Refuzimi i takimit në Bruksel, analisti kritikon Besnik Bislimin: Me këtë veprim, Serbia...

Politika

Refuzimi i takimit në Bruksel, analisti kritikon Besnik Bislimin: Me këtë veprim, Serbia...

Nga: P.Rudi Më: 26 shkurt 2024 Në ora: 08:08
Petar Petkoviq dhe Besnik Bislimi

Zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi ka refuzuar pjesëmarrjen në takimin me Serbinë, takim ky i thirrur nga Bashkimi Evropian lidhur me çështjen e dinarit.

“Por, ky nuk është takim ku duhet të shkojë kryenegociatori për arsye se çështja e dinarit nuk është pjesë e dialogut. Unë shkoj atëherë kur bisedohet për Marrëveshjen Bazike. Kështu që do të shohim se kush do të shkojë që të bisedojë për dinarin, por nuk është nga ekipi i kryenegociatorit”, tha Bislimi, i cili e akuzoi të dërguarin e posaçëm të BE-së për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, për shkelje të parimeve.

E këtë e ka quajtur të pa pranueshme zëdhënësi i Bashkimit Evropain, Peter Stano.

“Ne shpresojmë se zoti Bislimi do t'i vlerësojë përpjekjet, në vend që, në mënyrë të pabazë, t'i akuzojë zyrtarët e BE-së. Një sjellje e tillë është e papranueshme”, deklaroi Peter Stano.

E për qasjen e Bislimit kritika ka edhe analisti politik, Nexhat Haziri, sipas të cilit, kjo sjellje e zyrtarëve të Kosovës vetëm sa shkon në favor të Serbisë.

Image
Nexhat Haziri

Besnik Bislimi, por edhe kryeministri Kurti sikur nuk po e kuptojnë apo nuk po duan se procesi i dialogut me Serbinë me ndërmjetësimin e BE-së është në interes të Kosovës, dhe refuzimi që Bislimi i bëri ftesës së ndërmjetësit Lajcak i shkon padyshim në favor Serbisë e cila edhe pse me gjithë obstruksionet e saja , po mundohet që ta penojë këtë proces dialogu”, shprehet Haziri.

Siç thotë ai, veprimet e qeverisë duke mos u koordinuar me aleatët ndërkombëtar po bëhen për kalkulime elektorale.

Poashtu veprimet e qeverisë së Kosovës në raport me veriun e vendit, janë veprime elektorale, të pakoordinuara dhe të padiskutuara me partnerët tanë ndërkombëtar. Qeveria Kurti me këto veprime po kalkulon vetëm për interesat të veta siç thash elektorale duke përciellur sondazhet se si po del në to, e në raste edhe të paguara nga VV-ja, por nuk po e merr parasysh dëmin që po i shkaktohet Kosovës si në rrafshin e brendshëm poashtu edhe në atë ndërkombëtar”, thekson Haziri.

“Andaj mendoj se z. Bislimi nuk duhet ta refuzonte ftesën e Lajcakut. Duhet të ecet me procesin e dialogut, pasi kjo situatë e ngrirjes së procesit të dialogut me Serbinë, nuk është në interes të Kosovë”, përfundon për “Bota sot”, analisti Nexhat Haziri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat