Presioni për pezullimin e vendimit të dinarit: E drejta në anën e Kosovës, s’ka kthim mbrapa!

Politika

Presioni për pezullimin e vendimit të dinarit: E drejta në anën e Kosovës, s’ka kthim mbrapa!

Petrit Rudi Nga Petrit Rudi Më 12 shkurt 2024 Në ora: 14:47
Albin Kurti dhe Aleksandar Vuçiq

Edhe në seancën e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Kosova dhe Serbia u përplasen për çështjen e dinarit, ku tema e diskutimit dhe debati ishte vendimi i Bankës Qendrore të Kosovës për të heq nga qarkullimi tregtar dinarin serb.

Përplasja pra ishte për monedhën që përdoret në Kosovë. Ambasadorët e vendeve mike anëtare të BE-së, ashtu si më parë, kërkuan që ky vendim i BKQ-së të mos zbatohet. Arsyetimi ishte që minoriteti serb në Kosovë të ketë mundësi të zhvillojë tregti dhe biznes me monedhën e Serbisë. Ndërkohë që të lehtësohen ndihmat që serbëve u vijnë nga ana e Serbisë

Por, pavarësisht kësaj, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, nuk ka dhënë shenja se mund të ndodhë një gjë e tillë.

Po ashtu, edhe analistët politikë thonë se Kurti dhe Kosova nuk duhet të dorëzohen pavarësisht presioneve ndërkombëtare.

E drejta në anën e Kosovës

Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, doktor Enver Bytyçi, thotë për “Bota sot” se e drejta është në anën e Kosovës, e cila vetëm po respekton kushtetutën e saj.

“Seanca në Këshillin e Sigurimit të OKB-së e së enjtes së shkuar kërkuar nga presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq ishte një duel i radhës midis Kosovës dhe Serbisë sa i përket të drejtës. Aty u ballafaquan dy liderët kryesorë të të dy vendeve. Ishim mësuar të shihnim zonjën Gërvalla dhe Daçiq të ballafaqoheshin me të vërtetat e Kosovës dhe kontestimin e tyre nga ana e Beogradit. Kësaj radhe në “duel” ishin Kurti dhe Vuçiq. Por a do ishte gjithashtu logjike dhe racionale që në Kosovë të funksionojë kushtetuta dhe të zbatohet ajo?! Sigurisht që po. Në fund të fundit vendet perëndimore, mike të Kosovës, janë vetë hartueset e asaj kushtetute, ashtu sit ë himnit e flamurit të saj. Tani, pas 16 vitesh dalin e thonë, “Jo nuk është mire dhe nuk është e udhës të zbatohet kushtetuta e vendit”! Sikur Kosova të kishte vënë veton dhe të hartonte një kushtetutë tjetër, më të favorshme për shqiptarët shumicë dërmuese në Kosovë, euro-amerikanët ndoshta moralisht do të ishin të justifikuar kur t’i kërkonin asaj mos zbatimin e disa prej neneve të saj, ose ndryshimin e tyre. Por nuk ka ndodhur kjo”, shprehet Bytyçi.

Image
Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, doktor Enver Bytyçi

Sipas tij, liderët politikë të Kosovës, bazuar në rekomandimet e Martti Ahtisaarit, respektuan me përulje çdo këshillë të sponsorëve të pavarësisë.

“Madje ata hoqën dorë edhe nga flamuri dardan, megjithëse nuk kishte aspak të bënte me flamurin e Shqipërisë. Nejse flamuri dardan u kontestua edhe nga komandantët e luftës, thjesht pse ai flamur u ideua nga presidenti historik i Kosovës, Ibrahim Rugova! Punë ambiciesh prej shqiptarësh është kjo! Një turp gjithashtu u pajustifikuar dhe i padëgjuar”, deklaron Bytyçi për “Bota sot”.

Por a duhet respektuar kushtetuta dhe ligji në Kosovë, apo duhet toleruar sovraniteti serb në këtë vend?

“Qeveria Kurti dhe institucionet e tjera të shtetit të sotëm të Kosovës janë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Miqtë tanë vazhdojnë prej 16 vitesh të reagojnë kundër çdo përpjekjeje për respektimin e lirisë, pavarësisë dhe shtetësisë në Kosovë. Nuk e di pse! Se “nuk duan konflikt”?! Po kush e bën konfliktin? Natyrisht Serbia, prapa së cilës qëndron Rusia. Atëherë na del se Perëndimi i bën lëshime në këtë rast jo vetëm Serbisë, por edhe Rusisë. Pse? Nga frika? Nuk e besoj këtë. Për mua ka një skenar shkëmbimesh në procesin e paqe bërjes në Ukrainë. Duan që pavarësia e plotë as de facto të mos vendoset para se të marrë fund konflikti i Ukrainës. Çfarë mund të shkëmbehet? Të shohim. Këtu do jemi. Por ka një skenar. Se cili është ky skenar, do ta zbulojë koha në afatmesëm”, shpjegon profesor Bytyçi.

E në këto kushte çfarë i mbetet Kosovës të bëjë?

“Asgjë më shumë se të respektojë deklaratën e pavarësisë të paraqitur nga Thaçi, por që ishte realizuar në bisedimet për statusin e Kosovës nga ana e presidentit Fatmir Sejdiu. De facto pavarësia e Kosovës u shpall në Tiranë nga George Ë. Bush dhe u nënshkrua në planin Ahtisaari nga Fatmir Sejdiu. Pra qeveria, presidentja dhe çdo politikan në Kosovë duhet të respektojë ligjin dhe kushtetutën. Të shpallin hapur se kur është fjala për këtë nuk bëjnë asnjë lëshim. Lëshimi mund të jetë për një kohë shumë të shkurtër, me qëllime praktike, por jo strategjike. Edhe opozita duhet të flasë me këtë gjuhë. Edhe Shqipëria gjithashtu. Çdo justifikim në emër të miqve është intrigë e atyre politikanëve shqiptarë që nuk duan konsolidimin e shtetësisë”.

“E vërteta është se qeveria Kurti ka bërë shumë në këtë drejtim. Nuk po rendis arritjet e sukseset e saj, sepse tashmë ato dihen. Por Kosova nuk është në mbarim të rrugës për të rivendosur plotësisht sovranitetin shtetëror në çdo kapilar të shoqërisë e çdo cep të territorit të saj. Heqja e dinarit serb nga qarkullimi është njëra prej pengesave. Edhe sa i përket funksionimit të shtetit të së drejtës dhe luftës kundër kriminalitetit e informalitetit”, shton Bytyçi.

Siç thotë ai, miti i “dëgjueshmërisë” së përditshme të ndërkombëtarëve duhet thyer.

“Ndërkombëtarët kanë çdo ditë probleme me rajone e shtete të ndryshme. Kosova nuk duhet të shërbejë pafundësisht si monedhë tregu në marrëveshjet dhe pazaret e tyre. Nëse jeta e dhjetëra mijë shqiptarëve të sakrifikuar për lirinë, pavarësinë dhe shtetësinë e Kosovës nuk paska qenë e mjaftueshme për këtë, atëherë ndoshta duhet të përgatitemi për sakrifica të tjera. Frika për sakrifica është atribut i atyre politikanëve që kanë vënë pasuri me politikë dhe kanë frikë në fakt se e humbin atë pasuri! Prandaj dalin e flasin sikur janë „engjëjt“ e paqes! Por të një paqeje e cila këmbehet me humbjen e lirisë së Kosovës!”, përfundon profesor Enver Bytyçi.

Dinari do ta ketë fatin e targave

Image
Faton Mehmeti

Kurse, analisti Faton Mehmeti thekson se çështja e dinarit do të përfundojë sikurse çështja e targave.

“Dinari do e ketë fatin e targave, në fillim kundërshtohet e pastaj zbatohet. Është vetëm çështje kohe, s’ka kthim pas dhe as ndryshim të qëndrimit. Albini, çdo nismë në raport me Serbinë e në veçanti me veriun e ka quar deri në fund”, thotë Mehmeti.

Sipas tij, nuk do të ketë shtyrje të vendimit për çështjen e dinarit pavarësisht kërkesave të ndërkombëtarëve.

“Me pak fjalë, disa nga ambasadorët kërkuan pezullim, por të gjithë me përjashtim të Kinës e Rusisë, e vlerësuan të drejtë vendimin e BQK. Ndonëse kërkuan kohë, çka i jep edhe më shumë të drejtë qeverisë ai dhe shton edhe më shumë mundësitë që ky vendim të zbatohet sa më shpejt. Nuk pres shtyrje të vendim për më shumë se një muaj, pres zbatim. Po i vjen fundi dinarit në Kosovë”, përfundon Faton Mehmeti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat