Çfarë paralajmërimi po jep NATO me hapjen e bazës në Kuçovë të Shqipërisë?

Politika

Çfarë paralajmërimi po jep NATO me hapjen e bazës në Kuçovë të Shqipërisë?

Nga: P.R. Më: 6 mars 2024 Në ora: 21:30
Hapja e bazës në Kuçovë

Profesori dhe doktori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Enver Bytyçi, në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka folur lidhur me inaugurimin e bazës së re të NATO-s në Kuçovë të Shqipërisë.

Sipas Bytyçit, hapja e bazës në Kuçovë, do të mbetët një ndër ngjarjet më të rëndësishme në historinë e Shqipërisë.

“Sot në Kuçovë, pak km larg qytetit të bukur 2500 vjeçar të Beratit, u inaugurua baza e pare ajrore e NATO-s në Shqipëri. Është dhe do të mbetet një ngjarje e rëndësishme në historinë e vendit tone si anëtar i NATO-s që prej vitit 2009. Shqipëria gjithmonë i ka patur të hapura mundësitë dhe ka shpreh vullnet të plotë që të ofrojë mundësi reale për NATO-n, deri të ndërtimi i bazave ushtarake të saj. Në kohën e luftës në ish-Jugosllavi, pra në periudhën e luftërave në Kroaci e Bosnjë, qeveria e pare demokratike e kohës i pati dhënë NATO-s mundësi që nga aerodromi i Gjadërit në Lezhë avionët spiunë amerikanë të kontrollonin lëvizjet në frontet e luftës. Asokohe vendi ynë nuk ishte anëtar i NATO-s, por ishte vendi i parë në Lindjen ish-komuniste që bëri kërkesë me shkrim të pranohej në Aleancë dhe kishte marrë statusin e vendit partner i NATO-s”, shprehet Bytyçi.

Image
Prof.Dr. Enver Bytyqi

Siç thotë ai, baza në Kuçovë është investim dhe pjesë e strategjisë dhe e përgatitjeve për të përballuar çdo agresion të huaj, sidomos të Rusisë.

“Ndërkohë, sot, pas 30 vitesh kemi tashmë një bazë amerikane. Nga vënia në dispozicion të aeroporteve ushtarake, në bazë ushtarake për fluturime të avionëve të NATO-s. Baza të tilla NATO ka në Aviano të Italisë, në Kretë të Greqisë, në Turqi dhe në vende të tjera në Evropën Lindore ish-komuniste. Është ky investim pjesë e strategjisë dhe e përgatitjeve për të përballuar çdo agresion të huaj, sidomos të Rusisë. Lufta në Ukrainë e përshpejtoi procesin. Tashmë kemi një bazë ushtarake për ndërtimin e të cilës Aleanca Atlantike ka shpenzuar 50 milionë dollar amerikanë. Është kurorëzim i përpjekjeve të komandës ushtarake e autoritetit civil të NATO-s, të SHBA-ve dhe të Shqipërisë. Është një lloj paralajmërimi ndaj ndonjë, aventure të nxitjes së konfliktit në rajonin tone të Ballkanit Perëndimor, para së gjithash ndaj Serbisë”, shpjegon Bytyçi.

“Ngritja e një ose më shumë bazave ushtarake të NATO-s në Shqipëri nuk është presion nga SHBA-të për t’u tërhequr nga Bonstilli në Ferizaj të Kosovës, siç e kanë interpretuar disa lëpirës të pushtetit autokratik të Tiranës këtë ngjarje. As ngazëllimet e jashtëzakonshme dhe patetike në ekranet televizive me terma të tilla “Ia mbërritëm kësaj dite”, nuk janë tipar i civilizimit euro-atlantik. Kur gazetarët prapanicë-lëpirës shfaqen kësisoj të vjen të vjellësh. Ta bën bazën e ndërtuar ose më mire të rikonstruktuar të Kuçovës bajat. Historike ishte pranimi i Shqipërisë në NATO më 5 prill 2009, siç qe historike vizita e presidentit amerikan, Georg Ë. Bush në Tiranë më 10 qershor 2007, vizitë që i hapi rrugë ftesës dhe pranimit tone në këtë aleancë më të madhen ushtarako-politike në botë. Bazat ushtarake janë produkt i atij vendimi historik, i asaj arritjeje të pashoqe. Dhe mos harrojmë se protagonistët e politikës së pranimit të Shqipërisë në NATO e kishin kërkuar dhe nisur këtë proces të parët në Evropën Lindore. Historia nuk të fal në të vërtetat e saj”, shton profesor Bytyçi.

Por Bytyçi thotë se entuziazmi i madh në rastin e inaugurimit të bazës po përdoret për të fshehur dështimet e qeverisjes nga Rama.

“Ngazëllimi me shprehje të tilla si “ia arritëm edhe kësaj dite” shkon në antitezë me shpopullimin dhe ikjen masive të shqiptarëve nga atdheu i tyre. Unë do të thosha se do të duhet të thërrasim fort “Ia arritëm kësaj dite”, kur ta ndalim hemoragjinë e largimit masiv të shqiptarëve nga vendi i tyre. Entuziazmi i madh në rastin e inaugurimit të bazës po përdoret për të fshehur dështimet e qeverisjes dhe kjo mënyrë e propagandës është kërcënuese për ne. Ibrahim Rugova në dhjetor 1995 gjatë një takimi me ambasadorin Albert Rohan, kur ky i fundit e pyeti se “Çfarë fituat me këtë lëvizjen paqësore, e cila nuk solli asgjë në Rambuje?”, iu përgjigj shkurt. Rugova i tha ambasadorit “Po ne jemi këtu zoti ambasador”! Kjo lloj politike është e suksesshme. Nëse baza ushtarake e Kuçovës nuk do të vinte pas shpopullimit masiv të Shqipërisë do të kishte kuptim të plotë. Por Shqipërisë tashmë i janë plakur edhe ata që shërbejnë në ushtrinë e saj dhe nuk ka të rinj që të rekrutohen aty. Njeriu është ai që ka rëndësinë dhe peshën kryesore në çdo veprim dhe investim. Baza është e mirëpritur, por ikja e shqiptarëve dhe mungesa e profesionistëve të rinj për të marrë përsipër detyrat e mbrojtjes në atë bazë është trishtuese. Prandaj dhe entuziazmi patetik i medies për inaugurimin e kësaj baze ta shpif. Ta shpif edhe në pikëpamje estetike. Një bazë me së paku tani aq pak avionë, nuk është ndonjë investim aq i madh”.

Më tej, Bytyçi thekson se baza në Kuçovë është sinjal shumë i rëndësishëm për pozicionin e Shqipërisë dhe rolin e saj në Aleancë.

“Unë marr guximin të them se ky rol është i kufizuar në çështjen territorial dhe të angazhimit qeveritar. Pra janë këta dy element. Por qeveria kishte dhe ka për detyrë të japë kontribute me burime njerëzore, ushtarake. Ku do t’i gjejë? Ata po ikin përditë nga ky vend, si pasojë e keq qeverisjes dhe korrupsionit të pandalshëm të administratës publike. Ky është shqetësimi dhe paradoksi më i madh. Shqipëria është modeli i keq se si një qeverisje e dështuar nuk është e nuk mund të jetë në gjendje të bëhet substancialisht ta shfrytëzojë kapacitetet njerëzore e materiale në ndihmë të aleancave kaq të rëndësishme siç është NATO”, përfundon për “Bota sot”, profesor Enver Bytyçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat