“Mjaft është mjaft!”, ish-ambasadori i ashpër me ndërmjetësuesit e BE-së – çfarë do të ndodhë me “fatin” e dialogut?

Politika

“Mjaft është mjaft!”, ish-ambasadori i ashpër me ndërmjetësuesit e BE-së – çfarë do të ndodhë me “fatin” e dialogut?

Nga: A.M. Më: 23 shkurt 2024 Në ora: 16:08
Josep Borrell, Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiq/Foto ilustrim nga "Bota sot"

Ish-ambasadori i Kosovës në Shqipëri, Sylë Ukshini nuk shpreson në një arritje të një marrëveshjeje finale mes Kosovës dhe Serbisë, gjatë këtij viti.

Ai në një bashkëbisedim me “Bota sot” u shpreh se Marrëveshja e Ohrit ka disa defekte, ku një nga ato është mungesa e njohjes de jure të Kosovës nga ana e Serbisë.

“Unë nuk shpresoj se mund të arrihet një marrëveshje brenda këtij viti. E para, sepse Marrëveshja e Ohrit ka disa defekte që e pamundësojnë një gjë të tillë. Kjo marrëveshje nuk është finale, nuk e ka njohjen de jure, dhe për më tepër, si duket se me insistimin e ndërmjetësuesve të BE-së, i është lejuar Beogradit.

Kjo marrëveshje e ofron vetëm njohjen de facto të Kosovës në këmbim për miratimin e përshpejtuar të Asociacionit/Bashkësisë. Edhe pse kjo nismë mbështetej mbi shembullin e Traktatit Bazë të suksesshëm nga 1972-a mes Gjermanisë Lindore dhe asaj Perëndimore, marrëveshja e Ohrit dallon shumë nga traktati gjerman. Pavarësisht çfarë thonë disa, në Planin Ahtisaari thuhet se komunat mund të formojnë një asociacion, por nuk ka asnjë detaj të dhënë se si duhet të organizohet ky trup. Por, ky asociacion nënkuptonte njohje dhe rezolutë të re. Jo si mendon tani Beogradi, të marrë këtë asociacion, por të mos e njoh Kosovën”, deklaroi ish-ambasadori.

Krahas kësaj, ai kritikoi ndërmjetësuesit e BE-së për prishje të marrëveshjes se Ohrit, kur Kosova ishte e gatshme ta pranonte atë, kurse Vuçiq tha se se nuk do të nënshkruante asnjë gjë me Kosovën.

Image
Ish-ambasadori i Kosovës në Shqipëri, Sylë Ukshini

Po ashtu, përmendi edhe tri momente të cilat e “lënduan” këtë marrëveshje.

“Një defekt tjetër, të cilin së fundi e ka nënvizuar edhe eksperti ndërkombëtar Marc Ëller, i cili ka qenë i pranishëm në Ohër, ishin ndërmjetësit e BE-së ata që papritur e prishën këtë marrëveshje, në çastin kur Kosova ishte e gatshme ta pranonte.  Sipas tij, të dyja palët ishin pajtuar në Bruksel më 27 shkurt 2023 me formulimet e një marrëveshjeje të re bazë sipas modelit gjerman. Por, papritmas që në fillim të takimit të Ohrit, Vuçiqi deklaroi se nuk do të nënshkruante asnjë gjë me Kosovën në asnjë rrethanë. Madje, ai edhe pas Ohrit vazhdoi me tallje dhe përçmim të marrëveshjes. Në të njëjtën kohë, vazhdoi fushatën kundër shtetit të Kosovës në të gjitha drejtimet si dhe kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

Veç kësaj, janë edhe tri momente të tjera që e kanë lënduar këtë marrëveshje: bojkotimi i zgjedhjeve lokale, për të cilat Vuçiq në Ohër ishte pajtuar se nuk do t’i pengonte serbët lokal të merrnin pjesë; sulmet ndaj trupave të KFOR-it dhe agresioni ushtarak në Banjskë e bashkë me këtë edhe gjuha armiqësore, helmuese dhe raciste e politikanëve dhe e mediave serbe”, theksoi Ukshini.

Ndër të tjera, ish-ambasadori vlerësoi se ambienti i dialogut është armiqësor, ku kësisoj vështirë të shpresohet se mund të ketë marrëveshje finale.

Ai shtoi se nuk ka më hapësirë për kompromise të reja nga Kosova.

“Në një ambient të tillë kaq armiqësor e kam të vështirë të jem optimist dhe të them se kjo nuk dështon. Nuk e dimë me saktësi, por ndoshta palët janë të interesuar për ndonjë konferencë ndërkombëtare, e cila për mendimin tim do të mund të ishte me pasoja për Kosovën, sepse do të hapej shtegu për kompromise të reja përtej dokumentit të Ahtisaarit. Përveç kësaj, një opsion i tillë do të konfirmonte fitoren e parimit serb mbi përkohshmërinë e çdo gjëje në Kosovë. Dhe pikërisht është edhe ky element në Marrëveshjen e Ohrit që palës serbe ia çimenton parimin e përkohshmërinë. Unë mendoj se nuk ka më hapësirë për kompromise të reja, mjaft është mjaft.  Edhe diplomati i njohur austriak Albert Rohan në prill 2013 pati deklaruar se kompromisi nga ana e palës kosovare është bërë në vitin 2007, kur ata pranuan Planin Ahtisaari. “Ka pasur shumë provizione, të cilat ishte vështirë për liderët kosovarë që t’i pranojnë, por ata e bënë në frymë të kompromisit””, përfundoi Sylë Ukshini për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat