“Arrestimi i Radoiçiqit krijon tërmet shkatërrues dhe shemb kullën e Vuçiqit”/ Eksperti kërkon ‘zbulimin’ e politikanëve që bashkëpunuan me të

Politika

“Arrestimi i Radoiçiqit krijon tërmet shkatërrues dhe shemb kullën e Vuçiqit”/ Eksperti kërkon ‘zbulimin’ e politikanëve që bashkëpunuan me të

Nga: N. Shaqiri Më: 6 mars 2024 Në ora: 19:27
Aleksander Vuçiq dhe Milan Radoiçiq

INTERPOL-i, tashmë ka lëshuar fletarrest për kryekriminelin e veriut, i cili ishte përgjegjës për sulmin terrorist në Banjskë, Milan Radoiçiqin.

Agresioni i Serbisë ndaj territorit të sovranitetit të Kosovës me njerëz të ushtruar paramilitar, me armatim luftarak modern dhe të barrikaduar në kishën ortodokse, në objektin fetar në Banjskë, me porosi dhe organizim nga ana e Serbisë, ishte një akt terrorist armiqësor i një shteti fqinj.

Kështu është shprehur, eksperti i sigurisë, Hajrullah Tërnava, i cili shton se, ky akt u ekzekutua nga paramilitarët të cilët janë stërvitur një kohë të gjatë për të qenë sa më efikas në kryerjen e sulmit ndaj sovranitetit të Kosovës.

Prandaj, si thotë se, arrestimi i Milan Radoiçiq do të ishte një fillim i shembjes së kupolës kriminale të Aleksandër Vuçiqit.

Tërnava thotë se, pas arrestimit të Radoiçiqit, ai duhet të ekstradohet në Kosovë.

“Më pas, duhet zhvilluar edhe një hetim të zgjeruar, për ta zbardhur bashkëpunimin e tij me ish politikanët e qeverisjes së kaluar të cilët indirekt dhe në heshtje ja kanë mundësuar zhvillimin e krimit të organizuar në veri të vendit, për t’u pasuruar deri në atë masë dhe duke marr rolin e krye liderit të bandave të krimit të organizuar deri në tendencën përpjekjen e armatosur për ta pushtuar territorin të cilin me ndihëm e shërbimeve sekrete serbe e ka kontrolluar dhe menaxhuar”, thotë Tërnava.

Ai shprehet se, Milan Radoiçiqi edhe të kaluarën e tij e ka të dyshimtë, pasi ky person gjatë luftës ka vrarë shqiptarë.

“Ish udhëheqës të shtetit tonë në shumë raste janë shoqëruar me të, si nëpër lokale apo edhe shtëpi dhe ky person me një të kaluar kriminale të tillë sikur tani që po dihet, nuk është dashur t’i lejohet emërimi i tij si zëvendës kryetar i Listës Serbe si parti e serbëve të Kosovës, me një të kaluar kriminale që ka vra shqiptarë gjatë luftës, dhe tani i kërkuar nga INTERPOL-i.”

“Radoiçiq duhet të përgjigjet para institucioneve të drejtësisë të Kosovës, për veprën terroriste të kryer në territorin e Kosovës, që të gjykohet pranë institucioneve të Kosovës, aty ku është krye vepra kriminale, vrasja e policit dhe plagosja e dy të tjerëve si akt terrorist nga njësitet paramilitare të Serbisë”, përfundon eksperti i sigurisë, Hajrullah Tërnava.

Milan Radoiçiq, kryeterroristi i cili mori përgjegjësinë për organizimin e sulmit të 24 shtatorit të vitit të kaluar në Banjskë të Zveçanit, ndodhet tashmë në sistemin për urdhërarrest, të organizatës INTERPOL.

INTERPOL-i lëshoi fletarrest për Radoiçiqin, për të cilin thotë se ka kryer dy vepra penale në Kosovë: krim të ndërlidhur me terrorizëm dhe pastrim parash.

Në pjesën e fakteve për rastin, në dosje shkruhet: “Më 24 shtator 2023 rreth orës 02:45 në fshatin Banjskë të Komunës së Zveçanit, i dyshuari dhe bashkëkryesit e tij besohet se kanë vepruar së bashku për të hyrë ilegalisht në Kosovë me dhjetëra automjete të mbushura me armë, municion dhe veshje ushtarake dhe bllokuan rrugën me dy kamionë me qëllim që t’ua zënë pritën policëve të Kosovës. Ata sulmuan PK-në me granata dhe armë të ndryshme në urën afër Manastirit të Banjskës, duke vrarë oficerin e PK-së, Afrim Bunjaku dhe duke plagosur oficerin Alban Rashiti”.

“Gjithashtu ka dyshime të arsyeshme se në cilësinë e kreut të një grupi kriminal duke filluar nga tremujori i fundit i vitit 2017 deri më 24 shtator 2023, nëpërmjet veprimtarive kriminale të kontrabandës së mallrave, kërcënimeve, shantazheve dhe kontrollit të grupit kriminal, ka krijuar të ardhura, të cilat më pas i ka konvertuar në pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, si investimi i milionave në një vilë dhe blerja e një ‘penthouse’, barit, veturave dhe mjeteve të tjera motorike me qëllim të fshehjes/maskimit të burimit të pasurisë”, thuhet tutje në dosjen e INTERPOL-it.

Te pjesa e informacionit gjyqësor, në raport shkruhen veprat për të cilat dyshohet Radoiçiqi: “‘Veprat e rënda kundër rendit kushtetues apo sigurisë së Kosovës’, në kundërshtim me nenin 126, ‘Kryerja e veprës terroriste’ në kundërshtim me nenin 129, dhe ‘Pastrimi i parave’ në kundërshtim me nenin 302 të Kodit Penal të Kosovës (2019)”.

“Dënimi i mundshëm maksimal: Burgim i përjetshëm”, thuhet më tej në raport.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat