Eksperti amerikan: Kriza me dinarin lidhet me këtë çështje - ja çka do të ndodhë nëse kundërshtarët e Kurtit e marrin pushtetin

Politika

Eksperti amerikan: Kriza me dinarin lidhet me këtë çështje - ja çka do të ndodhë nëse kundërshtarët e Kurtit e marrin pushtetin

Nga: A.Zh Më: 27 shkurt 2024 Në ora: 09:48
David Kanin

Profesori për Studime Evropiane në Universitetin Johns Hopkins në SHBA, David Kanin, ka deklaruar se ndalimi i dinarit në Kosovë, lidhet me çështjen e statusit të Kosovës.

Duke folur për gazetën “Bota sot”, eksperti amerikan ka theksuar se “dinari” është një përpjekje e radhës e Prishtinës, për të zbatuar sovranitetin e saj, përball refuzimit nga serbët në Kosovë dhe qeveria në Serbi.

“Ndalimi i dinarit është përpjekja e fundit e qeverisë së Kosovës për të zbatuar sovranitetin e saj përballë rezistencës së vendosur kolektive ndaj atij sovraniteti nga serbët në Kosovë dhe refuzimit të faktit të atij sovraniteti nga qeveria e Serbisë. Shpjegimi zyrtar i ndalimit nga Banka Qendrore e Kosovës është përtej çështjes – kjo krizë ka të bëjë me çështjen e statusit. Ai duhet parë si një veprim pasues i përpjekjes së Prishtinës vitin e kaluar për të përdorur bojkotin serb të zgjedhjeve lokale për të imponuar kryetarë komunash shqiptarë etnikë ndaj komuniteteve serbe në veri të lumit Ibër”, ka thënë Kanin.

Sipas tij, ndalimi i dinarit lidhet me kundërshtimin e kryeministrit Albin Kurti, për krijimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe. Kanin arsyeton kundërshtimin e Kurtit, duke thënë se kryeministri është i vetëdijshëm se Asociacioni do të vihej nën kontrollin e Listës serbe dhe do të kërcënonte sovranitetin e vendit.

“Ky veprim vërtet lidhet me kundërshtimin parimor të kryeministrit Kurti për krijimin e Asociacionit të Komunave Serbe në Kosovë, sërish për shkak të çështjes së statusit. Kurti beson – me arsye – se Asociacioni do të kërcënonte drejtpërdrejt sovranitetin e Kosovës. Ai gjithashtu e di se Uashingtoni po vepron nën konceptin e gabuar se një Asociacion do të integronte serbët në institucionet kosovare dhe do të avanconte zhvillimin e një vendi demokratik, multikulturor, qytetar. Ai është i vetëdijshëm se një Asociacion i tillë ka të ngjarë të vihet nën kontrollin e Listës Srpska dhe të elementëve joformalë që drejtojnë tregtinë dhe politikën në komunitetet serbe. Nuk ka rëndësi që Asociacioni mund të kishte autoritete të kufizuara formale – ekzistenca e tij do të ofronte një forum tjetër për rezistencën serbe ndaj shkrimit të Kosovës dhe me gjasë do të shtrinte autoritetin e Beogradit në Shtërpcë dhe komunitete të tjera në jug të lumit”, është shprehur më tej analisti për gazetën.

Ai ka theksuar më tej se “ndalimi i dinarit është një përpjekje për të minuar aftësinë ekzistuese serbe për të minuar sovranitetin e Kosovës përpara se të krijohet një mjet i ri për ta bërë këtë”.

Ai, poashtu, çështjen e dinarit e lidh edhe me zgjedhjet e ardhshme në Kosovë. Sipas Kanin, Kurti do të vendosë sa më shumë pengesa, pasi ai e din se nëse kundërshtarët e tij e marrin pushtetin, ata do të krijojnë Asociacionin.

“Dinari është gjithashtu i rëndësishëm për sezonin e ardhshëm zgjedhor të Kosovës. Kurti e di që amerikanët duan që ai të largohet nga pushteti dhe do të priste që kundërshtarët e tij politikë t'i binden kërkesës së Uashingtonit që Prishtina të zbatojë marrëveshjen e saj në vitin 2013 për krijimin e Asociacionit. Ai ka të ngjarë të shpresojë të vendosë sa më shumë pengesa në rrugën e përpjekjeve të Beogradit, serbëve vendas dhe aktorëve joformalë për të shfrytëzuar Asociacionin që mund të krijohet nëse kundërshtarët e tij marrin pushtetin”, ka shtuar David Kanin për “Bota sot”.

Rregullorja e re e BQK-së, e cila u publikua më 17 janar dhe hyri në fuqi më 1 shkurt, e bëri euron valutë të vetme për pagesa në Kosovë. Ky vendim nxiti reagime nga komuniteti serb që pranon pagesa në dinarë nga Serbia që nga paslufta më 1999. Një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare kërkoi nga Qeveria e Kosovës që ta tërheqë këtë vendim, ndërsa një pjesë tjetër kërkoi që ta shtyjë.

Presioni ndërkombëtar ka vazhduar edhe me thirrjet e BE-së që kjo çështje të diskutohet në dialogun mes dy shteteve.

Për këtë çështje, emisari i BE-së, Miroslav Lajçak i ka bërë ftesë Kosovës dhe Serbisë për një takim në Bruksel gjatë ditës së sotme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat