Deklarata nga Manuel Sarrazin/ Deputetët zbulojnë qëllimin e Serbisë: Ja pse Vuçiq nuk pranon të zbatojë asnjë marrëveshje!

Politika

Deklarata nga Manuel Sarrazin/ Deputetët zbulojnë qëllimin e Serbisë: Ja pse Vuçiq nuk pranon të zbatojë asnjë marrëveshje!

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 20 shkurt 2024 Në ora: 18:12
Albin Kurti dhe Aleksandar Vuçiq

Si çdo vit tjetër në shkurt, Mynihu është skenë e shumë diskutimeve për situatën aktuale të sigurisë në botë për tre ditë me radhë.

Mirëpo, kësaj radhe Ballkani Perëndimor nuk ishte në qendër të interesit në Konferencën e Sigurisë në Mynih, pasi fokusi ishte drejtuar tek Ukraina, Rusia dhe Gaza.

E i ngarkuari i qeverisë gjermane për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, ka folur në lidhje me diskutimet e bëra në Mynih duke theksuar se qëllimi është integrimi i suksesshëm i Ballkanit Perëndimor në BE.

Sarrazin ka qenë i qartë, ndërsa ka thënë se Kosova dhe Serbia duhet ta çojnë përpara zbatimin e Ohrit.

“Së pari duhet thënë se dritarja nuk është mbyllur ende. Ne kemi të dërguarin e posaçëm të BE, Miroslav Lajcak, i cili punon, ai ka një agjendë dhe do që të arrijë zbatimin dhe implementimin e Ohrit. Dhe qasja jonë është që ta mbështesim atë dhe të bëjmë gjithçka, që kjo dritare të shfrytëzohet, të cilën Miroslav Lajcak e plotëson tani.

Ai është shumë aktiv dhe kjo është qasja jonë. Më duket se nuk ka kuptim të mendosh shumë, se çfarë do të vijë paskëtaj. Ne jemi për Ohrin dhe duam që të dyja palët ta çojnë përpara zbatimin e Ohrit dhe mendoj se kjo është vendimtare. Unë shoh në të dyja palët se politika e brendshme do të bëhet një faktor i rëndësishëm. Dua ta them në mënyrë eksplicite; e ardhmja e të gjithë rajonit është në BE dhe kjo duhet të qëndrojë nganjëherë mbi politikën e brendshme”, u shpreh Sarrazin.

A është kjo deklaratë mjaftë e qartë që Serbia nuk duhet të refuzoj të nënshkruaj dhe të zbatoj marrëveshjen me Kosovën?

Dugolli: Integrimi i Kosovës në BE dhe NATO është jo vetëm qëllim yni por edhe përcaktim i fatit tonë si shtet e si komb

Deputeti nga LVV, Enver Dugolli në një bashkëbisedim me “Bota sot”, foli në lidhje me deklaratën e Sarrazin.

Image
Enver Dugolli

Ai tha se Kosova nuk ka qëllim tjetër përveç integrimit në BE, mirëpo që njëjtë nuk mendon Serbia, prandaj edhe po refuzon të zbatojë marrëveshjet e arritura.

“Integrimi i Kosovës në BE dhe NATO është jo vetëm qëllim yni por edhe përcaktim i fatit tonë si shtet e si komb. Për dallim nga Serbia e cila po vazhdon lojën e vetë me Rusinë e Kinën, ne nuk kemi alternativë dhe qëllim tjetër. Prandaj integrimi ynë në BE e NATO nuk do duhej të lidhej me përparimet në dialog dhe zbatimin e marrëveshjeve sepse Serbia qëllimshëm po refuzon zbatimin e marrëveshjeve të arritura të cilat refuzoj t'i nënshkruan e për më shumë kryeministrja e Serbisë Bernabiq dërgoi letër në BE ku shprehej se Serbia nuk do zbaton ato marrëveshjeve”, thotë deputeti.

Ai nga ana tjetër përmend edhe sulmin në Banjskë duke theksuar që për të njëjtin ende nuk kemi ndëshkim, dhe se masa ndëshkuese duhet të ketë për Serbinë.

“BE-ja do duhej që të jetë më e zëshme kundrejt Serbisë sepse është pikërisht ky shtet i cili po refuzon zbatimin e marrëveshjeve. Është Serbia ajo d cila vitin e kaluar me 24 shtator cenojë sovranitetin dhe integritetin e Kosovës duke synuar qe përmes formacionit terrorist të Radoiqiqit të aneksojë veriun e vendit me çka cenoj paqen dhe stabilitetin e gjithë rajonit. Sot kur po bëhem me shumë se 4 muaj nga ai sulm, edhe pse ekzistojnë argumente dhe fakte të shumta për lidhjen e këtij formacioni terrorist me Serbinë, nuk ka asnjë sanksion apo masë kundër Serbisë. Masat ndaj Serbisë për këtë sulm janë shumë të domosdoshme jo vetëm për të ndëshkuar për atë që ndodhi, por më shumë për t'u siguruar se diçka e ngjashme nuk do ndodhë dhe nuk do tolerohet”, foli Dugolli për “Bota sot”.

Batusha: Është e kuptueshme që rruga natyrale e Ballkanit Perëndimor në përgjithësi, e Kosovës në veçanti është integrimi në BE

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur deputeti nga radhët e LVV, Agon Batusha.

Image
Agon Batusha

Ai thotë se duhet të sqarohet nëse kemi një marrëveshje pasi letra e Serbisë së fundmi ka bërë konfuze shumë gjëra.

“Është e kuptueshme që rruga natyrale e Ballkanit Perëndimor në përgjithësi, e Kosovës në veçanti është integrimi në BE. Së pari është mirë të sqarohet diplomatikisht dhe publikisht se a është marrëveshje apo jo sepse sipas qëndrimeve dhe deklaratave të Serbisë kjo çështje është bërë shumë konfuze, për më tepër që është bërë publike dërgimi i një letre zyrtare nga Beogradi zyrtar ku ndër tjerash lihet të kuptohet për sulm të mundshëm ndaj territorit sovran të Republikës së Kosovës”, u shpreh ai.

Deputeti shton që duhet të largohen masat nga BE në mënyrë që Kosova dhe Serbia të jenë në balanc në dialog.

“Prandaj, duhet qëndrime më të qarta ndaj Serbisë, të hiqen masat ndaj Kosovës dhe të vendoset balanci në dialog. Dialogu i pabalancuar përmes idesë që me të voglit e të dobëtit t’i bëhet presion më i madh, krijon padrejtësi të reja dhe precedent që rrezikojnë paqen rajonale dhe globale”, tha deputeti Batusha për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat