“Inkorporim agjenturor përmes fesë”/ Raporti që alarmoi rrezikshmërinë e shtrirjes së ndikimit rus dhe roli i BIK-ut në këtë mes!

Politika

“Inkorporim agjenturor përmes fesë”/ Raporti që alarmoi rrezikshmërinë e shtrirjes së ndikimit rus dhe roli i BIK-ut në këtë mes!

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 22 shkurt 2024 Në ora: 15:20
Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, gjatë takimit me kryetarin e Forumit Mysliman Evropian, Abdul-Wahed Niyazov në Prishtinë.

Në mediat në Kosovë, po raportohet për ndikimin rus edhe nëpërmjet fesë. Madje, kështu ka bërë të ditur edhe një organizatë me seli në Britani të Madhe.

Hulumtuesit e Institutit Royal United Services [RUSI], kanë argumentuar se kombet perëndimore duhet të bëjnë më shumë për të luftuar Moskën dhe taktikat e saj të një lufte jo-konvencionale, nëse dëshirojnë të kenë sukses në mposhtjen e Rusisë në Ukrainë.

“Përderisa lufta në Ukrainë po zgjatet, Rusia ka interes që të krijojë kriza përtej”, kanë thënë autorët Jack Watling, Oleksandr V. Danylyuk dhe Nick Reynolds, duke e përmendur edhe Ballkanin si rajon të njohur tashmë për kryerje të këtyre veprimeve të liga.

Mirëpo, jo vetëm kaq. Aty përmendet edhe Kosova, duke u shtjelluar se si shtrirja e ndikimit bëhet përmes shoqatave të ndryshme bamirëse dhe ndër to është Fondacioni Ahmat Kadyrov.

“Organizata është sidomos aktive në Ballkan, ku ka krijuar lidhje me përfaqësues autoritarë myslimanë (jo vetëm fetarë, po edhe figura politike) në Serbi, Bosnje-Hercegovinë, Mal të Zi, Shqipëri, Kosovë, Maqedoni të Veriut, Kroaci, Greqi dhe Rumani”.

Madje, në korrik të vitit 2021 në Bashkësinë Islame të Kosovës dhe në Fakultetin e Shkencave Islame, ka qëndruar për vizitë një delegacion nga Forumi Mysliman Evropian (EMF) i kryesuar nga kryetari i tij, Abdul-Wahed Niyazov.

Këtë delegacion, e kishte pritur në takim myftiu Naim Tërnava, kryetar i Bashkësisë Islame të Kosovës dhe bashkëpunëtorët e tij, por ata nuk e kishin shqyrtuar gjatë se çfarë paraqiste ky forum dhe kush ishte drejtuesi i tij, Abdul-Ëahed Niyazov.

Tahiraj: Përgjegjësi kryesorë për të gjitha këto veprime është Bashkësia Islame e Kosovës në krye me Naim Tërnavën

Veprimtari Saim Tahiraj, në një përgjigje për “Bota sot” ka thënë se shumë shoqata humanitare si nga shtetet arabe dhe disa shoqata humanitare nga Turqia, kanë shfrytëzuar në maksimum fenë islame ta përçojnë ndikimin ruso-serb dhe turko-arab.

Image
Saim Tahiraj

Ai madje, përmend ndërtimin e rreth 1000 xhamive duke thënë se janë ndërtuar pa kurrfarë kriteri dhe se ligjëratat që u zhvilluan në shumicën e këtyre xhamive kishin për qëllim goditjen dhe shkatërrimin e identitetit tonë kombëtar.

Raporti i këtij Instituti është edhe një dëshmi e fuqishme që vërteton se reagimet tona në vazhdimësi, për rrezikun e ndikimit që shërbimet ruso-serbe po e përçojnë përmes islamit politik radikal, kanë qenë të drejta dhe të bazuara. Shumë shoqata humanitare nga shtetet arabe dhe disa shoqata humanitare nga Turqia, të lidhura me pushtetin aktual turk, kanë shfrytëzuar në maksimum fenë islame ta përçojnë ndikimin ruso-serb dhe turko-arab. Kjo aleancë sllavo-ortodokse me atë islamo -turko - arabe e ka zanafillën thellë në histori. Po t’i shikojmë disa marrëveshje jugosllave-turke për shpërnguljen e shqiptarëve nga trojet e veta etnike e vërtetojnë këtë. Gjithashtu ndikimin e madh që ka Rusia te shtetet arabe po e shfrytëzon që përmes tyre të shpërndaj ndikimin e vet në Kosovë dhe disa shtete të Ballkanit, përmes fesë islame. Të gjitha veprimet që i ashtu quajturi islam politik i bëri, që nga pas lufta e gjerë më sot e vërtetojnë këtë.

Ndërtimi i rreth 1000 xhamive po kurrfarë kriteri, ligjëratat që u zhvilluan në shumicën e këtyre xhamive, kishin për qëllim goditjen dhe shkatërrimin e identitetit tonë kombëtar. Shumë misionarëve, që nën petkun e hoxhallarëve, në ligjëratat e tyre sulmonin vlerat më fondamentale të kombit tonë siç janë; flamuri ynë kombëtar, heroin tonë kombëtar Gjegj Kastriotin dhe shumë figura tjera kombëtare, të rëndësishme historike, gjuhën tonë të bukur shqipe, Shën Nëna Terezën, Kanunin e Lekë Dukagjini, çiftelin dhe muzikën tonë të bukur shqipe, traditën tonë të martesave, datat e ngjarjeve të rëndësishme historike dhe shumë e shumë tjera”, thotë ai.

Më tej, vazhdon se veprimet e tilla nga ana e misionarëve hoxhallarë kishin dhe kanë për qëllim përhapjen “Vëllazërisë Myslimane“ dhe shkatërrimin e identitetit tonë kombëtar.

“Të gjitha këto veprime të misionarëve hoxhallarë, kishin dhe kanë për qëllim përhapjen e “Vëllazërisë Muslimane“ dhe shkatërrimin e identitetit tonë kombëtar dhe zëvendësimin me identitetin fetar, siç janë: ndërrimi i pamjes së individit, me ferexhe, shamia, mjekra, pantallona të shkurtër etj. Ndërrimi i pamjes së shtetit tonë, me të gjitha këto xhamia ta paraqesin si vend islamik. Cilësimi i kryexhelatit Sulltan Murati, si çlirimtar i popullit shqiptar, dhe mohimi i Betejës së famshme të Kosovës të udhëhequr nga princat shqiptar, duke i quajtur serb. Martesa në mes familjarëve të ngushtë, si me vajzën e axhës, tezës, dajës etj. Ndalimi i martesave në mes shqiptarëve myslimanë me shqiptarë katolik dhe anasjelltas, lejimi i martesave të shqiptarëve myslimanë me myslimanët të kombeve tjera jo shqiptare dhe anasjelltas. Lejimi i poligamisë dhe martesave me të mitur, si dhe shumë e shumë absurditete tjera”, deklaron ai.

Në fund, për gjithë këto veprime që sipas Tahirajt janë absurde, përgjegjës kryesor është Naim Tërnava, sepse jo që nuk i pengon ose ndalon por i stimulon.

“Përgjegjësi kryesorë për të gjitha këto veprime është Bashkësia Islame e Kosovës në krye me Naim Tërnavën sepse jo vetëm nuk i penguan por i stimuluan. Mu për këtë arsye hesht, sepse përgjigja e saktë do ishte një lloj vetëvrasje. Rreziku i ndikimit ruso-serb përmes fesë islame dhe ortodokse-serbe është permanent dhe i nivelit të lartë. Pikërisht duke parë këtë rrezik të madh për kombin dhe shtetin tonë, lindi edhe “Lëvizja e Deçanit“, si një domosdoshmëri e kohës, si një revoltë dhe kambanë për të ndërgjegjësuar dhe vetëdijesuar popullin dhe pushtetin. Koha nuk pret, duhet vepruar urgjentisht shteti për ta ndaluar këtë rrezik për vet ekzistencën e shtetit tonë, dhe identitetit kombëtar. Me daljen në skenë të “Lëvizjes së Deçanit“ shumica e popullit shqiptarë është vetëdijesuar për rrezikun që po na kanoset nga ky islam politik, andaj po i bashkohen dita-ditës. Tani më tepër se kurrë duhet një koordinim në mes shtetit dhe popullit, shteti t’i ndaloj këto xhami së funksionuar dhe misionarët hoxhallarë t’i arrestojë dhe të dalin para drejtësisë, ndërsa populli të distancohet dhe të largohet nga ky islam politik”, përfundon ai.

Qarri: Raporti alarmon në shkallën sipërore dhe tregon më se qartë për rrezikshmërinë e lartë, të inkorporomit agjenturor, nëpërmjet fesë “islame”

Image
Gani Qarri

Analisti Gani Qarri thotë se pas këtyre raportime ka ardhur koha që edhe shteti i Kosovës të merret edhe njëherë seriozisht, me bashkëpunëtorët e shërbimeve serbo-ruse të inkorporuar nën petkun e imamëve në BIK, gjithandej Kosovës.

“Siç merret vesh nga mediat drejtuesi i Forumit, Abdul-Ëahed Niyazov konsiderohet si bashkëpunëtor i afërt i presidentit rus, Vladimir Putin, i cili prej vitit 1999 e deri në vitin 2003, ka qenë përfaqësues i partisë së Vladimir Putinit në Dumën ruse dhe kryeson edhe Qendrën Kulturore Islamike të Moskës, një departament publik ky, i këshillit zyrtar të myftiut rus dhe organ i lidhur drejtpërsëdrejti me Kremlinin.

Fakti se Naim Tërnava ishte i vetmi myfti në Ballkan, që takoi Abdul-Ëahed Niyazovin dhe Rusia, një nga pikat kryesore strategjike ka përzgjedhur pikërisht BIK-un e Kosovës, për rindërtimin e kapaciteteve dhe zgjerimin e ndikimit në Ballkan, nuk është vetëm rastësi, por akt i mirë studiuar nga agjenturat e fshehta policore dhe ushtarake ruse, për të destabilizuar shtetet evropiane, ndaj pas vitit 2016,kur edhe u arrestuan më se 55 të dyshuar, 15 prej të cilëve imam, duket se ka ardhur koha, që policia e shtetit të Kosovës, të merret edhe njëherë seriozisht, me bashkëpunëtorët e shërbimeve serbo-ruse të inkorporuar nën petkun e imamëve në BIK, gjithandej Kosovës#, deklaron ai.

Sipas tij, dhe duke iu referuar rregullisht Institutit, Qarri thotë se ky akt është kërcënim i hapur dhe se Naim Tërnava nuk ka dhënë asnjëherë detaje për atë takim që e ka zhvilluar në vitin 2021.

Ky akt, shkakton kërcënim të hapur jo vetëm politik, por edhe strategjik edhe për vet NATO-n dhe shtetet anëtare të saj, me prani në vendin tonë, mu në kohën kur ato janë përqendruar, me të gjitha kapacitetet, në ndihmën që duhet dhënë Ukrainës në luftimet që ajo zhvillon, për tu mbrojtur nga agresioni ushtarak i Rusisë.

Në raportin e Institutit Royal United Services, përmendet se si shtrirja e ndikimit të kësaj organizate, kamuflohet përmes të ashtuquajturave shoqata “bamirëse”, ndër të cilat dallohet, “Fondacioni Ahmat Kadyrov” dhe i ashtuquajturi “Forumi Islamik Evropian”, prandaj jo më kot Hulumtuesit e “Institutit Royal United Services” këto ditë cekën veçanërisht Kosovën, ku Rusia përmes shoqatave të ashtuquajtura fetare "myslimane", me epitete të rrejshme "bamirëse", nga Çeçenia si Fondacioni "Ahmat Kadyrov", i cili tenton të popullarizojë Kadyrovin si figurë fetare, përmes udhëheqësit të BIK-ut, Naim Tërnava, që nga vitit 2021, ka filluar ti forcojë kontaktet me të ashtuquajturin «Forumi Mysliman Evropian" dhe është duke rindërtuar kapacitete për t’i destabilizuar shtetet evropiane.

Në vlerësimin e tij, “Instituti Royal United Service”, me seli në Mbretërinë e Bashkuar, thekson fort faktin se në korrik të vitit 2021, ishte pikërisht BIK-u, ai që organizoi vizitën e një delegacioni të të ashtuquajturit "Forumi Mysliman Evropian" i kryesuar nga dora e zgjatur e Ahmat Kadyrovit, Abdul-Ëahed Niyazov, vizitë e cila u zhvillua në BIK dhe në Fakultetin e Shkencave Islame, pa sqaruar asnjëherë shkaqet as dhënë arsyet e kësaj vizite konspirative ruso-çeçene në Kosovë, gjë që vërtetë krijon dyshime të mëdha, jo vetëm për ne, por edhe për partnerët tanë ndërkombëtar që kanë vendosur ushtarët e vet këtu, për mbrojtjen e vendit tonë.

Për aq më tepër po këtë delegacion misterioz e kishte pritur në takim edhe vet myftiu Naim Tërnava me bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë, pa dhënë asnjë shpjegim, sot e asaj dite, për qytetarët dhe shtetin e Kosovës, se çfarë në fakt, paraqet ky forum, prej çfarë njerëzish përbëhet, me çfarë merret, kush janë udhëheqësit dhe drejtuesi Abdul-Ëahed Niyazov, cili ishte shkaku i vizitës q ë ata i bënë BIK-ut, pse u zgjodh të vizitohej pikërisht Kosova dhe çfarë është në të vërtetë, misioni konspirativ i këtij forumi agjenturor ruso - qeqen, që zgjodhi të vizitonte pikërisht BIK-un, në vendin tonë.

Hulumtuesit e "Institutit Royal United Services"; Jack Ëatling, Oleksandr V. Danylyuk dhe Nick Reynolds, kanë argumentuar me fakte, se Rusia ka interes që të krijojë kriza të reja, përtej kufijve të saj, e veçanërisht në Ballkan ku situata mbetet e tendosur, si rajon tashmë i njohur për kryerjen e veprimeve të liga konspirative të Rusisë, ku bënë pjesë edhe Kosova, pikërisht para zgjedhjeve që në qershor pritet të mbahen në Evropë, kohë kur ekzistojnë mundësi edhe më të mëdha për të nxitur konflikte të reja të përgjakshme dhe rritur sa më tepër ndasitë” në këto vende.

Në fund, nënvizon se derisa Tërnava nuk ka dhënë përgjigje për këto çështje, është koha e fundit që shteti të reagojë dhe t’i arrestojë të gjithë spiunët e mundshëm dhe bashkëpunëtorët konspirativ të shërbimeve të fshehta serbe dhe ruse.

Tutje, ai shprehet se ky raport alarmon në shkallën sipërore dhe tregon më se qartë për rrezikshmërinë e lartë, të inkorpirimit agjenturor, nëpërmjet fesë "islame".

“Andaj, nëse edhe pas raportit të "Institutit Royal United Services" me bazë në Mbretërinë e Bashkuar, vend që ka dëshmuar në vepër, se është miku më i sinqertë dhe shteti me mbështetjen më të madhe për Republikën e Kosovës, BIK dhe Naim Tërnava, nuk kanë përgjigje adekuate rreth këtyre të dhënave, është koha e fundit, që shteti të reagojë menjëherë dhe ti arrestojë urgjentisht të gjithë spiunët e mundshëm dhe bashkëpunëtorët konspirativ të shërbimeve të fshehta serbe dhe ruse, të cilët në emër të fesë, janë inkorporuar në BIK dhe nga Kosova, punojnë për grupet agjenturore të Aleksandër Vuçiqit dhe Vladimir Putinit, për destabilizimin e Kosovës dhe të rajonit, ku mbikëqyrjen e ka NATO.

Përndryshe raporti i "Institutit Royal United Services", alarmon në shkallën sipërore dhe tregon mese qartë për rrezikshmërinë e lartë, të inkorporimit agjenturor, nëpërmjet fesë "islame", të sigurimeve konspirative të Rusisë dhe Serbisë fashiste në Republikën e Kosovës, e cila duket se u shërben si mbulesa më perfide dhe kamuflimi më i sigurt, për veprimin e papenguar të agjenturave policore e ushtarake ruso-serbe, në Kosovë, prandaj Qeveria, AKI dhe Policia e Kosovës, duhet të ndërmarrin urgjentisht një operacion të shpejtë dhe të mirë sinkronizuar, për ta mbrojtur vendin nga kanosje të tilla me rrezik të lartë potencial për dëmtim të rëndë të sovranitetit dhe sigurisë së shtetit të brishtë të Kosovës!”, përfundon ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat