Çështja e “dinarit” nuk është temë e dialogut, thonë nga partia në pushtet! Ekspertja: Vendimi i prerë i BQK-së duhet të jetë fjala e fundit

Politika

Çështja e “dinarit” nuk është temë e dialogut, thonë nga partia në pushtet! Ekspertja: Vendimi i prerë i BQK-së duhet të jetë fjala e fundit

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 29 shkurt 2024 Në ora: 10:09
Ahmet Ismaili

Të martën që kaloi në Bruksel është mbajtur takimi i përbashkët mes ekspertëve financiarë të Kosovës dhe Serbisë, nën ndërmjetësimin e emisarit evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak, lidhur me përdorimin e dinarit serb në Kosovë.

Rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), ka hyrë në fuqi më 1 shkurt, dhe parasheh euron si valutën e vetme për kryerjen e pagesave me para të gatshme në Kosovë, duke ndaluar përdorimin e dinarit serb.

Kurse sipas BE-së, vendimi ka shkaktuar probleme praktike për komunitetin serb në Kosovë, të cilët kanë përdorur dinarin serb dhe me këtë valutë kanë marrë ndihmë nga Serbia.

Derisa vet, guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili, i ka thënë REL-it se gjatë takimit janë diskutuar “modalitetet teknike se si mundet të vazhdojë financimi nga Serbia, përmes kanaleve ligjore dhe transparente në llogari bankare të përfituesve në euro, bazuar në propozim e BQK-së dërguar te Banka Popullore e Serbisë”.

“Nuk ka asgjë tjetër dhe as nuk kemi pranuar diskutime tjera”, ka thënë Ismaili.

“Rregullorja është në fuqi dhe nuk ndryshohet. Zbatimi i saj nuk vihet në diskutim. Mundësi ligjore ka për transfer legal. Nëse gjithmonë Serbia ka gatishmëri t’i shfrytëzojë ato", është shprehur ai.

Isaku: Ishte njoftim për vendimin dhe jo negocim për të sepse sot kur po flasim vendimi është aty

Image
Nijazi Isaku

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Nijazi Isaku, për “Bota sot” thotë se dinari nuk është temë e dialogut.

Sipas tij, as sot nuk ka asnjë rrezik, ka një normalitet në çështjen e kryerjes së shërbimeve në veri të vendit.

“Së pari konstatimi juaj se dinari është bërë temë e dialogut nuk qëndron. Atje mori pjesë BQK për të sqaruar vendimin e saj edhe në kuadër të letrës që ajo i kishte nisur më parë bankës qendrore të Beogradit dhe për të cilën nuk ka marrë përgjigje. Pra, ishte njoftim për vendimin dhe jo negocim për të sepse sot kur po flasim vendimi është aty.

Nuk ka asnjë rrezik dhe sot kur po flasim ka një normalitet në çështjen e kryerjes së shërbimeve në veri të vendit. Nuk duhet ta ekzagjerojmë këtë çështje sepse nuk ka asnjë telashe në terren”, deklaron deputeti Isaku.

Obertinca: Dinari serb nuk mund të rangohet si çështje politike por, kryekëput si çështje financiare dhe ekonomike

Image
Vlora Obërtinca

Vlora Obërtinca, eksperte e tregjeve financiare dhe Doktor shkence në Lidership, në një përgjigje për “Bota sot”, ka thënë se çëshjta e dinarit nuk është çështje politike, por kryekëput financiare dhe ekonomike.

 “Mendoj se kjo është kompetencë ekskluzive e Bankës Qendrore të Kosovës, meqë çështja e rregullimit dhe përdorimit të valutës zyrtare brenda një shteti është pjesë përbërëse e politikës monetare te rregullatorit të tregut financiar, e që në rastin konkret është Banka Qendrore e Kosovës. Çështja e përdorimit të një valute të dyte brenda tregut financiar të Kosovës, në këtë rast dinarit serb nuk mund të rangohet si çështje politike por, kryekëput si çështje financiare dhe ekonomike meqë e prek direkt zhvillimin ekonomik të vendit”, thotë ajo.

Më tej, ajo thotë se kjo është tendencë për vazhdimin e pengesave që krijon Serbia karshi Kosovës, jo vetëm në aspektin politik.

“Këtë e shoh si një tendencë për vazhdimin e pengesave që krijon Serbia karshi Kosovës jo vetëm në rrafsh politik por tani edhe në atë ekonomik dhe financiar. Mendoj se çështja e heqjes së përdorimit të dinarit është dashur të realizohet menjëherë pas 17 shkurtit 2008, kur është shpallur pavarësia e Kosovës me ç ‘rast është fituar edhe statusi legjitim i Bankës Qendrore të Kosovës sepse, një shtet i pavarur ka një Banke Qendrore të pavarur. Gati 23 vite të përdorimit të dinarit paralelisht i kanë sjellë shumë humbje ekonomisë kosovare në arkëtimin e të të hyrave të Buxhetit Qeveritar, si dhe pa mundësia e kontrollimit të sasisë së qarkullimit të dinarit në tregun financiar të Kosovës lë të spekulohet edhe për krime financiare hipotetike, meqë BQK-ja nuk ka qasje, e as të dhëna konkrete për transaksionet monetare në veri të Mitrovicës. Përderisa të hyrat buxhetore nuk arkëtohen nga tregu financiar në veri të Kosovës, nga buxheti zyrtar shtetëror kosovar, ai aktual dhe i çdo qeverie të kaluar, janë ndarë buxhetet paralele njësoj si për çdo komunë tjetër edhe për veriun e Kosovës. Ky rast është një fiasko financiare e stilit “sui generis “ në botë!”, deklaron ajo.   

Se a do të legjitimohet përdorimi i dinarit, Obertinca thotë se  nuk është e nevojshme të legjitimohet diçka që është e kundërligjshme.

"Andaj, Kosova si valutë kryesore ka euron, dhe çdo valutë tjetër në qarkullim është shkelje ligjore.

Nëse themi se po legjitimohet dinari, atëherë duhet ta rikujtojmë së përdorimi i dinarit është përdorur në mënyrë të kundërligjshme që nga pas lufta në vitin 1999. Nuk ka nevojë të legjitimohet diçka që është e kundërligjshme. Banka Qendrore e Kosovës ka zyrtarisht një valutë në qarkullim dhe ajo valutë është EURO. Çdo valutë tjetër që përdoret pa licencimin e BQK-së është shkelje ligjore. Mos të harrojmë se BQK-ja i aplikon të gjitha ligjet që janë të ratifikuara në Parlamentin e Kosovës, ligje të cilat janë hartuar me asistencen e institucioneve financiare të BE-së. Kjo do të thotë se ligjet dhe politikat financiare të BQK-së janë në harmoni të plotë me ligjet dhe rregulloret e Bankës Qendrore Evropiane me seli në Frankfurt”, thotë ajo.

Ajo në fund, thotë se edhe Banka Qendrore e Kosovës duhet t’i ketë kompetencat e njëjta sikur homologët e saj.

Ajo shton, se Banka Qendrore e Kosovës duhet të thirret në ligjet dhe rregullat e Bankës Qendrore Evropiane.

“Kosova duhet këtë çështje ta trajtojë si një çështje të brendshme të Bankës Qendrore si rregullator i tregut financiar të Kosovës. Përderisa, Banka Qendrore e Serbisë nuk lejon ta dëmtojë ekonominë e vet duke lejuar një valutë të dytë si për shembull Lekun shqiptar në Luginën e Preshevës, apo Banka Qendrore sllovake prej ku vjen emisari Lajçak apo edhe Banka Qendrore spanjolle prej nga vjen Borell – ashtu edhe Banka Qendrore e Kosovës i ka kompetencat e njëjta si homologët e saj nëpër shtetet e tjera, dhe konform kompetencave te saja ligjore duhet të veprojë dhe të sjellë vendime brenda kornizave të Kushtetuese. Vendimi i prerë i BQK-së duhet të jetë fjala e fundit sa i përket përdorimit të dinarit në Kosovë.

Banka Qendrore e Kosovës duhet të thirret në ligjet dhe rregullat e Bankës Qendrore Evropiane, listën e shkeljeve ligjore dhe ngecjes se zhvillimit ekonomik të Kosovës që 23 vite si pasojë e aplikimit të dinarit të pa licencuar nga rregullatori i tregut financiar i Kosovës. Mos të harrojmë që shteti duhet ta shtrijë legjitimitetin e kontrollës financiare brenda integritetit të vet territorial”, përfundon ajo për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat