5 muaj nga sulmi terrorist serb në Banjskë, ende asnjë aktakuzë! Ekspertët: Procesi ka stopuar në dy drejtime

Politika

5 muaj nga sulmi terrorist serb në Banjskë, ende asnjë aktakuzë! Ekspertët: Procesi ka stopuar në dy drejtime

Petrit Rudi Nga Petrit Rudi Më 27 shkurt 2024 Në ora: 20:07
Sulmi në Banjskë

Më 24 shtator të vitit të kaluar Kosova u përball me një sulëm terrorist serb në veri të vendit, ku si pasojë mbeti i vrarë rreshteri, Afrim Bunjaku, kurse zyrtari policor Alban Rashiti u plagos dhe një tjetër u lëndua.

Po ashtu, të vrarë mbetën edhe tre pjesëtarë të këtij grupi kriminal terrorist, grup ky i cili përbehej prej më shumë se 30 vetave.

Ani pse kanë kaluar 5 muaj nga sulmi terrorist serb në Banjskë në veri të Kosovës, ende s’ka asnjë aktakuzë nga Prokuroria Speciale. Deri më tani, përgjegjësinë për organizimin dhe udhëheqjen e këtij sulmi e ka marrë krimineli serb, Milan Radojeçiq, për të cilin edhe Interpoli ka lëshuar flet arrest ndërkombëtar me kërkesën e shtetit të Kosovës.

Pse nuk po ngritët aktakuza?

E sipas ekspertit të sigurisë, Drizan Shala, mos ngritja e aktakuzës lidhet kryekëput me shkaqet politike dhe dialogun mes dy vendeve.

Image
Drizan Shala

“Nga aspekti procedural brenda sistemit penal të RKS-së mund të thuhet që është përmbyllur i gjithë procesi i mbledhjes së informacioneve dhe provave duke i sistemuar sipas normatives vendore. Por që pjesë e këtij hetimi tani ka marr përmasa edhe rajonale duke u përfshirë edhe BiH dhe Serbia, si dhe faktori ndërkombëtar. Dhe kjo tani ka sjellë në një situatë tejet interesante gjithë procesin duke stopuar në dy drejtime, atë hetimor ndërkombëtar dhe politik, duke pozicionuar palët sipas qëndrimeve të tyre politike shtetërore”, shprehet Shala për “Bota sot”.

Siç thotë ai, organet e rendit kanë kryer të gjitha veprimet e nevojshme për ngritjen e aktakuzës ndaj grupit kriminal.

“Organet e rendit kanë ndërmarr veprime konkrete në nisjen e procesit të sjelljes se personave të apostrofuar para drejtësisë vendore, duke kërkuar nga Interpol që “komandanti” i grupit terrorist/ushtarak Radojçiqi të sillet para drejtësisë vendore të RKS-së, si dhe në anën tjetër kemi një nismë procedurale nga Gjykata Themelore departamenti i krimeve të renda që të kërkohen edhe personat tjerë të përfshirë në këtë grup të kontraktorëve ushtarak të Serbisë ndaj rendit kushtetues se Kosovës”, deklaron Shala.

“Pra mund të themi që aspektin e sigurisë vendore, duke përfshirë gjithë akterët është bërë përmbledhja e duhur dhe punët kanë marr rrugën e duhur, por që ky rast do të mbetet si një “geto” nga aspekti ndërkombëtar politik, kjo sipas gjitha gjasave do të ndodh në rast se palët do të futin një gjë të tillë deri në nivelin më të lartë politik ndërkombëtar në kuadër të bisedimeve në Bruksel”, përfundon për “Bota sot”, eksperti Drizan Shala.

Fajtor edhe bashkësia ndërkombëtare

Image
Gani Qarri

Kurse analisti Gani Qarri për krejt këtë, fajtor e bën bashkësinë ndërkombëtare, për të cilën thotë se ka dështuar plotësisht në Ballkanin Perëndimor.

“Diplomat të cilët tregojnë simpati publike për Vuçiqin e anojnë hapur për Serbinë dhe që tash e mbi 5 muaj, nuk dënojnë Serbinë, për agresionin dhe sulmin terrorist të 24 shtatorit 2023 në Banjë të Zveçanit, as për kidnapimin e policëve të Kosovës nga Serbia, apo plagosjen e 93 ushtarëve të KFOR-it nga kriminelët serb dhe i vendosën masat ndëshkuese kundër Kosovës, por nuk e mbajnë përgjegjëse Serbinë as për përshkallëzimin e gjendjes me Kosovën, krejt këto dëshmojnë se diplomacia aktuale e BE-së dhe SHBA-ve, për një apo shumë arsye, përveçse çalon shumë keq edhe ka dështuar fort, veçanërisht në Ballkanin Perëndimor”, thekson Qarri.

“Sa i takon rastit të Banjskës, përveç diplomatëve euro-perëndimor, ka dështuar rëndë edhe Prokuroria Speciale, bashkë me mbarë drejtësinë vendore, të cilat me gjithë kalimin e kohës prej më tepër se 5 muajve, nga sulmi terrorist në Banjskë, ende nuk kanë ngritur asnjë aktakuzë, kundër krye-terroristit Milan Radojçiq as bashkëpunëtorëve të tij dhe Serbisë hegjemoniste, si mbështetëse aktive, e akteve të tilla, e cila ka stërvitur, pajisur me mjete, municione dhe armatime të specializuara terroristët si dhe i ka dërguar ata nga territori i saj, për kryerjen e sulmit terrorist të 24 shtatorit 2023, në Banjë të Zveçanit ku nga terroristët serb, u vra polici hero, Afrim Bunjaku”, shton Qarri për “Bota sot”.

Por, pse nuk po ngritët deri më tani aktakuza lidhur me sulmin terrorist në Banjskë?

“Kjo po ndodhë edhe për faktin se kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufi, vet e ka liruar nga aktakuza e mëparshme pikërisht kryebanditin Milan Radojçiq dhe atëherë e sot, nuk i shpjegon dot arsyet as jep argumente, si dhe pse është liruar Radojçiq nga ish aktakuza, prokuror të tillë, duket ta kenë fort të zënë, bishtin me derë, të cilët as pas sulmit terrorist serb në Banjskë, me në krye krye terroristin Milan Radojçiq, nuk kanë forcë as gjejnë guxim, të ngritin asnjë aktakuzë zyrtare kundër tij dhe as kundër shtetit serb, i cili përveç përfshirjes direkte dhe indirekte në aktin e sulmit terrorist të 24 shtatorit, edhe sot strehon jo vetëm krye terroristin por të gjithë banditët dhe terroristët serb, të cilët morën pjesë në sulmin terrorist të Banjskës më 24 shtator 2023,pranë Zveçanit të Kosovës”, thekson analisti Qarri.

“Ndaj është koha e fundit, që Ministria e Drejtësisë, të ndërmarr të gjitha masat ekzistuese ligjore, që janë në kompetencën e kësaj ministrie, për sqarimin përfundimtar të sjelljeve të çuditshme të Prokurorisë Speciale, ta iniciojë dënimin e personave përgjegjës, për mos ngritjen e aktakuzave edhe pas më tepër se 5 muajve të kaluar, nga sulmi terrorist serb në Banjskë, si dhe ta bëjë urgjentisht ri-formatimin komplet të gjithë Prokurorisë Speciale, për spastrimin e saj rrënjësor, nga individët e inkriminuar dhe të lidhur me krimin e organizuar, mbarëvajtjen e punëve dhe rikthimin e seriozitetit në veprimtarinë ligjore dhe kushtetuese të kësaj Prokurorie, e cila shihet hapur se mbron kundërligjshëm interesat e dikujt, nga jashtë”, përfundon për “Bota sot”, analisti politik Gani Qarri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat