“Ku je se pa ardhë me t’kallë nuk kam me e lanë” - Atentatorët e Gazmend Halilajt ‘falen’ nga Gjykata, kështu reagon Naim Miftari, përmend Sami Lushtakun

Politika

“Ku je se pa ardhë me t’kallë nuk kam me e lanë” - Atentatorët e Gazmend Halilajt ‘falen’ nga Gjykata, kështu reagon Naim Miftari, përmend Sami Lushtakun

Nga: N. Shaqiri Më: 29 janar 2024 Në ora: 22:30
Sami Lushtaku dhe Gazmend Halilaj

Sot Gjykata Themelore në Prishtinë ka dënuar sa ‘për sy e faqe’, të akuzuarit për tentim vrasjen e avokatit nga Drenasi, Gazmend Halilaj.

Dy të akuzuarit për tentim vrasjen e avokatit Halilaj, Xhelal Zeqiri dhe Ibrahim Lushtaku u shpallën fajtorë dhe u dënuan nga Gjykata.

Xhelal Zeqiri është dënuar me tri vite burgim, ndërsa Ibrahim Lushtaku është dënuar me 2 vite e 5 muaj burgim.

Pas këtij dënimi, sot ka reaguar edhe vet avokati Gazmend Halilaj, ku tha se, Gjykata është duke i nxitur njerëzit që të kryejnë vrasje të rënda.

“Gjykata po i nxit njerëzit për të kryer vrasje, madje vrasje të rënda”, tha Halilaj.

I pyetur nëse do ta apelojë vendimin, avokati nga Drenasi është përgjigjur: “Po te kush? Te Valdete Daka? Ajo thotë se aksident ka qenë”.

Për këtë dënim, ka reaguar edhe ish-eprori i lartë i UÇK-së dhe ish-agjenti i SHIK-ut, Naim Miftari.

Miftari ka kritikuar sistemin e drejtësisë në Kosovë për këto dënime të vogla, duke shtuar se kështu nuk ndodh as në Meksikë e Kolumbi.

“Një jetë e njeriut në Kosovë, që veç fati dhe Zoti e shpëtuan sipas Gjykatës, Prokurorisë dhe Policisë, kukulla të Pronto akademisë të Adem Grabovcit (PDK), i kushton njërit tri vite burg, tjetrit 2 vite e 5 muaj, kurse organizatori dhe urdhërusi i vrasjes që mbet në tentativë dënohet 2000 euro, kjo nuk ndodh as në Meksikë e Kolumbinë e karteleve të kokainës”, thotë Miftari.

Ai shprehet se atentati ndaj avokatit Halilaj ishte i filmuar nga kamerat e sigurisë, dhe pyet se si është e mundur të shqiptohen dënime të tilla, ku përmend edhe Sami Lushtakun si urdhërues të këtij atentati.

“Kur është pa gjithçka në kamera si është e mundur, ndoshta është e munduar pasi Sami Lushtaku që ka dhënë urdhër dhe këta dy të tjerët të dënohen kaq pak, edhe pse pamjet duken qartë por prokurorët dhe gjyqtarët, kukullat nga akademia e Adem Grabovcit nuk e dënojnë haverin e tij Sami Lushtakun”, potencon Miftari.

Madje Miftari kritikon edhe Qeverinë Kurti, që sipas tij ka dështuar ta pastrojë sistemin e drejtësisë në Kosovë.

“Turpi i radhës, prandaj qeveria Kurti dështoi dhe përveç suksesit e zbatimit të ligjit në veri të Kosovës, në shumë drejtime tjera dështoi plotësisht, sidomos dështoi që nuk pat fuqi me e pastru “Drejtësinë në Kosovë”, drejtësi e kapur këmb e krye nga korrupsioni dhe krimi i organizuar i PDK-së, LDK-së dhe AAK-së”, përfundon Naim Miftari.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë, para se të shpallte aktgjykimin dënues të hënën, bëri rikualifikimin e veprës penale nga vrasja e rëndë në tentativë, në vrasje në tentativë.

Dy të akuzuarit janë dënuar edhe me nga një mijë euro gjobë secili për veprën penale të asgjësimit të pasurisë, dhe me nga një mijë euro të tjera për veprën penale të armëmbajtjes pa leje.

Sipas aktakuzës së ngritur më 21 tetor 2020 pasi që i dëmtuari avokati Gazmend Halilaj, më 11 prill 2020 kishte postuar një shkrim në “Facebook” kundër Sami Lushtakut, i akuzuari Ibrahim Lushtaku, me qëllim të hakmarrjes ndaj Gazmend Halilajt, së bashku me Xhelal Zeqirin më 14 prill rreth orës 15:50 në rrugën “Muhamet Gashi” në Gllogoc, në hyrje të rrugës i kanë zënë pritë te shtëpia e tij.

Prokuroria pretendon se i akuzuari Ibrahim Lushtaku me veturën “Mistubishi”, posa ka ardhur i dëmtuari Gazmend Halilaj me veturën “Nisan Qashqai” e ka goditur veturën e të dëmtuarit Halilaj duke e detyruar atë të dalë nga vetura e tij.

Sipas prokurorisë, pasi Halilaj është goditur nga vetura e të akuzuarit Lushtaku, ka dalë nga vetura e tij dhe ka filluar të ikë për t’iu shmangur sulmit.

Në atë moment të akuzuarit kanë dalë me armë nga vetura, duke shtënë në drejtim të të dëmtuarit por nuk kanë arritur ta qëllojnë pasi ai kishte hyrë në një lokal.

Ndërsa Sami Lushtaku akuzohej se më 11 prill, pasi e ka lexuar postimin e Gazmend Halilaj në Facebook që kishte të bënte me keqpërdorimin e 1.4 milion eurove në kohën e luftës, e kishte thirrë në Viber të dëmtuarin Gazmend Halilaj duke e kanosur dhe kishte kërkuar nga ai që t’i fshijë ato shkrime.

Aktakuza thotë se Lushtaku e kishte sharë, fyer dhe me qëllim të frikësimit e ka kërcënuar me fjalët “ku je se pa ardhë me t’kall nuk kam me e lanë” me ç’rast tek i dëmtuari ka shkaktuar frikë dhe ankth.

Po ashtu Ibrahim Lushtaku dhe Xhelal Zeqiri akuzohen se nga data e panjohur e deri më 22 prill, pa lejen e organeve kompetente, kanë mbajtur pistoletat e tipit “Ekol” të kalibrit 9 mm dhe “Crvena Zasatava” të kalibrit 9 x.     

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat