Zgjedhje të reja?/ Zeqiraj: Nuk do të jenë më të mira subjektet që ishin një linjë me Hashimin, Edvin Ramën, Vuçiqin dhe aleatët e tij

Politika

Zgjedhje të reja?/ Zeqiraj: Nuk do të jenë më të mira subjektet që ishin një linjë me Hashimin, Edvin Ramën, Vuçiqin dhe aleatët e tij

Nga: H.O. Më: 13 janar 2024 Në ora: 20:02
Ilustrim

Veprimtari dhe njohësi i ҫështjeve politike, Idriz Zeqiraj në një prononcim për ‘Bota sot’ ka treguar nëse viti 2024 do të jetë viti i zgjedhjeve të reja. Ai thotë se me gjithë ‘kërkesën korale të opozitës aktuale, për zgjedhje të parakohshme, siç duken "bathët e priftit", nuk e besoj që do të kemi zgjedhje së afërmi. Opozita e dobët, e çakorduar, që bartin fajësinë e madhe të rrënimit të gjithçkaje në Kosovën tonë, deri në tjetërsimin e pjesëve të territorit tokësor, që, pamëdyshje, është konsumuar elementi i tradhtisë’.

“Pikërisht, për këtë arsye ata janë kërkues të mëfshtë, dyshues në fitore, dhe, edhe pse zhurmojnë, nuk duket se e kanë me gjithë mend kërkesën për zgjedhje, sepse nuk besojnë në fitore. Pra, opozita, në këtë çështje është realiste, "ia dinë hallin vetës", sepse nuk ka bërë asgjë të mirë për Kosovën dhe popullin e saj. PAN-in e përcjellë, madje deri në varr, barra e rëndë e krimeve pilitike. Dihet, jo të gjithë janë vrasës, por militimi në një parti të krimit, gjithësesi, të bënë pjesë të krimit. Partitë-banda, PDK, AAK, NISMA, pjesë e koalicionit PAN, të cilat për një çerek-shekulli, krerët, kryesitë e tyre dhe kuadrot militantë partiakë, vazhdojnë të zvarritën, me dozën bazike të bërjes së krimeve apo të aprovimit të tyre, një shtet i mirëfilltë ligjor, do të kërkonte ose reformimin e thellë, duke i larguar nga partia të inkriminuarit e saj, ose do ta shpallte subjektin partiak të paligjshëm, duke ia ndaluar përjetësisht aktivitetin politik”, vlerëson Zeqiraj.

Image
Idriz Zeqiraj

Ai tutje thekson se, për ndryshim nga partitë e PAN-it, të cilat "nuk kanë lëvizur nga "istikami", llumpen-komunist, nuk kanë bërë asnjë reformë dhe asnjë ndryshim kuadrosh drejtues, ndërsa "djathtizmin" e kanë reklamë dhe "idol" neokomunistin e rreshkur, pinjollin e "Bllokut të Zi" të Tiranës, Edvin Ramën, LDK ka filluar reformat dhe ka bërë ndryshime domëthënëse në strukturë, duke i "pensionuar" disa nga argatët e Isa Mustafës, të cilët u bënë patericë e Hashim Thaçit dhe të PAN-it të tij.

“Pavarësisht se dominoi aklamacioni në Kuvendin e 10-të, si kancer i demokracisë, vrojtuesit e vëmendshëm, me disa rezerva, kanë pasur mirëkuptim për kryetarin Lumir Abdixhiku, ngaqë stërkeqja e LDK-së ka qenë bizare, madje e qëllimshme. SHIK-u ishte infiltruar në strukturat vendimmarrëse të partisë. Dhe, kuadri partiak, në qendër dhe bazë, ishte stazhionuar dhe burokratizuar, sepse "peshku qëlbët në kokë". Megjithatë, reforma konsiderohet gjysmake, sepse pesha e fajësisë, nuk lejon tolerancën pakufi. Përjashtimet nuk janë të shëndetshme, por, spostimet dinamizojnë, sidomos bazën e partisë. Paraqitja në Kuvend, në Konventë, por edhe prezenca në intervistimet televizive, kanë qenë mbushamendëse, jo vetëm për partinë, por edhe për opinionin e  pavendosur. Realisht, nga opozita aktuale, rreth PAN-it, përfshi edhe zhurmaxhiun, ose "teneqen e shpuar", Dardan Molliqaj, argat i PAN-it dhe i SHIK-ut -njëherësh, Kosova nuk mund të presë asgjë të mire”, tha ai.

Veprimtari Zeqiraj thotë se, e vetmja forcë politike, që mund të bëhet një konkurente dinjitoze, për zgjedhjet e ardhshme, mund të jetë LDK-ja. Por, ajo që vazhdon ta penalizojë LDK-në, është pjesëmarrja e klanit Mustafa, në disa procese të dëmshme për Kosovën.

“Vërtet, vendimet janë marrë në emër të partisë, pa përfillur asnjë nga strukturat e saj, por mos reagimi i kuadrove, karshi aventurizmit të një kryetari, i cili dyshohet të jetë katapultuar nga SHIK-u kriminal, nuk i amneston nga fajësia, qoftë edhe me heshtjen e tyre. Thonë se "e kaluara nuk mund të blihet". Kryetar Lumiri duhet ta gëzojë mbështetjen e anëtarësisë dhe e meriton këtë. Por, edhe duhet t`i zgjidhë disa dilema të anëtarësisë. T`i rishikojë disa ngritje artificiale dhe t`i afrojë disa kuadro, të cilët ende mund ta ndihmojnë LDK-në”, thekson ai.

Megjithatë, Zeqiraj thotë se vazhdimi i mandatit, deri në përmbylljen të tij, i partisë në pushtet, është shumë më i shëndetshëm, se sa çfarëdo zgjedhjesh të parakohshme.

“Konspiracionet rreth figurës së Kurtit, të stisura dhe të shpifura, nga kriminelë -me patentë-, nuk duhet besuar. Nuk mund ta bëjnë më mirë dhe më sigurtë dialogun me Serbinë, ato subjekte politike, që ishin në një linjë me Hashimin, Edvin Ramën, Vuçiqin dhe aleatët e tij”, vlerëson ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat