Hipokrizi e pastër në Tiranë, aleati i përbetuar i Rusisë “përkrahës” i zërit dhe luftës së Ukrainës për liri

Politika

Hipokrizi e pastër në Tiranë, aleati i përbetuar i Rusisë “përkrahës” i zërit dhe luftës së Ukrainës për liri

Nga: M.L. Më: 29 shkurt 2024 Në ora: 17:02
Foto familjare nga Samiti i Tiranës

Tirana të mërkurën mblodhi liderët e 8 vendeve të Europës Juglindore për t’i treguar Presidentit Vlodymyr Zelensky mbështetjen e kësaj pjese të kontinentit për Ukrainën e cila tash e dy vjet është pre e luftës dhe agresionit të Rusisë.

Zelensky kërkoi nga liderët e ulur në Samitin e Tiranës që të bëhen bashkë jo vetëm politikisht për t’u përballur me atë që e quan “Hitleri i ri”, Vladimir Putin.

Në këtë ngjarje morën pjesë edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq.

Deklarata e rënë dakord në Samitin për Ukrainën që u mbajt në Tiranë, nuk i përmend sanksionet kundër Rusisë e as ndikimin keqdashës rus. Kjo u bë e mundur me kërkesë të Serbisë.

“Pjesëmarrësit ranë dakord që ta heqin pjesën për sanksionet dhe ndikimin keqdashës të Rusisë... Jemi informuar se kjo është pranuar. Nuk ka sanksione, nuk flitet për sanksione dhe nuk përmendet ndikimi keqdashës rus”, tha Vuçiq.

Image
Zelensky dhe Rama

Anipse kërkoi që të mos përmendeshin sanksionet dhe ndikimi keqdashës i Rusisë, presidenti i Serbisë në fotografinë familjare u paraqit krah presidentit rus Vulodymir Zelensky.

Për njohësin e marrëdhënieve ndërkombëtare, Amir Shabani, organizimi i samitit në Tiranë ishte gjë e duhur, por se sipas tij, brenda vendeve të Ballkanit ka disa kontradikta në lidhje me Ukrainën.

“Sa i përket samitit të Tiranës që ka të bëjë me mbështetjen e vendeve të Ballkanit Perëndimor ndaj Ukrainës e cila kjo e fundit tani e dy vite po përballet me agresionin rus, në parim është në rregull. Mirëpo brenda vendeve të Ballkanit Perëndimor ka disa kontradikta ndërmjet njëra-tjetrës dhe në kontekst të Ukrainës.

Përveç Serbisë, të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor i kanë vendosur sanksione Rusisë dhe kanë përkrahur luftën për liri të Ukrainës. Serbia, si një vend destabilizues në rajon dhe me lidhje tradicionale me Rusinë dhe Kinën, është e pakuptimtë të gjendet në këtë samit. Ajo akoma ka probleme me Kosovën dhe nuk e pranon pavarësinë e saj, e si pritet që ta mbajë anën e Ukrainës?!”, u shpreh Shabani për “Bota sot”.

Sipas tij, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, para se të tentojë që ta shfaq si të zbutur Vuçiqin përball ndërkombëtarëve dhe konflikteve globale, duhet t'i kërkojë që fillimisht ta njoh Kosovën, të paguajë dëmshpërblimin e caktuar ndaj saj dhe të përballet me drejtësinë për krimet që ka bërë.

“Mos të harrojmë se disa ditë më parë, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq në një medium kinez foli me inkurajim ndaj invazionit të Kinës për ta marrë Tajvanin dhe se ky i fundit i takon Kinës.

Pra, me një metodologji që ai njëjtë e beson për veprimin e Serbisë ndaj Kosovës.

Kështu që, hipokrizia është dukshëm e qartë për faktin se një aleat i përbetuar i Rusisë siç është Serbia dhe i vetmi mos sanksionues ndaj invazionit rus në Ukrainë, nuk mund të jetë përkrahës i zërit dhe luftës që po bën Ukraina për lirinë dhe të drejtat e popullit të saj”, përfundoi ai.

Kujtojmë se Tirana këto dy ditë është shnëdrruar në “djep” të Samiteve. Kjo pasi edhe sot, e enjte u mbajt Samiti Ballkani Perëndimor me BE-në për Planin e ri të Rritjes.

Aty nuk mori pjesë kryeministri i Kosovës Albin Kurti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat