“Javët e ardhshme vendimtare”, çfarë fshihet pas letrës dhe paralajmërimeve të Macron? – Analistët japin parashikimet e tyre

Politika

“Javët e ardhshme vendimtare”, çfarë fshihet pas letrës dhe paralajmërimeve të Macron? – Analistët japin parashikimet e tyre

Arife Morina Nga Arife Morina Më 20 shkurt 2024 Në ora: 11:47
Emmanuel Macron dhe Vjosa Osmani

Themelimi i Asociacionit mbetet një nga çështjet më delikate për Kosovën, derisa edhe po shtohet presioni nga ndërkombëtarët për këtë çështje.

Së fundi, ishte Presidenti i Francës, Emanuel Macron, që në një letër drejtuar presidentes Vjosa Osmani me rastin e 16 vjetorit të pavarësisë, ka thënë se javët e ardhshme do të jenë vendimtare për zbatimin e të gjitha dispozitave të marrëveshjes Bruksel-Ohër, duke përfshirë edhe themelimin e Asociacionit te komunave me shumicë serbe.

Macron ka thënë se shpreson që Kosova do të marrë vendimet të guximshme dhe të nevojshme.

“Javët e ardhshme do te jene vendimtare për zbatimin e të gjitha dispozitave të marrëveshjes Bruksel-Ohër, duke përfshire edhe themelimin e Asociacionit te komunave me shumice serbe, e cila ne veçanti përfshin organizimin e zgjedhjeve te reja lokale me pjesëmarrjen e serbëve. Unë shpresoi që Kosova te marre vendimet e guximshme që janë te nevojshme dhe qe do t’i mundësoje te përparoje ne trajektoren e saj evropiane”, tha presidenti francez.

Ai ka shtuar se vendi i Kosovës do të jetë brenda Bashkimit Evropian dhe ka inkurajuar që të vazhdohen reformat për forcimin e sundimit të ligjit dhe zhvillimin ekonomik të vendit.

Duke vlerësuar se sfidat më 2024 janë të shumta për shkak të luftës në Ukrainë dhe Lindje të Mesme, Macroni ka deklaruar se “në këtë kontekst shumë të pasigurt ndërkombëtar, normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës përbën një sfidë parësore”.

Bazuar në deklaratat e Macron, pritet të ketë zhvillime të “nxehta” javëve në vazhdim.

E për këtë çështje, folën analistët për “Bota sot”.

Kelmendi: Nga Kosova po kërkohet formim i njëaneshëm i Asociacionit

E për këtë çështje, në një prononcim për “Bota sot” foli njohësi i çështje kushtetuese, Muhamet Kelmendi.

Image
Muhamet Kelmendi

Së pari, tha se marrë parasysh situatë në Evropë, është e kuptueshme insistimi në zgjidhjen e problemit Kosovë-Serbi.

Ai tha presioni nga ndërkombëtarët është i njëanshëm, ku vetëm Kosovës po i kërkohet themelimi i Asociacionit, ndërsa për shtetin serb nuk ka asnjë kërkesë apo presion.

“Nga gjendja ku gjendet Evropa dhe më gjerë priten domosdo veprime konkrete në "zgjidhjen" e çështjes Kosovë-Serbi.

Në këtë anë, bazë është Marrëveshja e Brukselit dhe aneks marrëveshja e Ohrit. Në këto marrëveshje gjendet Asociacioni në themel të çështjes.

Nuk është njohja reciproke dhe as ndonjë çështje tjetër, që ndikon në përmirësimin e raporteve ndërshtetërore. Është thjeshtë Asociacioni.

Këtë më së miri e shpreh letra e Presidentit të Republikës së Frances, z.Emmanuel Macron, drejtuar Presidentes së  Kosovës, Vjosa Osmanit. Qartë thuhet në letër Asociacioni”, deklaroi ai.

Krahas kësaj, përmendi edhe presionin nga ndërkombëtarët dhe ‘kërcënimet’ nga Amerika për themelimin e Asociacionit.

“Me këto dy marrëveshje Qeveria Kurtit e ka pranuar Asociacionin. Tash po kërkohet nga BE, personalitetet e larta të shteteve, si dhe nga vetë SHBA, organizimi i njëanshëm i Asociacionit. Kjo, edhe nëse Serbia fare nuk e pranon asnjë çështje nga marrëveshja.

Ajo që duhet theksuar këtu është fakti se Kosova gjendet para një presioni të lartë. Tërë forcat e jashtme politike po kërkojnë Asociacionin. Ndërsa, nga Serbia as edhe pranimin me nënshkrim të Marrëveshjes.

Edhe vetë SHBA u shpreh qartë pro Asociacionit dhe kërcënoi me ndërprerjen e partneritetit me Republikën e Kosovës, pse Kosova po vepron vetëm për vetëm, pa konsultime me Uashingtonin.

Ky është kërcënim direkt”, nënvizoi Kelmendi.

Në fund, kërkoi nga Kosova që të ketë kujdes me vendimet dhe hapat që merr.

“Kosova kërkohet të mendoj qartë para çdo veprim a vendimi që e ndërmerr për ndërtimin e sovranitetit.

Është i domosdoshëm konsultimi dhe partneriteti i Kosovës me SHBA-në. Kjo e rritë forcën e Kosovës”, përfundoi Muhamet Kelmendi për “Bota sot”.

Zogaj: Çështja e asociacionit është bërë thembër Akili

Image
Skënder Zogaj

Kurse, publicisti Skënder Zogaj tha se nuk ka “shpëtim” nga Asociacioni, derisa tha se është vetëm humbje kohe tentative për ta shtyrë themelimin e tij.

Ai në bashkëbisedimin e tij me “Bota sot’ u shpreh se presidentja Osmani është eksperte dhe kësisoj shpreson që t’i marrë seriozisht mesazhet e Macronit.

“Çështja e asociacionit është bërë thembër Akili dhe shigjeta e ka marrë saktësisht në shenjë kështu që, çdo orvatje për neglizhim është humbje e kotë e kohës por edhe shtim i ujemit! Nuk ka shpëtim, veç vonim, kjo duhet të kuptohet përfundimisht! Presidentja Osmani është eksperte dhe nuk është se nuk e din, prandaj dua të shpresoj se nuk do ta neglizhojë situatën, sidomos kur i drejtohen mesazhe nga personalitete të rëndësishme botërore, si Presidenti i Francës Macron, fjala e të cilit dihet se është me peshë të madhe, madje shumë me ndikim për vendimin përfundimtar”, nënvizoi publicisti.

Ndër të tjera, ai tha se se të gjitha partitë politike i kanë kontribuar ngecjeve që ka përjetuar Kosova.

“Zhagitjet i konvenojnë Serbisë, kjo është vërtetuar dhe duhet ndërprerë me çdo kusht. Varianti i Asociacionit me vërejtjet e Gjykatës Kushtetuese është dashur të realizohet para 5 vitesh, sepse, sa më shumë që vonohet aq me i diskutueshëm bëhet dhe i krijon pozicione të reja serbëve të Qosiqit, platforma e të cilit bazohet në gënjeshtra, mashtrime, inskenime dhe maska! Asociacioni duhet të vetëdijësoj kkasën politike të Kosovës që ta kuptojë se, për formimin e asociacionit, asnjë parti politike nuk mund të shfajësohet, sepse i kanë kontribua të gjitha ngecjeve që i ka përjetua liria dhe pavarësia e Kosovës!” – përmbylli Skënder Zogaj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat