa tregues që e provojnë këtë hipotezë, sipas së cilës rajoni i Ballkanit vijon të jetë një vatër krize edhe pse kanë kaluar gati tri dekada që kur Jugosllavia u shpërbë. Gjithçka buron nga aleanca tradicionale Beograd-Moskë. Dhe kjo aleancë, në vend të dobësohet, vazhdon të forcohet”, shprehet Bytyçi, sipas të cilit, atë çka e tha Serwer e dëshmoi edhe Ivica Daçiq.

“Se Daniel Serwer ka të drejtë, këtë e provoi edhe deklarata e ministrit të Jashtëm të Serbisë, Ivica Daçiç, kur paralajmëroi reagim të fortë kundër deklaratave të ministrit Britanik të Punëve të Jashtme gjatë vizitës në Prishtinë në mbështetje të Kosovës. Pra kemi dy pole kundërshtuese: - Nga njëra anë Britania e Madhe, SHBA dhe BE, të cilat në përgjithësi mbështesin shtetësinë dhe pavarësinë e Kosovës dhe autoritetet e Beogradit, të cilat vazhdojnë të pretendojnë sovranitetin e Serbisë mbi Kosovën. Kjo kumdërshti prodhon konflikt në rajon dhe sa kohë që nuk Serbia nuk do ta njohë Kosovën shtet të pavarur e sovran, aq kohë skenarët e konfliktit dhe destabilitetit mund të vihen në veprim”, deklaron profesor Bytyçi.

Por a rrezikohet Kosova nga një ndërhyrje ushtarake serbe?

“Por e kam thënë edhe më parë, është vështirë që Serbia të operojë me metoda klasike të përdorimit të ushtrisë për pushtime në rajon. Nuk pres që ajo të veprojë me ndonjë sulm ushtarak as kundër Kosovës. Kjo metodë e bën Serbinë që ditën e parë përgjegjëse dhe agresore. Që do të thoshte ndërhyrje e menjëhershme të NATO-s kundër saj. Ndërhyrjen e NATO-s Beogradi e ka provuar para 25 viteve. Vështirë që ky brez, i cili rikujton çdo vit në detaje bombardimet e Aleancës në pranverën e vitit 1999, të tundohet të bëjë të njëjtin veprim dhe të njëjtin gabim. Në fund të fundit këtë donte të thoshte presidenti Vuçiq, kur para pak vitesh thoshte se “Milosheviç kishte qëllime të mira e të pastra, por zgjodhi mjetet e gabuara për të arritur atë qëllim”!”, thekson Bytyçi.

“Për të gjitha arsyet e mësipërme pritet që Beogradi të provokojë trazira, të ndërmarrë akte terroriste edhe si ai i 24 shtatorit në Banjskë të Zverqanit, të ndezë revolta te serbët e Kosovës etj. Unë pres që Kisha Ortodokse të përdoret më shumë në vatrat e mundshme të krizës, sidomos në Mal të Zi, por edhe në Kosovë e Maqedoninë e Veriut. Ndërsa në Bosnjë-Hercegovinë do të përdoret taktika e mbështetjes së Milorad Dodik për ta shkëputur Republikën Srpska prej këtij shteti Dayton-ian. Nëse ndodh shkëputja e Republikës Srpska lufta do të rishpërthente në Bosnje Hercegovinë. Kjo edhe për faktin se serbët e BH i shpërblyen në Dayton me gjysmën e sipërfaqes së këtij vendi, në këmbim të dakordësisë së tyre për të krijuar federatën boshnjake”, shpjegon profesor Bytyçi.

Ai thotë se Vuçiq do përpiqet që edhe në Kosovë e Mal të Zi të përdorë të njëjtin skenar si në Bosnje.

“Tani, serbët në Bosnjë, pasi morën gjysmën e sipërfaqes për 1/3 e popullsisë së këtij vendi, duan ta shfrytëzojnë me pabesi këtë avantazh për të përfituar territore që i morën me dredhi. Kjo do të çojë në konflikt të detyrueshëm midis serbëve dhe myslimanëve. Ndërkohë oficerët dhe ushtria serbe do të shkojë në ndihmë të Dodik, por jo në mënyrë zyrtare. Do të thuhet se “janë vullnetarë serbë që luftojnë kundër myslimanëve”! Vuçiq përpiqet që edhe në Kosovë e Mal të Zi të përdorë të njëjtin skenar. Të ndez konflikt të brendshëm, të cilin ai mund ta quajë luftë civile. Për këtë arsye institucionet e Kosovës duhet të jenë të kujdesshme. Në fakt nuk është aq e lehtë që në një vend si Kosova, ku popullsia është homogjene po aq sa në Gjermani dhe kompakte me shqiptarë, të ndizet konflikt etnik civil”, nënvizon Bytyçi.

“Nuk ndodh që një etni që përfaqëson vetëm 5 përqind të popullsisë së përgjithshme të shkaktojë luftë civile. Megjithatë trazira mund të krijohen. Ajo punë që është bërë për shtrirjen e sovranitetit të shtetit në veri të vendit duhet të vazhdojë e të çohet deri në fund. Por kam përshtypjen se në enklavat e tjera serbe në jug të Ibrit, si Graçanica ose Shtërpca, ka një potencial të akktivizimit të ekstremizmit e terrorizmit serb. Pavarësisht këtyre rreziqeve, nëse autoritetet e Kosovës, shërbimet e sigurisë, policia dhe të tjera agjenci do të jenë në nivelin përgatitjes si në Banjskë, gjithçka do të dështojë. Duhet kujdes, por unë nuk shoh se ka nevojë që njerëzit në Kosovë të jetojnë në panik!”, përfundon për “Bota sot” profesor, doktor Enver Bytyçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat