Tha se “LDK s’mund të ecë më në “këpucë” të Rugovës”, Hazirit i vjen reagimi i ashpër

Politika

Tha se “LDK s’mund të ecë më në “këpucë” të Rugovës”, Hazirit i vjen reagimi i ashpër

Nga: A.Zh Më: 20 shkurt 2024 Në ora: 14:05
Lutfi Haziri dhe Isa Mustafa

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka thënë se kjo parti nuk mund të ecë në këpucë të ish-presidentit Ibrahim Rugova.

Ai ka deklaruar se partia e tij duhet të punojë shumë në mënyrë që të korrë fitore në zgjedhjet e ardhshme që do të mbahen në vend.

“Ne nuk mundemi në këpucë të Ibrahim Rugovës me vazhdu me ecë, sepse na vijnë të mëdhaja ose thuhet këpucë të ngushta, edhe s’mund ecë me to”, ka thënë Haziri.

“Unë jam duke u mundu me i bindë disa shok të mi që për me fitu dhe me u rikthy duhet me punu shumë. E para ne duhet me u liru prej pritjes se ne duhet të fitojmë se jemi meritorë, nuk të voton kërkush pse je meritorë jeta nuk është e drejtë, as për individin as për komunitetin. Duhesh me luftu shumë për me dëshmu, për me tregu. Ne nuk mundemi në këpucë të Ibrahim Rugoves me vazhdu me ecë sepse na vijnë të mëdhaja ose thuhet këpucë të ngushta edhe s’mund ecë me to, unë e kam thënë disa herë”, ka shtuar ai.

Atij për këtë deklaratë i ka reaguar analisti politik Binak Maxharraj.

Në një shkrim të dërguar në gazetën “Bota sot”, Maxharraj e ka akuzuar Hazirin se bashkë me Isa Mustafën e kanë çuar LDK-në në 12%.

“I dështuari i LDK-së Lutfi Haziri, krejt çka ka arritë, e ka bërë duke ecë rrugës së Ibrahim Rugovës, e cila rrugë Kosovën e solli deri te pavarësia.

Por, Lutfi Haziri ka ecë edhe rrugës tjetër të Isa Mustafës, rrugës se xhunglës, në të cilën LDK eci rrugës së krimit të organizuar dhe korrupsionit, në bashkëpunim me PDK-në, duke e lënë anash LDK-në, të cilën Isa Mustafa me klanin e vet mafioz së bashku me Lutfi Hazirin e me shumë shokë tjerë, e çuan LDK në 12%.

Por, derisa klani i Isa Mustafës vullnetarisht u largua nga LDK-ja, sespe s’doli birë nëne në LDK që e përjashton nga LDK-ja, për faktin që e sollën LDK-në në 12%, pelhivani Lutfi Haziri mbeti në LDK, bile për “meritat e tij” në shkatërrimin e LDK-së edhe u avancua deri në nënkryetar të saj”, ka thënë analisti për “Bota sot”.

Sipas Maxharrajt, Haziri po mundohet të denigrojë qeverinë e drejtuar nga Albin Kurti, që siç ka thënë ai, po ia ndërron faqen e nderit Kosovës.

“Lutfi Haziri nuk ndalet duke u marrë me tema të ndryshme, që në kandarin e matjes nuk peshojnë as dy gram, veç se akuzon, denigron qeverinë Kurti, e cila është duke ia ndërruar faqen e nderit Kosovës duke e bërë shtet, duke e zbatuar kushtetutën dhe ligjet, duke e luftuar hajninë dhe korrupsionin, në të gjitha sferat e jetës, të cilat ishin shkatërruar nga keqmenaxhimi i shtetit nga qeveritë e mëparshme”, ka nënvizuar ai.

Maxharraj ka thumbuar edhe “Rrugën e re” të kryetarit Lumir Abdixhiku, duke e quajtur të “pa krye”.

“Nga turbulencat politike të Lutfi Hazirit, sot e lexova edhe një sihariq, një marifet të tij ku ai thotë:

“Në nuk mundemi me këpucë të Ibrahim Rugovës me vazhdu me ecë, sepse na vijnë te mëdhaja ose thuhet këpucë të ngushta, edhe s’mundemi me ecë me to”.

E qartë ju të LDK z.Lutfi Haziri ju nuk mund t’i përdorni këpucët e Presidentit Ibrahim Rugova, sespe këpucët e tij kanë ecë rrugës, të cilën e ka ndërtuar i madhi Ibrahim Rugova, e cila Kosovën e çoi deri në pavarësi.

Kurse z.Lutfi Haziri, këpucët e Ibrahim Rugovës nuk mund të ecin “Rrugës së Re” të pa rrugë të Lumir Abdixhikut, e cila nuk të çon askund e as që dihet se deri ku të çojë.

Thjeshtë z.Lutfi Haziri këpucët e Ibrahim Rugovës nuk pranojnë të ecin “Rrugës se Re”, rrugës pa krye të Lumir Abdixhikut, e cila nuk dihet se nga niset dhe ku mbaron”, ka thënë profesori Binak Maxharraj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat