A gaboi Kurti me dinarin, a do të ketë kthim prapa? Flasin analistët: Kryeministri është konsultuar me ndërkombëtarët, por ata e refuzuan

Politika

A gaboi Kurti me dinarin, a do të ketë kthim prapa? Flasin analistët: Kryeministri është konsultuar me ndërkombëtarët, por ata e refuzuan

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 25 shkurt 2024 Në ora: 07:56
Albin Kurti, Aleksander Vuçiq - foto ilustrim

Qeveria e Kosovës është kritikuar së fundi pas vendimit lidhur me ndalimin e dinarit serb. Shetet e Bashkuara të Amerikës dhe shtetet tjera evropiane i kanë propozuar kryeministrit Albin Kurti që këtë vendim ta shtyjë për një kohë tjetër.

Megjithatë, duket si një vendim i prerë, pasi Qeveria e Kosovës nuk ka ndryshuar vendimin për dinarin.

Mirëpo, a mund të ketë vendim tjetër, të ketë kthim prapë në këtë vendim?

Lidhur me këtë ҫështje ka folur për ‘Bota sot’, publicisti dhe veprimtari, Idriz Zeqiraj.

Ai thekson se, si për konvertimin e akronimeve të ndryshme të targave, në RKS, edhe për heqjen nga qarkullimi në treg të dinarit serb, bëhet "shumë zhurmë për asgjë!" Për të dyja rastet, Kushtetuta e Republikës të Kosovës, i përjashton nga legjitimiteti i përdorimit, ashtu siç veprohet edhe në praktikën ndërkombëtare.

Image
Idriz Zeqiraj

“Realisht, edhe targat edhe dinari duhej të ishin punë e kryer, qysh në qershorin e vitit 1999, përfshi këtu edhe mos mbylljen e Urrës së Ibrit, e cila është unike për nga paligjshmëria! Çështja e Urës i është faturuar KFOR-it francez, me ujdinë me Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin. Dhe, duke u nisur nga rekrutimi i Hashim Thaçit në Shërbimin Sekret francez DGSE, nëpërmjet frengut Arnaud Danjean, dhëndër i Serbisë, rezulton implikimi i Francës, si mike tradicionale e Serbisë, në aleancë prej një shekulli e gjysmë, gjithnjë me amputime të tërësisë territoriale të shqiptarëve, edhe faturimi i mbylljes të Urës së Ibrit është i saktë. Vendimi i BQK-së, rrjedhimisht, edhe i Qeverisë të Kosovës, nisur nga rregullorja përcaktuese, se euro është e vetmja monedhë përdoruese në të gjithë territorin e Kosovës, është në plotni i ligjshëm. Dhe, si i tillë nuk ka asnjë arsye të zhurmohet, për zbatimin e një rregulloreje ligjërisht të njohur”, vlerëson ai.

Zeqiraj: Zotëri O`Brien është paksa konfuz, i paqartë

Duke komentuar deklaratën e zyrtarit amerikan, O’Brien, Zeqiraj thotë se zyrtari i lartë amerikan, Jim O`Brien, bëri një denoncim domëthënës, më saktë, vet demantim, të cilin askush nuk po e përmend, pra, po e heshtin, disi qëllimshëm.

"Ndonëse SHBA kishin këshilluar Qeverinë e Kosovës kundër një veprimi të tillë (lexo: mos ndalimin e përdorimit të dinarit - shnimi im), ajo vendosi ta zbatojë atë", - thotë O`Brien. Zotëri O`Brien është paksa konfuz, i paqartë, kur thotë: "Kosova duhet të tërhiqet nga vendimi për dinarin?!" Dhe, shton: "SHBA të shqetësuar me vendimin e Qeverisë së Kosovës, për të mos e lejuar përdorimin e dinarit!" Pra, zyrtari O`Brien shmang çfarëdo afatizimi kohor, se kur duhet të zbatohet vendimi i BQK-së, rrjedhimisht i aprovuar nga Qeveria e Kosovës. Madje, ai anashkalon si vendim të BQK-së, qëllimshëm, për ta akuzuar ekskluzivisht Qeverinë, kryesisht kryeministrin Albin Kurtin. Dhe, kjo i demanton të gjithë "kombëtarët" dhe ndërkombëtarët, kur thonë se "Qeveria për ndalimin e dinarit, nuk është konsultuar me aleatët ndërkombëtarë, madje as me partneren besnike Amerikë!?" Rrenë qoftë! Konsultimi qoftë për targat, më parë, qoftë për dinarin tani, qenka konsultuar, paraprakisht, me ndërkombëtarët, përfshi edhe partneren Amerikë. Por, kërkesa e Qeverisë është refuzuar, për të mos e shqetësuar Serbinë, për ta vazhduar ledhatimin e saj, në përpjekjen për ta ndarë nga tutela e korracuar të memës Rusi. Dhe, e gjithë kjo është bërë dhe vazhdon të bëhet në kurriz të Kosovës. Mëkat i madh i të gjithë botës demokratike”, thekson Zeqiraj.

Ai thotë më tutje se, akuza në adresë të Qeverisë të Kosovës, se paraprakisht duhej të bëhej informimi i mjaftueshëm, lidhur me ndalimin e përdorimit të dinarit në treg, në një masë, është e pranueshme.

Por, edhe pse njoftimi dhe shpjegimi u bë afro një muaj më parë, qytetarët serbë të Kosovës nuk treguan asnjë interesim, për të nismuar veprimet që rekomandoi BQK dhe, më pastaj qeveria.

Kjo sipas tij, sepse serbët e Kosovës, në përgjithësi, dhe ata në veriun e Mitrovicës, në veçanti, marrin porosi dhe urdhëra nga Beogradi zyrtar, për të mos pranuar asgjë nga shteti i Kosovës, përveç financimin me euro.

“BQK, qysh me shpalljen e vendimit, komunikoi edhe udhëzimet përkatëse, se si mund të veprohet në konvertimin e dinarit në monedhën euro. Në mes tjerash, u tha se janë 33.000 xhirollogari të hapura nga qytetarët serbë të Kosovës në bankat vendore, të gatshme për bartjen e parave në euro nga Serbia. Por, ajo që nuk u bë me kohë, po kompensohet tani, me një angazhim enorme, që nga BQK-ja, Qeveria dhe personalisht kryeministri Albin Kurti, me stafin e tij qeverisës. Madje, edhe zgjatja e afatit tre mujor nga BQK-ja, për t`u informuar edhe mëtej, për të bërë përgatitjet e nevojshme konvertuese bankare, pa ndëshkim dhe me shërbime gratis, është tregues i mjaftueshëm se gjithçka po korrigjohet krejt logjikshëm. Dhe, kjo duhet vlerësuar si një kërkim-falje publike, për vonesën e një informimi të bollshëm, qysh në ditën e marrjes së vendimit tërësisht ligjor, siç është ndalimi i dinarit”, vlerëson ai.

“Qytetarët e Kosovës, pavarësisht përkatësisë etnike, trajtohen njësoj, sipas ligjeve vendore, qoftë në marrjen e pensioneve, qoftë në ndihmat sociale”

Zeqiraj thotë më tutje se, ‘tragjizmi artificial, kthehet në një komedi qesharake. Të thuhet se "Qeveria e Kosovës ka lënë qytetarët serbë pa bukë, qiranë pa paguar, energjinë elektrike gjithashtu", është një shpikje e absurditet dhe bie ndesh me të vërtetën faktike’.

“Të ardhurat, dinarët, nga Serbia, janë të dubluara, të dyfishuara, për qëllime djallëzore dhe armiqësore ndaj Kosovës, për t`i përdorur serbët e Kosovës, për protesta e rezistencë, kundër shtetit vendor, me synimin e hapur për ta zhvatur një pjesë të territorit të Kosovës dhe bashkangjitjes Serbisë. Ndërsa për presidentin Vuçiq, ky fnancim shërben si klientelë elektorale të tij, njësoj siç u shërbejnë 40.000 "veteranët" e rrejshëm partive-banda të PAN-it në Kosovë. Realisht, në mes shteteve normale, ky favorizim i një pakice, në raport me qytetarët tjerë, nuk do të lejohej, sepse është diskriminim për komunitetet tjera pakicë, si dhe për barazinë shoqërore dhe jetësore të qytetarëve të Kosovës. Qytetarët e Kosovës, pavarësisht përkatësisë etnike, trajtohen njësoj, sipas ligjeve vendore, qoftë në marrjen e pensioneve, qoftë në ndihmat sociale. Shefi i dikasterit social të Kosovës, ka deklaruar, me fakte, se të gjitha familjet në nevojë, gëzojnë ndihmën sociale të përcaktuar me ligj. Dhe, kjo është llogaritur në plotësimin e nevojave elementare, sidomos ato elementare”, thotë Zeqiraj.

Ai analizon më tutje situatën duke thënë se Serbia është e detyruar të paguajë pensionet, jo vetëm të serbëve, por edhe të gjithë pensionistëve të Kosovës, për kohën që kanë punuar në ish-Jugosllavi, sepse, me shuarjen e Jugosllavisë si shtet, depozitat financiare të pensioneve, i ka grabitur Serbia.

“Për gjithçka tjetër, qeveritë e Kosovës obligohen t`i sigurojnë qytetarët e vetë, përfshirë edhe serbët, si qytetarë legjitim të saj. Kosova nuk ka kërkuar nga Serbia t´ia ushqejë qytetarët e saj, qofshin ata edhe serbë. Mënyra se si vepron Serbia, me paratë e futura në Kosovë, është një ndërhyrje flagrante, një provokim kriminal shtetëror. Edhe për çështjen e dinarit, presidenti serb Vuçiq, nuk e fsheh qëllimin: "Koordinimi bankar Kosovë-Serbi, lidhur me konvertimin e dinarit në euro, është njohje e Kosovës dhe këtë nuk e bëjmë ne"! Andaj akuzat e pabaza, vendore e ndërkombëtare, ndaj Qeverisë të Kosovës, janë mbështetje e drejtëpërdrejtë të Vuçiqit dhe të Serbisë, dikur pushtuese e vrastare dhe tani agresore e kërcënuese jo vetëm për Republikën e Kosovës, por edhe për të gjithë Ballkanin, në veçanti, për atë Perëndimor”, thekson publicist Zeqiraj.

Mehazi: Albin Kurti është kryeministër i sfidave të mëdha, si gjithmonë Kurti para sfidave dhe vështirësive politike e diplomatike ka dalur fitimtarë

Image
Sulejman Mehazi

Po ashtu, lidhur me këtë ҫështje, foli edhe analisti politik, Sulejman Mehazi.

Ai thotë se, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka dëshmuar se nuk është personalitet politik që vendimet e marra qeverisëse i kthen prapa, s'është kryeministër dyfytyrësh, herë kështu e herë ashtu, por me principe të hekurta qeverisëse.

“Po të bëjmë një retrospektivë të veprimeve të qeverisë së Kosovës kundrejtë Serbisë do vërejmë, se, që nga dita e parë e qeverisjes e deri më sot, Albin Kurti, asnjë vendim ndaj Serbisë nuk e ka kthyer prapa, përkundrazi me principet e tij ka dalur fitimtarë ndaj presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiqit, që nga ligji për letërnjoftimet, targat serbe, kryetarëve shqiptarë të komunave me shumicë serbe në veri deri te mos aktivizimi i dinarit të Serbisë në Kosovë. Këmbëngulësia e qeverisë së Kosovës shumë fitore i ka dhënë Kosovës, kurse shumë humbje i ka dhënë Serbisë”, vlerëson ai.

Gjithashtu, profesor Mehazi ka thënë se kryeministri Kurti, kur nuk lëshoi pe me zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale të katër komunave serbe në veri që ka qenë kontradiktore jo vetëm për dëshirat serbe, por ka qenë kontradiktore edhe ndaj BE-së të cilët kundërshtonin udhëheqjen e kryetarëve shqiptarë në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës.

“Problemi i dinarit serb është problem shumë më i vogël për Kosovën, BE-në dhe SHBA-në sesa dokumentet identifikuese serbe, targat serbe dhe kryetarëve shqiptarë në katër komunat serbe në veri. Edhe pse çështja e dinarit kritikohet jo vetëm nga Serbia, por edhe nga ndërkombëtarët BE, SHBA, po ja që Albin Kurti është kryeministër i sfidave të mëdha, si gjithmonë Kurti para sfidave dhe vështirësive politike e diplomatike ka dalur fitimtarë dhe këtë herë përballë dinarit të Serbisë do del fitimtarë. Stili i qeverisjes së Kurtit është vetëm përpara, as që e ka ndërmend të kthehet prapa në lidhje me dinarin e Serbisë”, vlerëson Mehazi për ‘Bota sot’.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat