“Radoiçiq mund të ndalohet në pikat kufitare dhe…!”, eksperti jep sinjale pozitive pas vendimit të INTERPOL-it – ja çka po planifikon Serbia

Politika

“Radoiçiq mund të ndalohet në pikat kufitare dhe…!”, eksperti jep sinjale pozitive pas vendimit të INTERPOL-it – ja çka po planifikon Serbia

Nga: A.M. Më: 25 shkurt 2024 Në ora: 10:04
Milan Radoiçiqi

Muaj më parë, organizata ndërkombëtare e policisë, INTERPOL, lëshoi fletarrestim për ish-nënkryetarin e Listës Serbe, Milan Radoiçiq, në lidhje me sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë.

Mirëpo, Radoiçiq po vazhdon ende të jetë i lirë.

Kryekrimineli serb po akuzohet për tri vepra penale atë për “veprim i rëndë kundër rendit kushtetues apo sigurisë së Kosovës”, “kryerja e veprës terroriste” dhe “pastrim të parave”.

Eksperti i sigurisë, Bedri Elezi në një bashkëbisedim me “Bota sot” u shpreh optimist se ndërkombëtarët do ta sjellin kryekriminelin Radoiçiq para drejtësisë.

Madje, tha se ky i fundit e ka të vështirë të lëvizë në shtetet që janë anëtare të INTERPOL-it, pasi mund të ndalet në pikat kufitare

“Ne jemi fuqimisht të bindur se do të ketë një përpjekje të faktorit ndërkombëtar për vendosjen e Radoiçiqit para drejtësisë dhe jemi të vetëdijshëm se ai e ka të vështirë të lëvizë në vendet anëtare të Interpolit, ngase i njëjti mund të ndalohet në pikat kufitare dhe të vendoset para drejtësisë.

Ky është fakt i mjaftueshëm se INTERPOL dëshiron që të ketë bashkëpunim me Kosovën dhe ndoshta sinjal pozitiv se një ditë Kosova mund të bëhet edhe anëtare minimaliste, për të trajtuar problemet siç janë rasti i Milan Radoiçiq”, deklaroi eksperti.

Image
Eksperti i sigurisë, Bedri Elezi

Krahas kësaj, Elezi potencoi se insititucionet e Kosovës duhet të gjejnë një mënyrë specifike për zbatimin e drejtësisë për rastin e Radoiçiqit.

“Sa i përket përpjekjeve të Institucionit të Republikës së Kosovës për ta dorëzuar pas arrestimit, ndoshta do të ketë mundësi që ndaj personit në fjalë të gjendet një mënyrë e veçantë për të organizuar zbatimin e drejtësisë, në rast se është e pamundur që edhe nëse ndalohet, arrestohet brenda territorit të Serbisë, të sillet në Kosovë”.

Ndër të tjera, eksperti i sigurisë parashikoi se Serbia do tentojë t’i bindë ndërkombëtarët që ta gjykojë Radoiçiqin në bazë të “normativës së saj”.

Derisa, shtoi se INTERPOL-i veproi mirë kur lëshoi fletë-arrest për Radoiçiqin, pasi ekziston rreziku që ai të organizojë sërish aktivitete të dhunshme.

“Por mendoj që Beogradi zyrtar do të bëjë përpjekje që ta bindë faktorin ndërkombëtar se do ta ndalë dhe ta arrestojë Radoiçiqin dhe të njëjtin ta gjykojë dhe ta ndjekë penalisht brenda normativës së Serbisë për veprat për të cilat eventualisht mund të sillen provat nga autoriteti i Republikës së Kosovës për INTERPOL-in.

Prandaj, mund të them se ky vendim i INTERPOL-it është një veprim fillimisht për të garantuar qetësi në Kosovë dhe po ashtu në Ballkan, sepse dihet që ekziston rreziku që Radoiçiqi të organizojë sërish aktivitete të dhunshme siç kanë qenë aktivitetet e 24 shtatorit 2023 në Banjskë të Leposaviqit”, përfunoi Bedri Elezi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat