Vuҫiq mbështet Kinën për Tajvanin, cili është mesazhi ‘sekret’ që i drejtohet Kosovës?

Politika

Vuҫiq mbështet Kinën për Tajvanin, cili është mesazhi ‘sekret’ që i drejtohet Kosovës?

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 6 mars 2024 Në ora: 08:04
Qeveria e Kosovës

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq pak ditë më parë i shprehu mbështetje të vendosur pretendimeve të Kinës mbi Tajvanin dhe u angazhua për forcimin e lidhjeve me Pekinin, ndërsa synon integrimin në Bashkimin Evropian, i cili ka një qëndrim më të ashpër ndaj Kinës për shkak të mospajtimeve mbi tregtinë dhe agresionin rus në Ukrainë.

Tajvani është Kinë dhe varet nga ju se çfarë, kur, si do ta bëni, pikë”, tha presidenti serb Vuçiç për televizionin CGTN me seli në Pekin.

"Ai është territori juaj, është populli juaj dhe ju jeni një komb sovran. I merrni vendimet vet dhe gjithmonë do të keni mbështetjen e Serbisë”.

Këtë deklaratë të tij e kanë komentuar njohës të politikës.

A mund të konsiderohet si një kërkesë mbështetjeje nga Kina për pretendimin e Serbisë ndaj Kosovës? A po i largohet Serbia edhe me tutje Perëndimit me këto qëndrime?

Prof. Dr. Eshref Ymeri në një prononcim dhënë për ‘Bota sot’, ka rrëfyer se si ‘në dhjetor të vitit 1949, qeveria e gomindanit (kështu është quajtur partia politike konsevatore e Republikës Kineze para ardhjes në pushtet të komunistëve), për të shpëtuar nga përndjekjet e komunistëve, qe detyruar të zhvendosej në ishullin e Tajvanit dhe ta shpallte qytetin Tajpein si kryeqytet të përkohshëm të Kinës.

Kontradiktat mes Kinës dhe Tajvanit janë të hershme, si pasojë e luftës civile, e cila pati filluar që në vitet '20 të shekullit të kaluar dhe pati vazhduar deri në vitin 1950.

Prof. Dr. Ymeri: Vuçiçi, me deklaratën e tij se Kina ka të drejtë në pretendimet e veta ndaj Tajvanit, për të siguruar prej atij vendi të madh mbështetje për pretendimet që ka ndaj Republikës së Kosovës, dëshmon se është një idiot me brirë

Kina e konsideron Tajvanin si një provincë të shkëputur nga atdheu amë - Kina kontinentale, kurse Tajvani ngul këmbë se është shtet i pavarur dhe gëzon tre atribute - kushtetutën e vet, ushtrinë e vet dhe një qeveri të zgjedhur nga vetë populli i Tajvanit. Pekini është i shqetësuar gjithmonë e më shumë nga pikësynimi i autoriteteve tajvaneze për ta shpallur ishullin shtet të pavarur dhe mundohet ta frikësojë presidenten e Tajvanit, Caj Invenj, që të heqë dorë nga planet e veta. Vetë presidentja ka deklaruar shpeshherë se Tajvani është shtet i pavarur, prandaj nuk është e nevojshme një shpallje formale e pavarësisë”, vlerëson ai.

Image
Prof. Dr. Eshref Ymeri

Prof.Dr. Ymeri thotë se në dallim nga organizimi shtetëror i Republikës Popullore të Kinës, si vend komunist, Tajvani është një vend pluralist, me një sistem zgjedhor shumë partiak, karakteristik për një vend demokratik.

Duke pasur parasysh se Tajvani është shkëputur nga trungu amtar para gati 75 vjetësh, nënkuptohet që banorët e tij, sidomos ata që kanë lindur pas vitit 1949, kanë një tjetër mentalitet, edukatë dhe formim në kushtet e një vendi demokratik dhe nuk mund ta përfytyrojnë dot veten në mjedisin e Kinës kontinentale nën diktaturën komuniste, ku udhëheqësit pushtetin e gëzojnë deri në vdekje. Në këto kushte, është i pamundur ribashkimi i Tajvanit me Republikën Popullore të Kinës. Por ky ribashkim mund të bëhet i mundur vetëm në rast se në atdheun amë, pra, në Republikën Popullore të Kinës, ndryshon sistemi politik komunist një partiak, duke u zëvendësuar me një sistem demokratik shumë partiak. Por edhe nëse ndryshon sistemi në Republikën Popullore të Kinës, problemi i ribashkimit të Tajvanit mund të zgjidhet vetëm me një referendum mbarë popullor, në të cilin populli tajvanez, përmes votës së lirë, do të shprehet nëse është për ribashkim ose jo”, vazhdon ai.

Ndërkaq, sa i përket deklarimit të Presidentit serb, Aleksandër Vuҫiq, Ymeri thotë se, ky kriminel me damkë i gadishullit tonë, me këtë deklaratë, duke gëzuar mbështetjen e Rusisë fashiste, kërkon të sigurojë edhe mbështetjen e Pekinit për rikthimin e Republikës së Kosovës në vathën e serbosllavizmit.

“Diktatorët kriminelë, zakonisht, janë njerëz që vuajnë tmerrësisht nga komplekset e inferioritetit, prandaj kërkojnë të vetë-reklamohen si autoritarë. Por komplekset e inferioritetit fshehin në vetvete mangësi të theksuara në formimin intelektual të individit. Për pasojë, krye diktatorët kriminelë, në gjykimet e tyre për problemet e politikës, sipas asaj shprehjes së bukur të shqipes sonë hyjnore, i thonë këmbës dorë. Vuçiçi, me deklaratën e tij se Kina ka të drejtë në pretendimet e veta ndaj Tajvanit, për të siguruar prej atij vendi të madh mbështetje për pretendimet që ka ndaj Republikës së Kosovës, dëshmon se është një idiot me brirë”, vlerëson ai.

Sipas tij, kjo për arsye se nuk mund të krahasohen pretendimet e Kinës ndaj Tajvanit me pretendimet e Serbisë ndaj Republikës së Kosovës.

“Sepse populli i Tajvanit dhe populli i Kinës kontinentale i përkasin një etnie, etnisë kineze, dhe flasin një gjuhë - kinezishten. Po ç ‘lidhje ka etnia a ardhacakëve serbë me etninë shqiptare, ore Vuçiç idioti? Ky marrok me komplekse inferioriteti, ashtu si edhe krye diktatorët e tjerë, të cilët e kanë përfunduar jetën në një mënyrë të turpshme, duhet t'i regjistrojë mirë në tru fjalët në vijim të simbolit të nacionalizmit shqiptar, Gjergj Fishta, i cili ka thënë: “Kur sllavët erdhën nga shpellat e Uralit, shqiptarët e kishin kryer ciklin dy mijëvjeçar të qytetërimit të lashtë... Kombi i Dioklecianit, i filozofit Julian, i Justinianit, një komb i cili kish një qytetari të tij kur gjyshstërgjyshit e francezëve e anglezëve visheshin me lëkurë bualli e rrinin të futur në shpella”, thekson Prof.Dr. Ymeri, për ‘Bota sot’.

Mehazi: Si është e mundur BE-ja dhe SHBA-të mos t'i kundërvihen ashpër Serbisë e cila është kundër botës perëndimore dhe amerikane

Për këtë çështje, ka folur edhe profesori Sulejman Mehazi. Ai thekson se, qëndrimet politike e gjeostrategjike të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiqit, janë të qarta, se, janë pro ruse e kineze dhe kundër BE-së e SHBA-ve.

Image
Sulejman Mehazi

Habit fakti se si është e mundur që Serbia aq shumë të tolerohet para fuqive evropiane dhe amerikane pasi Vuçiqi jo vetëm që përkrahë Rusinë ndaj Ukrainës, po trimërisht e pa frikë idetë politike serbe shkojnë kundër BE-së e SHBA-së sa që i japin përkrahje dhe mbështetje edhe Kinës mbi Tajvanin, gjersa në anën tjetër pretendon integrimin në BE”, vlerëson ai.

Profesor Mehazi thotë për ‘Bota sot’ se, Serbia hapur është kundër BE-së për një botë ruse-kineze, kurse në anën tjetër diplomatët evropianë e amerikanë e lusin dhe e tolerojnë Vuçiqin sa që jo vetëm Kosova, por edhe shtetet tjera të Ballkanit Perëndimor të varen prej Serbisë e jo nga BE-ja.

Si është e mundur BE-ja dhe SHBA-të mos t'i kundërvihen ashpër Serbisë e cila është kundër botës perëndimore dhe amerikane,  kurse në anën tjetër janë kundër veprimeve jo të rrezikshme të kryeministrit Kurtit ndaj dinarit serb. Për dinarin serb është çuar e gjithë diplomacia evropiane e amerikane kundër Kurtit, kurse heshtin para një furtune sunduese botërore ruse-kineze”, thekson ai.

Ai po ashtu pyet se pse BE-ja e SHBA-të heshtin para kërcënimeve të Dodikut, Vulinit e Vuçiqit ndaj Bosnjë-Hercegovinës, Kosovës, Malit të Zi, gjersa në anën tjetër nuk reagojnë fare ndaj mbështetjes që i jep presidenti i Serbisë, Vuçiqi, Kinës mbi Tajvanin edhe pse Serbia synon integrimin në Bashkimin Evropian?

Habitemi nga e merr Vuçiqi këtë forcë kundërshtuese ndaj BE-së duke u kthyer në anën e Kinës dhe Rusisë pa ekuivokë mohon BE-në dhe SHBA-në e këta e tolerojnë aq sa na duket se bota serbe-ruse-kineze është më superiore e më e fuqishme sesa pretendimet gjeostrategjike të BE-së në Ballkan, Evropë e botë? Si është e mundur që evropianët e amerikanët të jenë aq pasivë para Vuçiqit i cili Ballkanin Perëndimor rrezikshëm është duke e ushqyer me ndjenja ruse-kineze”, thekson Mehazi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat