Zbardhen tri synimet e rrezikshme të Rusisë ndaj Kosovës/ Vjen një thirrje urgjente për SHBA-në dhe BE-në

Politika

Zbardhen tri synimet e rrezikshme të Rusisë ndaj Kosovës/ Vjen një thirrje urgjente për SHBA-në dhe BE-në

Nga: M.L. Më: 3 mars 2024 Në ora: 19:39
Aleksander Vuçiq dhe Albin Kurti

Rusia nuk dëshiron që procesi i dialogut Kosovë-Serbi të përfundojë me sukses sipas projekteve të Perëndimit.

Kështu thotë një raport i publikuar më 1 mars në Prishtinë, nga Instituti Kosovar për Hulumtim dhe Zhvillim të Politikave (KIPRED).

Sipas raportit, një përfundim i suksesshëm i dialogut, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, dhe mbështetet nga Shtetet e Bashkuara, do të dëshmonte ndikimin e zvogëluar të Rusisë në çështjet botërore, sipas raportit.

Këtë raport për gazetën "Bota sot" e komentoi njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Amir Shabani, i cili tregoi edhe arsyet pse Rusia nuk e dëshiron suksesin në dialog.

Shabani me këtë rast u shpreh se përfundimi me sukses i këtij dialogu do të çonte në konsolidimin e shtetit dhe shtetësisë së Kosovës dhe sigurinë rajonale, ndërsa mbyllja e problemeve me Kosovën do ta nxiste Serbinë të orientohej drejt Perëndimit.

Image
Amir Shabani

"Ciat janë synimet e Rusisë?

1. Minimi i themeleve të shtetësisë së Kosovës;

2. Diskreditimi i politikave perëndimore ndaj dialogut;

3. Rifitimi i drejtpërdrejtë i një roli aktiv të Moskës në këtë proces", u shpreh ai.

Raporti thotë gjithashtu se lufta në Ukrainë ka zbuluar thellësinë e marrëdhënieve politike, të sigurisë dhe atyre ekonomike midis Rusisë dhe Serbisë.

"Rusia përpiqet të përdorë rastin e Kosovës (ndërhyrja e NATO-s në vitin 1999 dhe shpallja e pavarësisë në vitin 2008) si një mjet pazari për të grumbulluar përfitime në Ukrainë dhe Gjeorgji, për të legjitimuar luftërat e saj aneksuese. Kosova është me interes të veçantë për Kremlinin." - thuhet në raport.

Andaj, njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare u shpreh se SHBA-ja dhe BE-ja duhet ta ndryshojnë rrjedhën e gjërave dhe të përshpejtojnë integrimin e Kosovës në BE dhe NATO.

"Aleatët e vendeve të Ballkanit Perëndimor, siç janë SHBA-ja dhe BE-ja duhet ta kuptojnë këtë qëndrim të raportit dhe të ndryshojnë rrjedhën e gjërave, gjegjësisht ta përshpejtojnë procesin integrues të Kosovës, fillimisht në NATO, e më pas edhe në BE për gjithë vendet e rajonit", nënvizoi ai.

Sipas tij, çdo neglizhim i synimit drejt anëtarësimit euro-atlantik të Ballkanit Perëndimor, është një rrezikim shtesë për depërtimin e ideologjive dhe politikave ruse në rajon, veçmas kur një shtet i rajonit siç është Serbia nuk e fsheh bashkëpunimin dhe afërsinë e ngushtë që ka me Rusinë, e cila padyshim është destabilizuese në rajon.

"Diplomacia amerikane dhe ajo evropiane duhet të ndërmarrin hapa gjeopolitik dhe gjeostrategjik drejt përshpejtimit të anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në BE dhe NATO, pasi që kjo mund të jetë alternativa e vetme parandalimit të ndikimit rus në rajon. Rusia duhet të ndalet, si dhe Serbia!", përfundoi Shabani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat