Naim Miftari kërkon dënimin e Ramush Haradinajt për rastin e 53 milionë eurove: Pal Lekaj lodër e Ramushit -  përvetësuan 150 milionë euro

Politika

Naim Miftari kërkon dënimin e Ramush Haradinajt për rastin e 53 milionë eurove: Pal Lekaj lodër e Ramushit -  përvetësuan 150 milionë euro

Nga: Nehat Shaqiri Më: 20 shkurt 2024 Në ora: 22:42
Naim Miftari dhe Pal Lekaj

Ish-ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, tashmë është dënuar me 3 vjet e gjashtë e muaj burg për rastin e 53-milionëshit nga Behctel Enka.

Pal Lekaj, Eset Berisha, Nebih Shatri e Besim Tahiri, janë gjetur fajtor për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Lekaj është dënuar me dënim plotësues gjithashtu me 3 vjet e gjashtë për ndalim të ushtrimit të funksionit publik në adminsitratë.

Nebih Shatri është dënuar me 1 vit e 8 muaj burg, dhe 2 vite ndalim të ushtrimit të funksionit publik.

Besim Tahiri është dënuar me me 1 vit e 8 muaj burgim, dhe 2 vite ndalim të ushtrimit të funksionit publik.

Eset Berisha është dënuar me burgim prej 3 vitesh e 3 muaj, dhe 3 vite ndalim të ushtrimit të funksionit publik.

Në lidhje me këto dënime minimale ka folur ish-eprori i lartë i UÇK-së dhe ish-agjenti i SHIK-ut, Naim Miftari.

Lidhur me aferën e 53 milionëshit, Miftari shprehet se është dashur fillimisht të hetohet e të dënohet Ramush Haradinaj si ish kryeministër, e më pastaj të ndiqet edhe Pal Lekaj.

“Lekaj është vetëm një lodër e Ramush Haradinajt, sepse aso kohe, kur ka ndodhur abuzimi me ata 53 milionë, ishte kryeministër i vendit Ramush Haradinaj, mandat në të cilin ka pasur edhe afera të tjera. Gjatë atij mandate nuk ka qenë vetëm afera e 53 milionëve për autostradën por të njëjtën lojë me vjedhje e kanë luajtur edhe me ambalazhuesit e ujit. Afër 150 milionë euro i kanë përvetësuar nën hije këta dy bosët, derisa ishte Haradinaj kryeministër”, thotë Miftari.

Sipas tij, dënimi i Pal Lekajt është veç një lojë me sistemin e drejtësisë, duke e sakrifikuar një “kokë turku”.

“Sakrifikohet pak a shumë koka e Palit për ta shpëtuar Ramush Haradinajn”, potencon ai.

Sipas tij, po vërtetohet se në Kosovë nuk ka drejtësi.

“Qeveria Kurti 2 në aspektin e pastrimit të drejtësisë nga mafia PDK- LDK-AAK-LS pothuajse ka dështuar plotësisht. Nuk ka mundur as një milimetër ta pastron Prokurorinë, gjyqësinë, policinë dhe AKI-në nga krimi i organizuar i nëntokës PDK, LDK, AAK-së”, shton ai.

 Miftari tutje shprehet se, qytetarët e thjeshtë pë rnjë pulë në vlerë të 10 eurove, dënohen më shumë se Pal Lekaj.

“Ky është turpi më i madh i kësaj drejtësie të korruptuar. Kosova si shtet i ri me këtë sistem të drejtësisë së dështuar e të kapur nga krimi po shkon drejtë shkatërrimit. Po shkatërrohet nga brenda, nga mafia e ish pushtetarëve dhe zyrtarët e korruptuar nga jashtë, edhe nga Serbia me miqtë e saj ndërkombëtar. Shteti i ri i Kosovës është në rrezik serioz nga të korruptuarit e Kosovës dhe të korruptuarit ndërkombëtar që i ka korruptuar Serbia dhe Rusia dhe janë të instaluar kudo nëpër pozita kuqe në misionin e tyre ndërkombëtar në Republikën e Kosovës”, përfundon Naim Miftari.

Ndryshe, në aktakuzë thuhet se ata po akuzohen nga PSRK se me rastin e zbatimit të projektit “Autostrada Prishtinë- Han i Elezit R6”, kanë keqpërdorur detyrën e tyre zyrtare, me ç’rast buxhetit të Republikës së Kosovës i kanë shkaktuar dëm në vlerë prej 38 milionë e 321 mijë e 346 euro.

Sipas aktakuzës së ngritur më 4 shkurt 2022 nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, më 27 shtator 2017, Pal Lekaj, në cilësinë e ministrit të Ministrisë së Infrastrukturës (MI) dhe si kryesues i Komitetit Ndërministror (KDNM) dhe Nebih Shatri, si sekretar i Përgjithshëm në këtë ministri, në bashkëveprim dhe me dashje edhe me të pandehurin Besim Tahiri – drejtor i Prokurimit Publik në MI, i cili tani për tani është i paqasshëm për prokurorinë, duke shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar, i kanë tejkaluar kompetencat dhe nuk i kanë përmbushur detyrat zyrtare, me qëllim që t’i shkaktojnë dëm buxhetit të Republikës së Kosovës në dobi të personit tjetër.

Në aktin akuzues thuhet se të njëjtit, në kundërshtim me Ligjin për Prokurim Publik 04/ L- 042, Statutin dhe Kodin e Sjelljes së KDNM-së dhe me kushtet e kontratës së 1 korrikut 2014, kanë nënshkruar marrëveshje në emër të MI-së si punëdhënës në njërën anë dhe ndërmarrjes së përbashkët “Bechtel & Enka” si kontraktor në anën tjetër, për shtyrjen e afatit të përfundimit të punimeve edhe për 347 ditë dhe atë nga 18 janari 2018 siç ishte e përcaktuar në kontratën bazë, deri më 31 dhjetor 2018, duke mos e përcaktuar koston financiare.

Ky veprim, sipas prokurorisë i ka lënë hapur mundësinë OE “Bechtel & Enka” që më 27 nëntor 2017 të paraqes pranë punëdhënësit kërkesën për pagesën e shumës shtesë në vlerë prej 63 milionë euro, në emër të zgjatjes së afatit të përfundimit të punimeve, e cila kërkesë më pas ka zbritur në vlerën prej 53 milionë e 100 mijë euro.

Tutje thuhet se si pasojë e këtyre veprimeve të të pandehurve, e njëjta është aprovuar për pagesë nga Qeveria e Kosovës, shumë kjo e cila është në kundërshtim të plotë me opinionin e mbikëqyrësit të kontratës “Hill Internacional”, me ç’rast, si pasojë e veprimeve të të pandehurve, buxhetit të Kosovës, i është shkaktuar dëm në vlerë prej 38 milionë e 321 mijë e 346 euro.

Në pikën e dytë të aktakuzës thuhet se në vazhdimësi nga 27 shtatori 2017 e deri më 5 qershor 2018, në Prishtinë në cilësinë e personave zyrtarë, Lekaj dhe këshilltari i lartë politik i tij, Eset Berisha me dashje dhe në bashkëveprim me njëri-tjetrin, duke i shfrytëzuar pozitat zyrtare, me rastin e zbatimit të projektit “Autostrada Prishtinë – Hani i Elezit R6 “, kanë vepruar në kundërshtim të plotë me rregullat e përcaktuara me Ligjin për Prokurimin Publik, Rregulloren nr.02/2011 të Qeverisë së RKS-së si dhe Statutin dhe Kodin e Sjelljes së Komitetit Drejtues Ndërministror.

Siç thuhet në aktakuzë, Lekaj, pas nënshkrimit të marrëveshjes me OE “Bechtel & Enka” si në pikën e parë të dispozitivit të aktakuzës, në cilësinë e kryesuesit të KDMN-së, pa e informuar dhe pa e marrë pëlqimin e anëtarëve të tjerë, e ka angazhuar Berishën në cilësinë e këshilltarit të tij politik, që të marrë pjesë në negociata me “Bechtel & Enka”, me qëllim të përcaktimit të kostos financiare sipas marrëveshjes së 27 shtatorit 2017, detyra këto jashtë fushëveprimit dhe kompetencave të cilat i ka këshilltari politik.

Tutje në aktakuzë thuhet se Berisha ka zhvilluar biseda me përfaqësuesit e “Bechtel & Enka” dhe në pajtim të plotë me Lekajn, janë dakorduar qe në emër të zgjatjes së afatit të përfundimit të punimeve deri më 31 dhjetor 2018, MI t’i paguajë operatorit ekonomik kosto financiare shtesë në vlerë prej 45 milionë euro, e cila shumë me shpenzimet e TVSH-së prej 18% arrin shumën prej 53 milionë e 100 mijë euro.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat