“Planifikohej hyrja e ushtrisë serbe në Kosovë”, juristi nga Belgjika zbardh detaje nga agresioni në Banjskë – ja urdhri që dha Vuçiqi!

Politika

“Planifikohej hyrja e ushtrisë serbe në Kosovë”, juristi nga Belgjika zbardh detaje nga agresioni në Banjskë – ja urdhri që dha Vuçiqi!

Nga: A.M Më: 26 shkurt 2024 Në ora: 17:06
Foto ilustrim

Më 24 shtator, një grup i serbëve të armatosur e sulmoi Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit, duke e vrarë rreshterin Afrim Bunjaku. Gjatë shkëmbimit të zjarrit u vranë edhe tre sulmues serbë.

Pas sulmit terrorist, policia e Kosovës konfiskoi një sasi të madhe armësh në Banjskë, për të cilat u tha se janë prodhim i fabrikave serbe dhe ish-jugosllave.

Sulmi u dënua ashpër në Kosovë dhe nga ndërkombëtaret, ndërsa përgjegjësin për sulmin e ka marrë ish-nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiq.

Për Radoiçiqin organizata ndërkombëtare e policisë INTERPOL ka lëshuar fletarrestim ndërkombëtar.

Përveç tij, INTERPOL ka lëshuar fletarrestim ndërkombëtar edhe për 18 persona të tjerë.

E për këtë çështje në një prononcim për “Bota sot” foli juristi nga Belgjika, Skënder Musliu.

Së pari, ai tha se sulmi terrorist nga një grup kriminal i paramilitarëve serbë në Banjskë kishte për qëllim aneksimin e veriut të Kosovës.

Ai theksoi se i gjithë plani ishte përgatitur nga strukturat speciale të ushtrisë serbe me urdhër të Vuçiqit.

“Ngjarja tragjike në Banjskë me 24 shtator 2023, nuk ka qenë vetëm një sulm terrorist mbi policinë e Kosovës, siç duan disa ta cilësojnë, por bëhet fjalë për invazion terrorist në tentativë, mbi sovranitetin dhe integritetin territorial, që për qëllim kishte aneksimin e veriut të Kosovës, nga një grup kriminel të paramilitarëve, forcave speciale dhe inteligjencës ruse, të stërvitur enkas për këtë ngjarje. Ky invazion ka qenë i përgatitur nga strukturat speciale të ushtrisë serbe me urdhër të Vuçiqit, fillimisht për përgatitjen e kushteve dhe rrethanave, e pastaj hyrja e ushtrisë serbe në Kosovë me mjete të motorizuara dhe të blinduara, për ta sjellë Kosovën para një realiteti të ri dhe akti të kryer”, deklaroi juristi.

Krahas kësaj, Musliu potencoi se nga ana e ndërkombëtarëve nuk ka angazhim serioz për zbardhjen e një sulmi të tillë terrorist.

Megjithatë, ai mirëpriti flet arrestin e lëshuar nga ana e INTERPOL-it për Radoiçiqin.

“Edhe përkundër faktit se institucionet përkatëse të Kosovës, mblodhën të gjitha provat materiale duke faktuar invazionin sipas kronologjisë, të cilat i ndanë me faktorin ndërkombëtar, fatkeqësisht ende nuk ka një angazhim dhe presion serioz nga ndërkombëtarët ndaj Serbisë për ndriçimin dhe procesuimin e rastit, siç jemi mësuar të shohim reagimet e tyre ndaj Kosovës.

Mbase Radoiçiqi publikisht pranoi dhe mori përgjegjësinë për organizimin dhe udhëheqjen e grupit terrorist, si dhe faktit se ai është edhe në listën e zezë të SHBA-ve dhe Britanisë së Madhe, me kërkesë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës, përmes Misionit të OKB-së – UNMIK-ut, më në fund, INTERPOL-i lëshoi flet-arrest kundër tij”, theksoi ai.

Në vazhdim, foli mbi mundësinë e ekstradimit të Radoiçiqit nga an e Serbisë.

Mirëpo, juristi nga Belgjika tregoi disa arsye pse Vuçiqi nuk do ta ekstradojë kryekriminelin serb.

“Shtrohet pyetja se, a do ta ekstradojë Serbia Radoiçiqin pranë organeve të drejtësisë së Kosovës, aty ku është kryer vepra penale?!

Personalisht mendoj se, Vuçiqi nuk do ta ekstradojë Radoiçiqin, nga disa arsye:

- sepse Serbia nuk e njeh Kosovën si shtet, rrjedhimisht nuk kanë marrëveshje për ndihmë juridike, në rastin konkret për ekstradim;

- Serbia në Preambulën e Kushtetutës së saj, Kosovën e konsideron si pjesë të territorit të saj, së këndejmi nuk bëhet fjalë për sulm terrorist ndaj një shteti tjetër;

- nëse Vuçiqi e ekstradon Radoiçiqin, atëherë kjo do të ishte fillimi i fundit të Vuçiqit, sepse për ta shpëtuar veten, Radojçiqi domosdoshmërish do ta tregojë të vërtetën, se Vuçiqi ka qenë ideatori dhe organizatori i invazionit dhe

- Vuçiqi në deklaratat e tij luan rolin e hetuesit, prokurorit dhe gjykatësit, duke thënë se i gjithë procesi gjyqësor do të zhvillohet në Serbi, duke përjashtuar mundësinë e ekstradimit”.

Më tej, foli edhe se si do mund të shkonte procesi gjyqësor nëse Radoiçiq do të gjykohej në Serbi, derisa tha se ndërkombëtarët duhet t’i shtojnë kërcënimet dhe presionet ndaj Serbisë.

“Nëse Radoiçiqi do të gjykohej në Serbi, veprat penale do të kualifikohen dhe klasifikohen, siç është paralajmëruar, si bashkim për kryerjen e veprave penale të prodhimit, posedimit, mbajtjes dhe trafikimit të armëve dhe lëndëve shpërthyese, që konsiderohen si vepra penale shumë më të lehta, se sa sulmi i organizuar terrorist kundër rendit kushtetues të një shteti tjetër, do të ishte një farsë dhe manipulim juridik me opinionin.

Kohëve të fundit SHBA-ja, BE-ja dhe NATO, « rekomandojnë që Serbia të zbatojë një hetim adekuat për Banjskën », që është një gabim dhe gaf e rëndë juridik. Prandaj, dua të theksoj, se ndërkombëtarët duhet të insistojnë me këmbëngulje, madje përmes presioneve dhe kërcënimeve të ndryshme, ta detyrojnë Serbinë ta ekstradojë Radoiçiqin në Kosovë për një proces të drejtë, e jo t’i « rekomandojnë » Serbisë një hetim adekuat”, shpjegoi Musliu.

Në fund, juristi përkrahu kryeministrin Kurti dhe qëndrimet e tij në raport me Serbinë, ku ndër të tjera kritikoi opozitën që nuk po e mbështet atë, vetëm për qëllime politike.

“Është e padrejtë që Kosova, e cila për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, zbatimit të ligjit dhe shtrirjes së sovranitetit në tërë territorin e saj, është nën masa shtrënguese nga BE-ja, kurse Serbia, përveç shumë obstruksioneve tjera, për agresionin mbi Kosovën, ende ngelë e preferuara dhe e përkëdhelura e ndërkombëtarëve.

Gati që nga fillimi i mandatit të kryeministrit Kurti, ndërkombëtarët kanë humbur ekuilibrin e neutralitetit duke marrë anën e Serbisë, për fat të keq, kjo po ndodh nga shkaku se, politikanët e mëparshëm ishin pa-kurrizor, të shantazhuar, nënshtrues dhe servil ndaj kërkesave të tyre, kurse kryeministri Kurti, sillet si burrështetas i një vendi të pavarur dhe sovran, ku sundon dhe zbatohet ligji dhe me status të barabartë karshi Serbisë. Tani, opozita në vend që ta inkurajojë kryeministrin Kurti që mos t’i bëjë gabimet e tyre, ajo për poenë të pista politike, përkrahë kritikat e ndërkombëtarëve, duke i dalë në krah Serbisë.

Gjykoj se, Serbia do ta zvarritë ekstradimin e Radoiçiqit, kurse ndërkombëtarët për momentin janë të «pafuqishëm», nga fakti se në këtë vit mbahen zgjedhjet në BE dhe ato presidenciale në SHBA, prandaj është pak e besueshme se do të ketë « lëvizje » në këtë drejtim”, përmbylli Skënder Musliu për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat