Çështja e dinarit/ Çfarë “fshihet” pas ftesës se Lajçakut për Kosovën e Serbinë në Bruksel? Analistët zbardhin prapaskenat

Politika

Çështja e dinarit/ Çfarë “fshihet” pas ftesës se Lajçakut për Kosovën e Serbinë në Bruksel? Analistët zbardhin prapaskenat

Arife Morina Nga Arife Morina Më 24 shkurt 2024 Në ora: 09:01
Foto ilustrim

Tash e një kohë, në Bruksel nuk ka pasur takime mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, në kuadër të dialogut mes dy palëve.

Ndërkombëtarët po insistojnë që palët t’iu kthehen negociatave, por që një gjë e tillë nuk ka ndodhur ende.

Vlen të theksohet se, është shtuar presioni mbi të dyja palët që të rikthehen në tavolinën e bisedimeve dhe t’i zbatojnë marrëveshjet e arritura.

Mirëpo, mund të themi se bashkësia ndërkombëtare po tregohet shumë më e ashpër ndaj Kosovës e kryeministrit Albin Kurti, se sa ndaj Serbisë e Aleksandar Vuçiqit.

Së fundi, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano tha se pas takimeve të ndara të javës së kaluar në Munih ndërmjet shefit të politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, zoti Lajçak i ka ftuar palët të takohen në Bruksel të martën më 27 shkurt, por në ftesë nuk është përcaktuar se kush duhet të përfaqësojë Kosovën dhe Serbinë.

Ai tha se BE-ja po përpiqet të ndihmojë gjetjen e një zgjidhjeje për një problem të krijuar nga një vendim i pa bashkërenduar i njërës palë, i cili nuk i është komunikuar paraprakisht popullatës së prekur.

Nuk dihet ende nëse Kurti dhe Vuçiq do të pranojnë ftesën e Lajçakut, apo sërish diskutimet do të bëhen në nivel të kryenegociatorëve Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë ditë më parë se ka pranuar një ftesë nga Brukseli, për Rregulloren e Re të Bankës Qendrore të Kosovës që parasheh se monedha e vetme në Kosovë për pagesa të jetë euro, por që ka refuzuar pjesëmarrjen.

Ai ka deklaruar se nuk do të jetë pjesëmarrës në këtë takim, pasi “çështja e dinarit nuk është pjesë e dialogut”, duke shtuar se do të vendoset javën e ardhshme se kush do të shkojë.

“Jo nuk ka kurrfarë zhvillimi, ka një kërkesë nga Brukseli që të mbahet një takim javën e ardhshme për çështjen e rregullimit të transferit të monedhave nga Serbia për në Kosovë por ky nuk është takim ku duhet të shkojë kryenegociatori për arsye se çështja e dinarit nuk është pjesë e dialogut. Unë shkoj atëherë kur bisedohet për dialogun. Do të shohim se kush do të shkojë”, ka thënë ai.

Se çfarë pritet të ndodhë me ftesën e Lajçakut dhe se a do merr një kthesë tjetër dialogu, për “Bota sot” folën analistët politikë.

Elezaj: Se në cilin nivel do merr pjesë pala e Kosovës në takimin e ftuar nga P. Stano për 27 shkurt, kjo nuk çon fare peshë

Image
Rexhep Elezaj

E një lidhje me këtë temë, në një prononcim për “Bota sot” foli publicisti Rexhep Elezaj.

Së pari, ai tha se arsyeja kryesore e këtij takimi është çështja e dinarit, ku edhe për këtë po ftohen palët në takim.

“Se, çfarë është biseduar në Munih mes kryeministrit A. Kurti dhe shefit të politikës së jashtme të BE-së, J. Borrell, atë nuk e ka bërë të qartë për opinion z. Kurti, por as presidenti serb Vuçiq, nuk ka folur për përmbajtjen e takimit të tij me z. Borrell, por se ka qenë temë kryesore e bisedës mes tyre çështja e ndalimit të dinarit serb në Kosovë nga ana e BQK-së, për këtë nuk ka asnjë dilemë, mbase këtë e dëshmon qartë vetë ftesa e zëdhënësit P. Stano, që dy palët të takohen me 27 të këtij muaji në Bruksel”.

Madje, Elezaj beson se takimi do zhvillohet mes Kurtit e Vuçiqit, pasi ka mundësi që janë pajtuar për një gjë të tillë në takimet e ndara që kishin me Borellin në Mynih.

“Pra, kuptohet shumë qartë se kryeministri Kurti dhe presidenti serb A. Vuçiq janë “pajtuar” që rreth çështjes së dinarit serb në Kosovë të mbahet takimi midis palëve, pra të cilin do ta ketë kërkuar me çdo kusht nga Borrelli, A. Vuçiqi, me qëllimin e qartë, që çështjen e qarkullimit të dinarit serb në Kosovë ta bëjë pjesë të agjendës së dialogut Kosovë-Serbi, e cila nuk ka qenë asnjëherë deri më tash temë diskutimi mes palëve, as nga ish qeveritë e kaluara, por as nga qeveria Kurti.

Është kështu për faktin, sepse bërja e dinarit serb temë e dialogut Kosovë-Serbi, do e ngritë atë në një çështje ndërshtetërore, madje duke i dhënë karakter politik nga një çështje puro teknike. Kështu që, ata të cilët qarkullimin e dinarit serb në Kosovë pa asnjë pengesë për më shumë se 20 vite, e bën tani çështje politike, në një kohë krejtësisht të papërshtatshme për Kosovën, duhet t’i marrin përsipër të gjitha përgjegjësitë si dhe pasojat e mundshme negative për Kosovën, siç është njëra nga to, dëmtimin e raporteve dhe partneritetit me SHBA-të për shkak të mos-koordinimit paraprak me mikun tonë më strategjik, SHBA-të”, theksoi ai.

Më tej, publicisti potencoi se nuk është në të mirë të Kosovës fakti që çështja e dinarit

Madje, tha se përdorimi i dinarit në Kosovë duhet të refuzohet në mënyrë kategorike që të mos bëhet mjet legal i pagesave në vendin tonë.

“Pastaj, se në cilin nivel do merr pjesë pala e Kosovës në takimin e ftuar nga P. Stano për 27 shkurt, kjo nuk çon fare peshë në kandar, ngase pranimi dhe vetë thirrja e një takimi mes palëve ku do të flitet vetëm për dinarin serb në Kosovë, është një fitore dhe sukses i madh për palën serbe, e cila dinarin e vetë, i cili deri më tani ka qenë ilegal në Kosovë, me futjen e tij si temë e dialogut e bën atë legal, madje duke  e vendosur Kosovën në bankën e të akuzuarit për shkelje te të drejtave njerëzore të serbëve në Kosovë, siç bëri A. Vuçiq në takimin e KS të OKB-së para disa ditësh, i cili u mbajt me ftesë të Serbisë.

Pra, se kush dhe në çfarë niveli do merr pjesë pala e Kosovës në takimin e 27 shkurtit, kjo nuk ka ndonjë rëndësi, veçse më rëndësishmja për Kosovën është, që dinari serb të mos bëhet çështje e dialogut, si dhe përdorimi i tij në Kosovë të refuzohet në mënyrë kategorike që të mos bëhet mjet legal i pagesave në Kosovë, siç po pretendojnë disa analist, se me formimin e AKS-së (Zajednicës) në veri, dinari serb do bëhet valutë legale, jo vetëm në veri, por në gjithë territorin e Kosovës. Zv/kryeministri B. Bislimi, dje ka deklaruar vetë se nuk do të merr pjesë në takimin e 27 shkurtit”, shpjegoi Elezaj.

 Në fund, tha se nuk pret që të ndodhë një takim mes Kurtit e Vuçiqit.

“Sa i përket mundësisë së takimit mes kryeministrit të Kosovës, A. Kurtit dhe presidentit serb, A. Vuçiq, sipas mendimit tim, një takim i tillë aktualisht nuk ka gjasa të ndodhë, dhe kjo për disa arsye, qofshin ato të natyrës politike dhe ushtarake në rajonin e Ballkanit Perëndimorë, të sulmit në Banjskë, qoftë për shkak të rrethanave të komplikuara në arenën ndërkombëtare”, përfundoi Rexhep Elezaj për “Bota sot”

Mehmeti: Pse sot s’ka nënshkrim të marrëveshjes është faji i BE-së që ka ‘ledhatuar’ kaq shumë Vuçiqin
 

Image
Faton Mehmeti

Kurse, analisti politik, Faton Mehmeti në bashkëbisedimin e tij me “Bota sot” e cilësoi ftesën e Lajçakut për takim në Bruksel si farsë.

Kjo pasi sipas tij, nuk ka sinjale se mund të arrihet ndonjë marrëveshje pozitive.

“Takim farsë do e quaj ftesën e z.Lajcak për takimin e 27 shkurtit, përderisa nuk ka asnjë indikacion se mund të arrihet dicka pozitive, si dhe kur presidenti serb, Aleksandar Vuçiqi s’ka asnjë interes për marrëveshje”, deklaroi analisti.

Krahas kësaj, Mehmeti tha se nuk ka për çka të diskutohet kur marrëveshje ekziston, aty nevojitet vetëm nënshkrimi.

Megjithatë, ai tha se do ishte e duhur që Kurti të mos shkojë në takim, por ta dërgojë ndonjë këshilltar të tij, pasi nuk do ketë asgjë të re nga ai takim.

“Përderisa marrëveshja ekziston, për çfarë duhet të bisedohet, mjafton nënshkrimi dhe çdo gjë përfundon. Vuçiqi nuk është i interesuar për marrëveshje, derisa Lajcak duket se i ka bërë takimet rutinë mujore, pavarësisht se nuk mund të ketë diçka konkrete. Është mirë që Kurti të mos paraqitet, të dërgojë ndonjë këshilltar të tij sa për sy e faqe, nuk pritet asgjë nga ky takim. Pse sot s’ka nënshkrim të marrëveshjes është faji i BE-së që ka ‘ledhatuar’ kaq shumë Vuçiqin”, përmbylli Faton Mehmeti për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat