“Dënimi i mundshëm burgim i përjetshëm”, INTERPOL ‘godet’ Radoiçiqin: Eksperti kërkon masa të rrepta ndaj Serbisë

Politika

“Dënimi i mundshëm burgim i përjetshëm”, INTERPOL ‘godet’ Radoiçiqin: Eksperti kërkon masa të rrepta ndaj Serbisë

Nga: Nehat Shaqiri Më: 22 shkurt 2024 Në ora: 17:47
Milan Radoiçiq

Ishte 24 shtatori kur kryekrimineli Milan Radoiçiq me grupin terrorist serb, të urdhëruar nga Aleksandër Vuçiqi kryen një sulm terrorist në veri, ku edhe ra hero polici i Kosovës, Afrim Bunjaku.

Milan Radoiçiq, kryeterroristi i cili mori përgjegjësinë për organizimin e sulmit të 24 shtatorit të vitit të kaluar në Banjskë të Zveçanit, ndodhet tashmë në sistemin për urdhërarrest, të organizatës INTERPOL.

INTERPOL-i lëshoi fletarrest për Radoiçiqin, për të cilin thotë se ka kryer dy vepra penale në Kosovë: krim të ndërlidhur me terrorizëm dhe pastrim parash.

Në pjesën e fakteve për rastin, në dosje shkruhet :”Më 24 shtator 2023 rreth orës 02:45 në fshatin Banjskë të Komunës së Zveçanit, i dyshuari dhe bashkëkryesit e tij besohet se kanë vepruar së bashku për të hyrë ilegalisht në Kosovë me dhjetëra automjete të mbushura me armë, municion dhe veshje ushtarake dhe bllokuan rrugën me dy kamionë me qëllim që t’ua zënë pritën policëve të Kosovës. Ata sulmuan PK-në me granata dhe armë të ndryshme në urën afër Manastirit të Banjskës, duke vrarë oficerin e PK-së, Afrim Bunjaku dhe duke plagosur oficerin Alban Rashiti”.

“Gjithashtu ka dyshime të arsyeshme se në cilësinë e kreut të një grupi kriminal duke filluar nga tremujori i fundit i vitit 2017 deri më 24 shtator 2023, nëpërmjet veprimtarive kriminale të kontrabandës së mallrave, kërcënimeve, shantazheve dhe kontrollit të grupit kriminal, ka krijuar të ardhura, të cilat më pas i ka konvertuar në pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, si investimi i milionave në një vilë dhe blerja e një ‘penthouse’, barit, veturave dhe mjeteve të tjera motorike me qëllim të fshehjes/maskimit të burimit të pasurisë”, thuhet tutje në dosjen e INTERPOL-it.

Te pjesa e informacionit gjyqësor, në raport shkruhen veprat për të cilat dyshohet Radoiçiqi: “‘Veprat e rënda kundër rendit kushtetues apo sigurisë së Kosovës’, në kundërshtim me nenin 126, ‘Kryerja e veprës terroriste’ në kundërshtim me nenin 129, dhe ‘Pastrimi i parave’ në kundërshtim me nenin 302 të Kodit Penal të Kosovës (2019)”.

“Dënimi i mundshëm maksimal: Burgim i përjetshëm”, thuhet më tej në raport.

Në lidhje me këtë çështje ka folur eksperti i sigurisë, Hajrullah Tërnava, i cili thotë se, ky sulm në Banjskë ishte përgatitur moti nga shteti i Serbisë, të cilin e quan invazion ndaj shtetit të pavarur të Kosovës.

Tërnava kërkon nga shtetet perëndimore që përveç urdhër arrestit për Radoiçiqin të marrin masa të rrepta edhe ndaj Serbisë.

Tërnava thotë se aksioni ishte veprim luftarak e armiqësor ndaj Kosovës.

“Shtetet perëndimore që një kohë të gjatë janë duke i ndërmjetësua këto dy shtete për me i pajtua, prandaj kjo situatë e krijuar tani duhet të ju shërbejnë BE-së dhe SHBA-ve që sulmi i bandave terroriste serbe në veri të Kosovës, dhe vrasja e një polici, plagosja e të tjerëve, si argument më i fuqishëm pse duhet ndryshuar qëndrimet dhe masat në raportet Kosovë Serbi, dhe menjëherë dhe urgjentisht duhen të ndërmerren masat ndëshkuese ndaj Serbisë dhe suspendimin e tyre ndaj Kosovës, pasi që më nuk mundë të heshtet as të fshihet në asnjë mënyrë roli i Serbisë në destabilizimin e Kosovës, organizimin dhe mbështetjen e bandave të cilat po veprojnë në veri, që vijnë të organizuara nga brendia e territorit serb dhe provokojnë e terrorizojnë jo vetëm qytetarët serb por kanë plane për sulme me qëllim të pushtimit të zonave të caktuara dhe krijimin e celulave të terroriste për luftë të hapur kundër shtetit të Kosovës”, thotë tutje Tërnava.

Eksperti thotë se me fakte u zbulua skenari i sjelljes së armatimit dhe grumbullimit nëpër objektet fetare, ashtu sikur kishte paralajmëruar deputetja britaneze muaj më parë.

“Diplomacia evropiane, perëndimorë tashmë e ka vënë në shënjestër të kritikës dhe mbajtjes përgjegjës për eskalimin në veri të dhunës, Serbinë dhe bandat që po vijnë nga territori i Serbisë, Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës dënojnë fuqishëm sulmin ndaj Policisë së Kosovës në veri të vendit. Ata thënë se autorët e krimit duhet të mbahen përgjegjës nëpërmjet një procesi hetimor transparent. Një emërues të përbashkët të reagimeve mbështetëse ndaj policisë së Kosovës në këtë ngjarje e kanë edhe të gjitha ambasadorët e vendeve të Quintit në Kosovë”, shton Tërnava.

Sipas tij, kjo mënyre e sulmit ndaj sovranitetit të Kosovës, duhet t’i  shërbej shtetit të Kosovës.

“Asociacioni për të cilin po angazhohet Serbia ta realizoj, parlamenti i Kosovës, duhet ti ketë parasysh këto rrethana që mos të pranoj një asociacion të tillë, sepse në Kosovë kërkojnë që të krijohet një “Srpska Republike” si në Bosnje, si dhe qeveria e Kosovës t’i ketë parasysh statusin e objekteve fetare-kultit, që kurrsesi mos ta gëzon ekstoritorialitetin e tyre, sepse me këto sulme të fundit, u konfirmua qe institucionet fetare serbe iu shërbejnë si magazina të armatimit popullatës serbe si në rastin e Manastirit Banjska dhe kisha tjera serbe në Kosovë”, përfundon Hajrullah Tërnava.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat