Fletarrest nga INTERPOL-i/ Zbardhen “prapaskenat”: Kjo është arsyeja pse Serbia nuk e dorëzon Radoiçiqin, përmendet edhe Vuçiqi

Politika

Fletarrest nga INTERPOL-i/ Zbardhen “prapaskenat”: Kjo është arsyeja pse Serbia nuk e dorëzon Radoiçiqin, përmendet edhe Vuçiqi

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 26 shkurt 2024 Në ora: 19:00
Milan Radoiçiq dhe Aleksander Vuçiq

Krye terroristi Milan Radoiçiq ka deklaruar publikisht se ka qenë prijës i sulmit terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit.

Radoiçiq, krye-terroristi i cili mori përgjegjësinë për organizimin e sulmit të 24 shtatorit të vitit të kaluar në Banjskë të Zveçanit, ndodhet tashmë në sistemin për urdhër-arrest, të organizatës INTERPOL.

INTERPOL-i lëshoi flet-arrest për Radoiçiqin, për të cilin thotë se ka kryer dy vepra penale në Kosovë: Krim të ndërlidhur me terrorizëm dhe pastrim parash.

Në media është publikuar edhe raporti i INTERPOL-it për Radoiçiqin që është përditësuar më 16 shkurt 2024.

“Në pjesën e fakteve për rastin, në dosje shkruhet: ”Më 24 shtator 2023 rreth orës 02:45 në fshatin Banjskë të Komunës së Zveçanit, i dyshuari dhe bashkëkryesit e tij besohet se kanë vepruar së bashku për të hyrë ilegalisht në Kosovë me dhjetëra automjete të mbushura me armë, municion dhe veshje ushtarake dhe bllokuan rrugën me dy kamionë me qëllim që t’ua zënë pritën policëve të Kosovës. Ata sulmuan PK-në me granata dhe armë të ndryshme në urën afër Manastirit të Banjskës, duke vrarë oficerin e PK-së, Afrim Bunjaku dhe duke plagosur oficerin Alban Rashiti”, thuhet në raport.

Tutje në raport thuhet se Radoiçiq përmes veprimtarive kriminale të kontrabandës së mallrave ka krijuar të ardhura, të cilat më pas i ka konvertuar në pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme.

Mirëpo, përderisa gjendemi në një situatë të tillë që Serbia mbron një kriminel që po e kërkon edhe INTERPOL-i, pse duhet Kosova të jetë nën masa të BE-së?

Elezi: Radoiçiq në rast se do të dal para drejtësisë së Kosovës mund ta përfshijë presidentin e Serbisë

Image
Bedri Elezi

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur eksperti i sigurisë Bedri Elezi.

Ai thotë se vendimi i INTERPOL-it është një sinjal që ndërkombëtarët do të bashkëpunojnë me Kosovën për të sjellë para drejtësisë fajtorët për sulmin në Banjskë.

“Vendimi i INTERPOL-it për fletreshtim ndërkombëtar kundrejt Radojiçiqit është një tregues i qartë se INTERPOL-i në rastin konkret dëshiron që të bashkëpunojë me institucionet të Republikës së Kosovës. Që personat të cilët kanë marrë pjesë në një rast të tejet të rëndë të dalin para drejtësisë, dhe se këto aktivitete të INTERPOL-it janë të koordinuara me të gjitha institucionet ndërkombëtare që veprojnë në Kosovë, siç është me Policinë e Kosovës, si dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme me qëllimin e vetëm që të i përgjigjen rastit në Banjskë

Në rastin konkret ne kemi parë që INTERPOL ka vendosur në fakt veprimet konkrete për arrestimin e tij, por që deri më tani institucionet në Serbi nuk kanë bërë veprime për ta arrestuar dhe kjo përbën një problem serioz dhe është një tregues i qartë se është e vështirë që të kemi një gatishmëri të Serbisë për arrestimin e Radoiçiqit dhe të njëjtin ta sjellë para drejtësisë dhe për shumë arsye”, u shpreh ai.

Eksperti i sigurisë radhitë disa nga arsyet që Serbia nuk do ta sjellë Radoiçiqin para drejtësisë, ndër to është zbulimi i sulmit në Banjskë.

“E para sepse Radoiçiq në rast se do të dal para drejtësisë së Kosovës ekziston rreziku që të përfshijë presidentin e Serbisë, persona të tjerë të cilët kanë marrë pjesë, sidomos  ish-ministrin e Punëve të Brendshëm, tani drejtorin e Shërbimit Sekret BIA-së, të cilën SHBA-të e kanë përmendur një raport të veçantë për këtë rast dhe gjithashtu mund të përfshihen edhe ushtarakë dhe zyrtarë policorë të cilët apo edhe udhëheq policorë të cilët kanë qenë përfshirë në këtë rast që kanë dhënë mbështetjen e grupit terrorist për t'u futur brenda tërë territorit të Kosovës.

Ne mendojmë që në këtë rast Serbia qartazi po tregon faktorit ndërkombëtar edhe SHBA-së  se nuk është e gatshme që të ndërmarrë veprim për të vendosur para drejtësisë për të arrestuar personin tashmë më të kërkuar për rastin e Banjskës. Gjithashtu Serbia do ta strehoj Radoiçiqin pasi ekziston mundësia që i njëjti të zbuloj atë që ka ndodhur në Banjskë. Ndërsa sa i përket asaj se Bashkimi Evropian duket më i butë për të ndërmarrë veprime që Serbinë ta vendosë para masave, përkatësisht sanksioneve, vërtet është një çështje për të cilën mund themi se ka shqetësime se deri më tani Bashkimi Evropian nuk ka bashkëpunuar për të sanksionuar Serbinë për mosbashkëpunim në arrestimin e Radoiçiqit dhe gjithashtu për shumë çështje të tjera që kanë të bëjnë me cenimin e sigurisë së Kosovës  por  dhe rrezikimin e eskalimit të situatës së sigurisë në gjithë Ballkanin”, shpjegon Elezi.

Ndër të tjera thekson që sanksionet do të ndërlidhen me zotimet që janë bërë në marrëveshjet paraprake.

“Njëkohësisht nuk presim që Kosovës t'i largohen sanksionet për shkak të këtij rasti, sepse ne mendojmë që çështja e sanksioneve të Kosovës apo largimin e sanksioneve të Kosovës do ta ndërlidhin me zotimet që ka bërë Kosova  për organizimin e zgjedhjeve në katër komunat me shumicë serbe pasi që në marrëveshje janë krijuar kushte për këto zgjedhje.  Prandaj, mund të themi se në këtë rast Kosova mund të përfitojë për të iu larguar sanksionet nëse bashkëpunon ngushtë me ndërkombëtarët”, foli eksperti i sigurisë, Bedri Elezi për “Bota sot”.

Ahmeti: BE po vepron me standard të dyfishta në raport me shtetet të cilat janë në procesin e anëtarsimit

Image
Hidajet Ahmeti

 

Ndërsa analisti politik Hidajet Ahmeti në një bashkëbisedim me “Bota sot”, u shpreh që BE po vepron me standard të dyfishtë, pasi nuk po sanksionon Serbinë mirëpo Kosovën po, ani pse kjo e fundit po bashkëpunon me BE.

“BE po vepron me standard të dyfishta në raport me shtetet të cilat janë në procesin e anëtarësimit në BE, saktësisht  me rastin e Kosovës. Serbia, si shtet po vepron në mënyrë të njëanshme duke “kontestuar” shumë politika të BE-së, bile vazhdon edhe me diskriminimin sistematik të shqiptarëve në Serbi dhe prapë po ju trasohet rruga për BE. Kurse shteti i Kosovës, shteti i cili në çdo politikë mbron dhe promovon të drejtat e pakicave, bashkëpunon më BE për shumë çështje me rëndësi  dhe prapë sanksionohet”, thekson ai.

Në fund, analisti shton që rasti i fundit ka qenë më kryekriminelin Radoiçiq dhe bandën e tij, e cila shpërfaqi në shesh të vërtetën, por prapë BE-ja heshti.

“Rasti me Serbinë, e cila në vazhdimësi ka përkrahur grupet kriminale serbe në Kosovë, ka instrumentalizuar shume mekanizma jo legal duke kontrolluar serbët e Kosovës dhe BE ka heshtur. Rasti i fundit ka qenë më kryekriminelin Radoiçiq dhe bandën e tij, e cila shpërfaqi në shesh të vërtetën, por prapë BE-ja heshti. Por, edhe tash kur Serbia fsheh kriminelin Radoiçiq, i cili ka edhe fletë arrest ndërkombëtar, prapë BE-ja ledhaton Serbinë e mban nën sanksione Kosovën. Kjo është logjika e funksionimit të BE-së. Por, kësaj çështje ja kanë ndihmuar një pjesë ë opozitës, shoqëria civile e mekanizma të tjera të pavarur duke funksionuar me gjuhën e njëjtë sit ë Serbisë”, përfundoi Ahmeti për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat