“Blinken s’erdhi në Kosovë për faj të Kurtit”, reagim ndaj Lutfi Hazirit: Pse u ndërrua agjenda e vizitës?

Politika

“Blinken s’erdhi në Kosovë për faj të Kurtit”, reagim ndaj Lutfi Hazirit: Pse u ndërrua agjenda e vizitës?

Nga: A.Zh Më: 23 shkurt 2024 Në ora: 14:05
Albin Kurti dhe Lutfi Haziri

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka thënë se në vend të Shqipërisë, sekretari i shtetit amerikan, Antony Blinken do ta vizionte Kosovën, nëse Albin Kurti do ta mbante fjalën dhe do sillej sipas tij si burrështetas.

Sipas tij, pritjet kanë qenë që Blinken pas vizitës në Shkup ta vizitonte Prishtinën, mirëpo një gjë e tillë, nuk ndodhi, për shkak të “Kurtit dhe Osmanit”.

“Ka qenë vizitë e mirë, është anashkaluar Prishtina. Unë e di që ajo ka qenë e planifikuar në Prishtinë, me u pas mbajt fjala, me u pas sjellë si burrështetas. Në partneritet edhe kur thuhet JO arsyetohet jo-ja, pranohet. Jam dëshmitar, ka pas situata kur kemi thënë qëndrimi ynë është ky. Tash po mungon pramgatizmi, nganjëherë ka nevojë me u arsyetu qëllimi si një fëmijë 7 vjet.

“Mbajtja e fjalës nga kryeministri dhe pjesëisht nga presidentja, do ta krijonte mundësinë që sekretari i shtetit ti jep dinamikë të re dialogut. Ai nuk vjen nëse ka ndalje apo regres. Po flasim për një ngërç të madh”, ka deklaruar Haziri.

Atij për këtë deklaratë i ka reaguar analisti politik dhe profesori Binak Maxharraj.

Maxharraj ka pyetur Hazirin se si është e mundur që vizita të ndryshojë, kur Kosova ka liderë të pakorruptuar e të pastër.

“Ndoshta në këtë vizitë është ngatërruar diçka. Sipas Lutfi Hazirit, nënkryetarit të LDK-së, vizita e sekretarit Blinken qenka deshtë dhe ishte planifikuar të bëhet në Kosovë, e jo Shqipëri. Pse qenka ndërruar agjenda e vizitës, sipas Lutfi Hazirit shkaktar qenka Albin Kurti, por bile edhe Vjosa Osmani, të cilët me përpikmëri në punët e tyre po e zbatojnë Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, nuk janë të korruptuar, punojnë për shtet e jo për pushtet.

Po si është e mundur që vizita të ndryshojë, nuk vizitohet Kosova, sespe aty paska liderë të pastër dhe të pa korruptuar, e të vendoset Shqipëria ku në pushtet janë mbeturinat e komunizmit dhe liderët e korruptuar brenda dhe jashtë vendit, të tipit të Edi Ramës, i cili e shprishi shtetin nga të gjitha anët me hajni e plaçkitje megalomane, duke e detyruar popullsinë e saj që me shumë se gjysma ta lëshojë vendin.

Pra, po del sipas Lutfi Hazirit se DASH-i po bëka politikë ping-pongu”, ka thënë analisti për gazetën “Bota sot”.

Sipas Maxharrajt, vizita e sekretarit të shtetit Antony Blinken në Shqipëri, “nuk pati ndonjë jehonë të madhe, nuk u duk shumë, anipse Haziri e quan vizitë historike”.

“Por, Haziri nuk tha ndonjë sqarim, sepse Blinken nuk e takoi edhe dikë nga liderët e opozitës, por e pa të arsyeshme bile të takohet me një kryetar komune”, ka thënë Maxharraj.

Sekretari i shtetit të SHBA-së Antony Blinken, është i gjashti që këto ditë e vizitoi Shqipërinë. Para tij, Shqipërinë e kishin vizituar edhe pesë sekretarë tjerë të shtetit: si në vitin 1991, Shqipërinë e vizitoi James Baker, Madeleine Albright më 2000, Colin Powell më 2003, Hillary Clinton më 2012 dhe John Kerry në vitin 2016.

Sejcilin nga këta sekretar të shtetit, Shqipëria i priti në mënyrë madhështore, ku ishin mbushur sheshet nga të gjitha anët.

Por, sipas analistit, “kështu nuk ndodhi edhe me sekretarin e shtetit Antony Blinken, që para disa ditësh e vizitoi Shqipërinë, i cili u prit siç shkruajnë mediat me 300 e me tepër veta!”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat