“Vrasja e politikanëve shqiptarë”/ A është kjo arsyeja e vërtetë për largimin e avokatëve të Thaçit e Selimit?

Politika

“Vrasja e politikanëve shqiptarë”/ A është kjo arsyeja e vërtetë për largimin e avokatëve të Thaçit e Selimit?

Nga: P. R. Më: 23 shkurt 2024 Në ora: 11:03
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi

Gjykata Speciale e Kosovës në Hagë ka nisur një proces hetimi gjyqësor që prej më shumë se tri vitesh. Gjatë kësaj periudhe të akuzuarit për krime lufte, midis të cilëve dhe ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, janë mbrojtur me disa avokatë. Avokatët e tyre kanë qenë të kushtueshëm, sepse janë me emër në botën perëndimore.

E sipas profesorit të marrëdhënieve ndërkombëtare, Enver Bytyçi, përzgjedhja e tyre ishte strategji e mbrojtjes së fuqishme, me qëllim që të mos provohet fajësia e të akuzuarve.

“Kjo strategji ishte dhe mbetet e mirë menduar. Avokatët e zotë, si këta që morën zoti Thaçi dhe të akuzuarit e tjerë, edhe mund të çojnë në pafajësinë e tyre. Megjithatë, javët e fundit shumica e këtyre avokatëve duan të largohen nga gjykimi në fjalë dhe të mos merren me mbrojtjen e disa ish-komandantëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Termi ish-komandantë të UÇK-së ka sjellë disa pështjellime dhe është interpretuar si “goditje për këtë ushtri”! Në fakt gjykatësit dhe prokurorët e kësaj gjykate kanë sqaruar qartë se procesi gjyqësor në fjalë nuk lidhet me asnjë trashëgimi të gabuar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Pavarësisht kësaj të akuzuarit imponuan përmes opinionit publik që qeveria e Kosovës të marrë përsipër shpenzimet e tyre për avokatët në fjalë”, thotë Bytyçi.

Image
Prof. Dr. Enver Bytyçi

Siç shprehet Bytyçi, përveç Jakup Krasniqit, të gjithë të akuzuarit tjerë të Speciales kanë mundësitë financiare për të paguar avokatët e tyre.

“Disa prej të akuzuarve, përfshirë dhe zotin Thaçi, morën 3-4 avokatë. Kostoja natyrisht që u rrit. Numri i madh dhe fama e avokatëve kushtojnë miliona euro. Për këtë arsye qeveria e Kosovës pagoi një avokat për secilin të akuzuar, aq sa është norma e përfaqësimit në gjyq. Nuk dihet nëse numri i madh i avokatëve u përdor që të mos bllokohej procesi, apo për shkaqe të tjera. Por fakt është se kostoja ishte edhe e madhe, edhe e panevojshme. Pagesa ndoshta mund të bëhej edhe nga të akuzuarit. Nuk jam i sigurt për Jakup Krasniqin, për të cilin nuk e di nëse ka vënë ose jo pasuri në emër të luftës. Por të tjerët e përdorën luftën si amvisa lopën e shtëpisë. Ndaj dhe duhet besuar se ata i kanë mundësitë për të paguar avokatët”, deklaron Enver Bytyçi.

Por pse tash kanë filluar dorëheqjet e avokatëve nga mbrojtja e të akuzuarve?

“Ndërkaq qeveria e Kosovës vijoi të paguajë një avokat të secilit të akuzuar, ndër të cilët më i shtrenjti ndër ta është dhe mbetet ai i zotit Thaçi. Por flitet se edhe këta avokatë duan të heqin dorë nga mbrojtja. Në këto kushte duhet të besojmë se nuk është pagesa shkaku themelor i dorëheqjeve të tyre. Atëherë çfarë tjetër mund të sjellë këtë situatë? Ne nuk e dimë saktë se çfarë ka ndodhur në seancat gjyqësore të këtyre dy viteve. Nuk e dimë se çfarë kanë deponuar disa dëshmitarë anonimë. Sepse seancat janë zhvilluar me dyer të mbyllura. Nëse ka ndodh që dëshmitarët dhe provat e sjella nga akuza argumentojnë fajësinë e të akuzuarve, atëherë avokatët që kanë emër të mirë dhe janë të famshëm nuk mund ta pranojnë dështimin”, shprehet Bytyçi.

“Më shumë jep motive frika nga dështimi, sesa jep pamundësia e përkohshme për pagesa sa i përket dorëheqjeve të tyre. Sigurisht që në këto raste gjenden alibi e artifica, si mungesa e pagesës, si forma dhe mjete të shprehjes refuzuese në mbrojtjen e klientëve të tyre në Hagë. Por mundet të ketë edhe arsye të tjera, që lidhen me marrëdhëniet e të akuzuarve me mbrojtësit e tyre. Ndoshta ata nuk janë treguar të sinqertë me avokatin që kanë pranuar dhe në këto raste mosbesimi shkohet në dorëheqje. Mundet që ndonjë të thotë edhe se jep arsyen e problemeve shëndetësore. Por unë nuk besoj se shkaqet e dorëheqjeve janë ato që thuhen e shpallen publikisht”, shton profesor Bytyçi.

“Pasojat e kësaj situate janë të dukshme. Më e pakta lidhen me zgjatjen e procesit të gjykimit. Dhe zgjatja e këtij procesi do ta rëndojë, nuk do ta lehtësojë pozitën e atyre që janë në bankën e të akuzuarve. Çështja është mjaft e komplikuar. Natyrshëm mundet që ndonjë avokat të largohet e të zëvendësohet, kur procesi zgjat shumë gjatë. Kanë kaluar gati tri vite e gjashtë muaj dhe pritej një lëvizje si kjo. Por jo dorëheqje zingjir njëri pas tjetrit. Kjo është e rrezikshme për fatin e atyre që akuzohen për krime lufte si dhe për procesin gjyqësor”, shpjegon Bytyçi.

Por cilat mund të jenë faktet që provojnë fajësinë e të akuzuarve, që ka nxitur dorëheqjet e avokatëve të Hagës?

“Mendoj se dëshmitarët anonimë i përkasin zbulimit të vrasjeve politike të kundërshtarëve politikë. Këta duhet të jenë ata dëshmitarë që kanë fakte e prova për inkriminimin e këtyre të akuzuarve. Ndërkaq besoj se pikërisht me këtë lidhet edhe një farë tërheqje e qeverisë për financimin e avokatëve. Ekziston frika se të paditurit në Hagë mund të fajësohen për vrasje politikanësh shqiptarë. Në këtë rast qeveria do të vihej para përgjegjësisë morale, politike, por edhe ligjore pse financon avokatët e vrasësve të shqiptarëve. Kush është ai që merr përsipër të paguajë mbrojtjen me taksat e shqiptarëve të vrasësve të shqiptarëve! Absurde është ta mendosh këtë”, përfundon për “Bota sot”, profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Enver Bytyçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat