Fletarrestet për pjesëtarët e Policisë/ Ekspertët “zbërthejnë” qëllimet destabilizuese të Rusisë ndaj Kosovës

Politika

Fletarrestet për pjesëtarët e Policisë/ Ekspertët “zbërthejnë” qëllimet destabilizuese të Rusisë ndaj Kosovës

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 6 mars 2024 Në ora: 10:13
Komandanti i Njësisë Speciale Operative të Policisë së Kosovës, Besart Ahmeti

Rusia po mundohet me çdo kusht dhe mënyrë të të merret me Kosovën.

Së fundi lëshoi edhe flet arreste për pjesëtarë policorë të Kosovës.

Komandanti i Njësisë Speciale Operative të Policisë së Kosovës, Besart Ahmeti, është shpallur në kërkim nga Rusia.

Flet arresti ndaj tij vjen pas ngjarjeve të 24 shtatorit të vitit të kaluar në Banjskë dhe si kundërpërgjigje ndaj flet arrestit ndërkombëtar të lëshuar nga INTERPOL-i për kryekriminelin e veriut, Milan Radojçiq dhe disa pjesëmarrës të tjerë në sulmin terrorist në Banjskë, por edhe pjesëmarrjen e tij në të gjitha aksionet e Policisë për vendosjen e rendit dhe ligji në veri të Kosovës.

Bashkë me Ahmetin në listën e Rusisë janë futur edhe shefi i njësitit elitar të Policisë së Kosovës, ‘FIT’, Alban Jetullahu dhe një zyrtar tjetër i Policisë së Kosovës.

Madje, këtë e kishte konfirmuar edhe Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka deklaruar se janë informuar zyrtarisht për flet arrestin ndërkombëtar ndaj komandantit të njësisë speciale, Besart Ahmeti.

Ai tha se nga Rusia nuk pritet asgjë mirë, por kjo siç tha Sveçla, nuk është brengë e tij e as Ahmetit.

Halimi: Kërkesat e Rusisë dhe Serbisë mbesin vetëm ëndrra

Armend Halimi, nga Instituti për Studime të Sigurisë ISS, kërkesat e Serbisë dhe Rusisë, shtete këto të cilat nuk respektojnë kërkesat e shteteve tjera për arrestim të kriminelëve të tyre, do të mbesin vetëm ëndrra.

Image
Armend Halimi

“Sa për kërkesat e Serbisë dhe Rusisë drejtuar Interpolit lidhur me arrestimet e shqiptarëve, qoftë civil qoftë si pjesëtarë të sigurisë, nuk janë risi, mirëpo, duke qenë i përcaktuar misioni i kësaj organizate me kushtetutë dhe brenda të cilës ekziston departamenti ligjor për shqyrtim të kërkesave dhe aprovimit apo refuzimit për arrestimin e personave në kërkim nga ndonjë shtet anëtar, atëherë dëshirat e këtyre shteteve që gjithë historinë e ekzistencës së tyre e kanë të mbushur me përndjekje të pabazë ndaj etnive tjera dhe duke mos respektuar kërkesat e shteteve tjera për arrestim të kriminelëve të tyre, do të mbesin vetëm ëndrra.

Në njërën anë, vet kushtetuta e INTERPOL-it ka të paraparë refuzimin e ndjekjeve apo arrestimeve me motive politike, fetare apo ushtarake, dhe në anën tjetër në gjirin e tyre Serbia dhe Rusia strehojnë arrestimin dhe dorëzimin e kriminelëve, sikurse është krimineli i freskët Radoiçiq”, thotë ai.

Sipas tij, shumë shtete jo demokratike kanë keqpërdorur misionin e kësaj organizate.

“Për të siguruar gjithë këtë, mundësia e verifikimit nëse gjenden në listën e personave në kërkim të Interpolit është e lehtë, vërejmë se personat në fjalë nuk figurojnë si persona në kërkim të kësaj organizate.

Mirëpo, përkundër gjithë kësaj, jo rrallëherë shtetet jo demokratike kanë keqpërdorur misionin e kësaj organizate, ku edhe pa aprovimin e Interpolit kanë arrestuar persona të kërkuar nga aleatët e tyre, andaj, kujdesi do ishte më se i duhur për të mos lëvizur në vende me mungesë bashkëpunimi me Republikën e Kosovës, sepse opinioni thuajse nuk e ka të qartë, Interpol nuk ka mekanizëm arrestimi, por arrestimet i kryejnë shtetet anëtare të saj, pra policitë nacionale të shteteve në emër të kërkesave të INTERPOL-it, sepse Interpol ka si funksion vetëm mbledhjen dhe shpërndarjen e informatave lidhur me krimet apo personat e kërkuar, apo trajnimin dhe kooridinimin e punëve policore mes anëtarëve, por që siç edhe e cekëm mund të keqpërdoren këto autorizime”, përfundon ai për “Bota sot”.

Elezi: Rusia po tenton që të mbjellë frikë se gjoja Rusia mund t’i ndjekë pjesëtarët e Policisë së Kosovës

Kurse, eksperti i sigurisë, Bedri Elezi për “Bota sot”, thotë se ky është një veprim interesant nga Federata Ruse.

Image
Bedri Elezi

“Ne kishim rastin që të shohim një veprim interesant të Federatës Ruse në lidhje me pjesëtarët e Policisë së Kosovës, ku Rusia ka lëshuar një fletarrestim ndërkombëtarë për tre policët e Kosovës, ndër ta komandantin e Policisë, komandanti i Njësisë Speciale, Besart Ahmeti, i cili mund të themi se me njësinë e tij dhe në përgjithësi Policia e Kosova ka treguar rezultat, sidomos performanca e Policisë më 24 shtator, në sulmin e Banjskës, ishte performanca e një Policie më profesionale të mundshme.

Besart Ahmeti, përveç që udhëheq me Njësinë Speciale të Policisë së Kosovës, është njeriu i cili më së shumti ka shtuar moralin te zyrtarët e të Policisë, për të qenë pjesëtarë të Njësive elitare siç janë Njësiti i Specializuar ROSU”, shprehet ai.

Më tej, thotë se kjo është padyshim tentim për të rivalizuar çështjen e fletarrestimit ndërkombëtar për kryekriminelin Radoiçiq, por që kjo edhe mund të paraqes probleme sa i përket lirisë së lëvizjes.

“Ky fletarrestim padyshim është një tentim për të rivalizuar çështjen e fletarrestimit ndërkombëtar për kryekriminelin Radoiçiq, i cili tani është në fletarrestim ndërkombëtar me kërkesë të Republikës së Kosovës.

Në fakt, kjo kërkesë duhet parë edhe me një sy tjetër sepse mund të paraqet probleme serioze sa i përket lirisë së lëvizjes së pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, në këtë rast të këtyre pjesëtarëve të cilët mund të vendosen në Interpol, dhe Ministria e Punëve të Brendshme duhet ta marr me seriozitet këtë çështje, duke bërë përpjekje të duhura që të arrijë të bind faktorin ndërkombëtar sidomos Interpolin që mos të pranojë një kërkesë të Rusisë për të listuar në sistemin e Interpolit për ndalim këta persona sepse të njëjtit gjatë lëvizjes së tyre në vendet e ndryshme ku janë anëtar të Interpolit mund të ndalohen dhe mund të shoqërohen në drejtim të Rusisë, sidomos në vende ku mund të themi se Interpoli ka një ndikim jo të mjaftueshëm dhe se Rusia ka ndikim te këto shtete të cilat mund të bëjnë veprime të papritura në raport me këta pjesëtarë të Policisë së Kosovës”, shprehet ai.

 Elezi thotë se Policia e Kosovës dhe Ministria e Brendshme duhet të punojnë ngushtë me zyrën ndërlidhëse të Interpolit në Prishtinë dhe të kërkojë të sqarojë se policët tanë nuk kanë të bëjnë me ndonjë veprim i cili është i sanksionuar me norma ndërkombëtare.

“Rusia me këtë po dëshiron ta destabilizojë vendin dhe të mbjell frikë se Rusia mund t’i ndjekë pjesëtarët e Policisë së Kosovës.

Prandaj, Policia e Kosovës dhe Ministria e Brendshme duhet të punojë ngushtë me zyrën ndërlidhëse të Interpolit në Prishtinë dhe të kërkojë të sqarojë se pjesëtarët e Policisë së Kosovës në vitin 2019 për të cilin rast bëhet fjalë se Rusia ka vendosur një flet arrest nuk kanë të bëjnë me ndonjë veprim i cili është i sanksionuar me norma ndërkombëtare juridike por thjesht është një veprim i Policisë së Kosovës të cilët kanë kryer detyrat dhe përgjegjësitë e tyre dhe të cilat bazohen në ligjin e Policisë së Kosovës dhe në normat ndërkombëtare juridike me të cilat edhe vepron Policia e Kosovës.

Realisht, ky rast i Rusisë është një përpjekje për të destabilizuar edhe vet strukturën e Policisë së Kosovës duke tentuar që të mbjellë frikë se gjoja Rusia mund t’i ndjekë pjesëtarët e Policisë së Kosovës të komunitetit serb, prandaj ne duhet t’i japim goditjen e merituar duke vepruar në bazë të ligjin dhe rregullave noramtive me të cilat operon Interpol dhe Policia e Kosovës.

Prandaj, institucionet e zbatimit të ligjit në këtë rast duhet të tregohen syçelë, vigjilent, të bëjnë veprimet e tyre të duhura konform ligjeve dhe të konfirmojnë se Policia e Kosovës nuk ka bërë asnjëherë veprime të cilat janë në kundërshtim me rregulloret të cilat zbatohen nga vet Interpol dhe institucionet tjera ndërkombëtare.

Mendoj se Rusia po tenton në të gjitha format të eskalojë situatën e sigurisë qoftë përmes aktiviteteve të kundërligjshme që mbështet forcat terroriste siç ishte rasti i fundit në Banjskë në veri, madje argumentohet se Rusia ishte e përfshirë drejtpërdrejtë në mbështetje të strukturave terroriste”, përfundon ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat