“Samiti i Ramës nën diktatin e Vuçiqit!”/ Kritika të ashpra për Samitin e Tiranës: Shmangia e Kosovës, turp i organizatorit!

Politika

“Samiti i Ramës nën diktatin e Vuçiqit!”/ Kritika të ashpra për Samitin e Tiranës: Shmangia e Kosovës, turp i organizatorit!

Nga: M. Lakna Më: 28 shkurt 2024 Në ora: 20:50
Samiti i Tiranës

Liderët e 8 vendeve të Europës Juglindore u mblodhën në Tiranë për t’i treguar Presidentit Vlodymyr Zelensky,  mbështetjen e kësaj pjese të kontinetit për Ukrainën e cila tash e dy vjet është pre e luftës dhe agresionit të Rusisë.

Zelensky kërkoi nga liderët e ulur në Samitin e Tiranës që të bëhen bashkë jo vetëm politikisht për t’u përballur me atë që e quan “Hitleri i ri”, Vladimir Putin.

Presidenti i Ukrainës i dorëzoi sot Kryeministrit Edi Rama çmimin “Jaroslav i Urti”, gjatë vizitës së tij të parë zyrtare në Shqipëri.

Në këtë ngjarje morën pjesë edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq.

Vuçiq zuri një vend krah Zelenskyt edhe në foton familjare pas përmbylljes së samitit, ani pse vendi i tij, por edhe ai vet janë të mishëruar me armikun dhe agresorin e Ukrainës.

E ky samit i juglindorëve po konsiderohet si “shfaqje bajate e radhës” nga publicisti Milaim Nela.

Në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ai tha se Edi Rama e mblodhi Samitin e Evropës Juglindore që në fakt nuk ishte e tillë, sepse i vetmi shtet serioz i vendeve të kësaj ane ishte Kroacia!

Image
Milaim Nela

“Nuk ishte as Rumania as Bullgaria e as Greqia.

Aleksandër Vuçiç unë e pashë më shumë si emisar të Putinit sepse ai në deklarata qëndrime apo insistimin për draftimin e deklaratës së përbashkët të këtyre vendeve pro Rusisë dhe kundër Kosovës bëri vetëm këtë dhe e shfrytëzoi këtë tribunë më së miri!

Ai arriti ta ndryshojë tekstin përfundimtar të deklaratës duke hequr togfjalëshin 'sanksione ndaj Rusisë' dhe "ndikimi malinj i Rusisë".

Pra e bëri këtë në mes të Tiranës”, u shpreh Nela.

Nela e konsideron këtë takim më tepër si një shfaqje, ku morën pjesë liderët e shteteve të pafuqishme.

‘Takimi ishte ashtu siç e pashë unë krejt si një shfaqje ku një orë Rama dhe Zelenski qëndruan në tapetin e stërmadh duke pritur liderët e vendeve që janë qoftë politikisht, ushtarakisht apo ekonomikisht (përveç Kroacisë dhe Serbisë Putiniste) ku thërret qameti!

Luksi dhe aparenca të jepnin përshtypje që pritësi ishte një nga vendet e G-7ës kur dihet që Shqipëria ushtarakisht nuk ka asnjë tank të kohëve moderne, asnjë avion e asnjë helikopter bile nuk ka një helikopter të vetën për shuarjen e zjarreve!

U tha që këto vende do ndihmonin Ukrainën ushtarakisht e ekonomikisht!

Nuk u tha kush do ti financonte këto ndihma! Kush janë aksionerët e si do lëvrohet kjo ndihmë!

Kjo ngelet mister për mua.

Unë nuk e kuptoj se pse Ukraina nuk i prodhon armët në tokën e saj por përdor tokën shqiptare?

A thua nuk mjaftojnë tokat ukrainase për betejen me Rusinë por na duhet që kjo përleshje të zhvillohet edhe në tokën shqiptare!

A është synimi afatgjatë që Shqipëria të bëhet përveç target i Iranit tani edhe objektiv i drejtpërdrejtë edhe i Rusisë?”, ka vlerësuar ai.

Sipas publicistit, të ndërtosh fabrika armësh për Ukrainën në Maqedoni dhe Shqipëri, do të thotë ta ftosh Rusinë të jetë prezente medoemos në këto vende të cilat në fakt duhet të largojnë çdo lloj ndikimi rus e jo ta nxisin atë për ndërhyrje!

“I vetmi qëndrim serioz në këtë samit ishte ai përfaqësuesit të Kroacisë!

Për të ja vënë vulën si në çdo samit që vitet e fundit bëhet në shtetet ballkanike nuk mungoi silueta e një thataniku me syze, Aleks Sorosit që askush nuk e di se në çfarë cilësie merr pjesë ky njeri në takime kaq të rëndësishme ballkanike!

Kush është ky?

Çfarë funksioni ka?

A është ky realisht producenti i shfaqjes që ka si qëllim të vetëm të reklamojë kukullat e tij lidera të vendeve ballkanike ne rastin konkret Edi Ramën!?

Asnjë fjalë për Kosovën!”, u shpreh Nela për “Bota sot”.

Ai theksoi se Kosova u shmang si shtet në çdo rresht të deklaratës për turpin e organizatorit.

“Shumë lajka për Ukrainën një vend ku impakti i Shqipërisë mbi fatin e luftës atje është absolutisht zero.

Është njëlloj si të flas unë për jetën në Mars e si do ta rivitalizoj atë atje!

Aleati i vetëm i Putinit në këtë Samit Alexandar Vuçiçi ishte garanti dhe dora e tij në këtë takim pra Putini vetë ishte praktikisht pjesë e takimit.

Sidoqoftë republikës së bananeve nuk i mungoi edhe skandali ku nuk kishin patur mundësinë të siguronin qoftë edhe një përkthyes zyrtar nga gjuha ukrainase e askush nuk e kuptoi se çfarë tha Zelenski kur foli në gjuhën e vendit të tij!

Pra kishim samitin e Ramës nën diktatin e Vuçiçit!

Slavo Bota Serbe!”, përfundoi ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat